Presidentja Vjosa Osmani i është bashkuar takimit të liderëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të Kroacisë, në New York, me Richard Grenellin, tash i dërguar presidencial i Donald Trumpit për misione të posaçme si dhe me sekretarin e Shtetit për Thesarin Scot Bessent e presidentin e Bankës EXIM John Jovanovich.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani, ka thënë se të gjitha shtetet e ftuara kanë marrë pjesë. Ai ka bërë të ditur se Osmani ka mbërritur në pjesën e dytë të takimit për shkak të takimeve të tjera, ndërsa ka thënë se s’ka pasur diskutime politike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ftesa ka qenë për “US-Western Balkans Roundtable”, nga tre përfaqësues të administratës amerikane: z. Richard Grenell, i dërguar presidencial për misione speciale, Scot Bessent, sekretar i shtetit për Thesarin si dhe John Jovanovich, president i Bankës EXIM. Të ftuara kanë qenë të 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Kroacia. Të gjitha shtetet e ftuara kanë marrë pjesë. Presidentja ka arritur aty në pjesën e dytë të takimit për shkak të takimeve të tjera bilaterale. Në takim secili shtet ka prezantuar potencialin e vet ekonomik si mundësi për bashkëpunim me administratën Trump. Nuk ka pasur diskutime politike”, ka thënë Kupina për KOHËN.
Shqipëria në këtë takim u përfaqësua nga kryetari i shtetit, Bajram Begaj, dhe ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali. E Spiropali publikoi të enjten fotografi në të cilat nuk shihej Osmani në takim. Fotografitë nxitën diskutime në opinion.
Në takim mori pjesë edhe Marko Gjuriq, ministër i Jashtëm i Serbisë.
Grenell në mandatin e parë të presidentit amerikan, Donald Trump, ka qenë emisar për dialogun Kosovë-Serbi. Në disa raste ka pasur përplasje me kryeministrin Albin Kurti e së fundmi pati akuzuar edhe Osmanin për “manipulim” të fjalëve të Trumpit.