Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Grenell e akuzon Osmanin për gënjeshtër. Në LVV thonë se ajo s’i pati votat për t’u rizgjedhur

Foto: AP

Pretendimet e bëra nga presidentja Vjosa Osmani gjatë një interviste të hënën mbrëma janë përcjellë të martën me reagime. Një prej tyre është bërë nga emisari i posaçëm i administratës amerikane për misione të veçanta, Richard Grenell. Ai, disa prej deklaratave të saj ndërlidhur me raportet SHBA-Kosovë i ka kualifikuar gënjeshtra. E në partinë në pushtet e kanë kundërshtuar pretendimin e saj për sa u përket votave për t’u rizgjedhur

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani ka gënjyer gjatë intervistës së dhënë të hënës, në të cilën, mes tjerash, ka pretenduar se administrata aktuale e Donald Trumpit është më pro-Kosovës që nga koha e ish-presidentit, George Bush.

Në këtë intervistë, Osmani ka theksuar po ashtu se në një takim me sekretarin amerikan të shtetit, Marko Rubio, ka diskutuar rreth krijimit të një plani konkret për njohjen e Kosovës nga shtetet mosnjohëse, si dhe për ndihmë që Kosova t’i bashkohet NATO-s.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për këto pretendime, Grenelli, që në administratën Trump1 ka qenë emisar për dialogun Kosovë-Serbi, pati reagim në platformën X.

“Ajo po gënjen. Ekipi Kurti dhe Osmani kanë qenë të tmerrshëm dhe këtë të gjithë e kemi parë qartë. Ajo do të thotë gjithçka për ta shpëtuar veten politikisht”, ka shkruar Grenell.

Presidentja Osmani në intervistë ka thënë po ashtu se në administratën Trump 2, Kosovës nuk i janë kërkuar asnjëherë koncesione porse iu ofrua ndihmë si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në mbrojtje.

Teksa ka folur për moszgjedhjen e presidentit, Osmani ka thënë se i ka pasur 80 votat e nevojshme që ajo të rizgjedhej, sikur ta kishte mbështetjen e 66 deputetëve të koalicionit qeverisës.

Por këtë pretendim të saj e ka kundërshtuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tek është shprehur i bindur se Osmani nuk i ka pasur numrat për mandat të dytë.

“Unë jam i bindur që as zonja Osmani nuk i ka pasur votat, pa çka se ne i kemi ofruar mundësinë e kandidimit dhe kemi besuar se kandidimi i saj, krahas kandidimit të zotëri Konjufca, është një mundësi për të maksimizuar pjesëmarrjen e deputetëve në proces zgjedhor dhe kësisoj për ta tejkaluar rrezikun e kuorumit apo pjesëmarrjes të së paku 80 deputetëve në procesin zgjedhor në raundin e parë dhe të dytë, dhe kësisoj t’i japim Republikës president apo presidente”, tha Rrustemi.

Në intervistën, Osmani ka pretenduar se pasi i ka siguruar 80 vota, asaj i është kërkuar nga kryeministri, Albin Kurti, që t’i ketë 85.

Për dekretin e saj për shpërndarjen e Kuvendit, e ndaj të cilit Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme, Osmani është shprehur e bindur se është kushtetues por edhe se mund të gabojë, meqë, siç ka thënë, nuk është pejgambere.

E për Qeverinë Kurti 2, ka theksuar se në dhjetëra raste e ka shkelur aktin më të lartë juridik të shtetit.