Presidentja Vjosa Osmani ka takuar ndaras liderët e partive opozitare, për të diskutuar rreth anëtarësimit të Kosovës në Bordin e Paqes.
Këtij takimi u janë përgjigjur të gjithë liderët e partive opozitare. LDK-ja dhe AAK-ja kanë deklaruar se e mbështesin partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKosova është përfshirë në grupin e 19 shteteve që do të jenë pjesë e Bordit të Paqes, i themeluar dhe i drejtuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Në ceremoninë e zyrtarizimit të kësaj organizate ndërkombëtare mbajtur në Davos të Zvicrës mori pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo ka falënderuar presidenti Trump për ftesën, ndërsa ka bërë të ditur se marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Bord do t’i dërgohet Kuvendit për ratifikim.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pati deklaruar se Kosova dëshiron të kontribuojë për paqen në botë, derisa ka theksuar se pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes është vazhdimësi e kontributit të saj për Gazën.
Haradinaj i përgjigjet ftesës së Osmanit për Bordin e Paqes: AAK-ja e përkrah çdo partneritet me SHBA-në
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka njoftuar se e ka pranuar ftesën e presidentes Vjosa Osmani për diskutimin për Bordin e Paqes, iniciativë në të cilën Kosova ishte ndër vendet themeluese.
Haradinaj është shprehur që AAK-ja e përkrah pa asnjë hezitim çdo partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Me ftesë të Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, zhvillova një diskutim mbi Bordin e Paqes dhe zhvillimet politike në vend dhe në rajon. Presidentes Osmani i shpreha vlerësimin për pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, me ftesë të Presidentit Donald J. Trump. Çdo partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në çdo iniciativë ku jemi krah njëri-tjetrit, është i rëndësisë së veçantë për Kosovën. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përkrah pa asnjë hezitim këtë angazhim”, ka thënë Haradinaj në një postim në Facebook.
Abdixhiku takohet me Osmanin, shpreh mbështetjen e LDK-së për Bordin e Paqes
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është takuar me presidenten e vendit Vjosa Osmani me ftesë të Osmanit në lidhje me themelimin e Bordit të Paqes, ku Kosova ishte krah shteteve themeluese.
Abdixhiku ka thënë se është informuar nga Osmani në lidhje me këtë iniciativë dhe ka shprehur mbështetjen e LDK-së për këtë.
“Në këtë takim u informova për iniciativën e Presidentit Donald Trump për themelimin e Bordit të Paqes; një nismë që synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes, dhe që e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. I shpreha Presidentes Osmanit mbështetjen e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë iniciativë. Forcimi i paqes, i aleancave, në veçanti me SHBA-të, dhe i rolit ndërkombëtar të Kosovës duhet të jetë përparësia jonë”, thuhet në postimin e Abdixhikut në Facebook.