Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SHBA-ja planifikon mbledhjen e Bordit të Paqes më 19 shkurt

Donald Trump - Vjosa Osmani

Foto: Associated Press

Administrata amerikane po planifikon që të organizojë mbledhjen e parë të Bordit të Paqes më 19 shkurt në Washington DC, kanë bërë të ditur një zyrtar amerikan dhe një diplomat nga një shtet i ftuar, sipas CNN-it.

Ftesat u janë dërguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të premten për atë që është cilësuar si “mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes”. Siç ka shkruar CNN-i, kjo do të organizohet në Institutin e Paqes së SHBA-së, të cilit presidenti amerikan Donald Trump ia ka vendosur emrin e vet.

Kjo do të jetë hera e parë që grupi mblidhet që prej ceremonisë së nënshkrimit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos muajin e shkuar. Rreth 20 shtete janë nënshkruar tashmë në Bordin e Paqes.

Është e paqartë ende se cilat shtete do të marrin pjesë më 19 shkurt dhe në çfarë niveli do të përfaqësohen. 

Nënshkrim në ceremoni pati dhënë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo pati njoftuar se marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit për ratifikim. KOHA e ka pasur të pamundur të shtunën në mbrëmje ta konfirmojë nëse një ftesë e tillë u është dërguar edhe autoriteteve të Kosovës.  

Bordi i Paqes është pritur me kritika për shkak të mandatit që ai përfaqëson dhe nëse është iniciativë që synon të zëvendësojë Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë pranuar të bashkohen e Izraeli ende nuk e ka nënshkruar zyrtarisht anëtarësimin në të.

Edhe Osmani udhëton në SHBA, merr pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes Arbëri Osmani udhëton në SHBA, merr pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes

Bordi i Paqes është organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga Trumpi, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës.

Sipas planit të paqes të Trumpit për Gazën, Bordi i Paqes përshkruhet si një “organ i ri ndërkombëtar tranzitor”, i cili do të ndihmojë në mbikëqyrjen e rindërtimit të enklavës palestineze. Anëtarët e këtij bordi pritet të jenë udhëheqës botërorë, me presidentin Trump në krye.