LAJMET E MBRËMJES

Kosova mes takimeve bilaterale në New York, realitetit të masave të BE-së e pezullimit të dialogut nga SHBA-ja

Javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, udhëheqës të Kosovës janë duke e shfrytëzuar për takime bilaterale. Pas presidentes, Vjosa Osmani dhe ministres në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në SHBA ka udhëtuar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Takimet e udhëheqësve të Kosovës në New York janë zhvilluar ndaras, në kohën kur vendi ndodhet nën masa të Bashkimit Evropian dhe kur i është pezulluar dialogu i planifikuar strategjik nga SHBA-ja

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u është bashkuar dy udhëheqësve të tjerë institucionalë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York. 

Por presidentja Vjosa Osmani dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, janë duke qëndruar në Shtete të Bashkuara (SHBA) me agjenda të ndara dhe nuk është zhvilluar asnjë takim i përbashkët i tyre me udhëheqës të shteteve të tjera. 

Sipas njoftimit të zyrës së Kryeministrit, Kurti do të zhvillojë takime bilaterale me liderë dhe do të takojë gjithashtu pjesëtarë të komunitetit shqiptar dhe përfaqësues të shoqatave të diasporës.

“Përmes pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë dhe takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Republika e Kosovës ofron për investitorë të huaj”, është thënë në njoftimin e zyrës së kryeministrit në detyrë. 

Takimet në SHBA, Kurti i ka nisur të enjten me kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Republikane, Keith Self, të cilin e ka mirëpritur në mjediset e Konsullatës së Kosovës në New York. 

“Kongresisti Self është një mbështetës i zëshëm i Republikës së Kosovës. Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe për rolin aktiv dhe kontributin e vazhdueshëm të diasporës shqiptare në ShBA”, është shkruar në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

“Kryeministri e njoftoi kongresistin Self për investimet që janë bërë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operative të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë këtu pajisjet dhe armatimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit bilateral në mbrojtje. Ndër të tjera, ai theksoi vendimet e qeverisë për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme nga ShBA-të të shtetasve të vendeve të treta dhe, së fundmi, heqjen e tarifës doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga ShBA, si dhe vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën nga administrata e re amerikane, si shprehje dhe dëshmi e partneritetit të besueshëm”. 

Veç takimeve të zhvilluara me udhëheqës të shteteve tjera në margjina të Asamblesë, ku Kosova nuk ka qasje, Osmani, një ditë më herët ka postuar një fotografi me sekretarin amerikan të shtetit, Marco Rubio. 

“Me Sekretarin Rubio, një bisedë përmbajtësore mbrëmë në kuadër të pritjes së organizuar nga Presidenti Trump”, ka shkruar Osmani.  

Por ky takim nuk figuron edhe në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) dhe as profilin e Rubios në rrjetet sociale. 

Derisa Osmani mungon në postimet e tij, Rubio ka treguar për takimet e tjera të shumta, përfshirë atë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Diplomati amerikan ka shkruar se më Vuçiqin ka diskutuar për Dialogun Strategjik që dy vendet do ta nisin së shpejti, si dhe për pjesëmarrjen e SHBA-së në EXPO 2027, “të dyja mundësi për të forcuar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe ndërsa kërkojmë të ndërtojmë një të ardhme më të mire”. 

Me Kosovën, para disa ditësh SHBA-ja e ka pezulluar dialogun e planifikuar strategjik për shkak të tentimit të qeverisë në detyrë dhe kryeministrit Kurti për t’ia pamundësuar disa subjekteve serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. 

E Osmani, nga SHBA-ja u ka kërkuar zyrtarëve të Bashkimit Evropian (BE) që t’ia heqin Kosovës “masat e padrejta”. 

“Në New York, takova përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, me të cilën diskutuam mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në rajon. Integrimi i Kosovës në BE mbetet ndër prioritetet tona kryesore shtetërore. Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim”, ka shkruar Osmani. 

Kosova është nën masat e BE-së për më shumë se dy vjet, shkaku i trazirave në veri gjatë majit të vitit 2023. 

Osmani ka qenë pjesë edhe e një takimi të përbashkët organizuar nga Kallasi, me liderë të tjerë nga Ballkani Perëndimor. 

“Anëtarësimi i Shqipërisë në BE pasqyron se kush jemi dhe të ardhmen që po ndërtojmë: institucione demokratike dhe evropiane, të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut. Shqipëria dhe i gjithë Ballkani Perëndimor në BE do të thotë siguri më e madhe për rajonin tonë dhe për kontinentin tonë”, ka thënë Kallas.  

E zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në takimin e Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor në Nju Jork, organizuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani.

“Duke vlerësuar rëndësinë e këtij takimi, Ministrja Gërvalla theksoi se mes miqsh angazhimi matet me rezultate konkrete, bashkëpunim të sinqertë, vlera të përbashkëta demokratike dhe vizion të qartë evropian”, shkruan në njoftimin e MPJD-së. “Ajo nënvizoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për reforma të thella dhe progres të prekshëm, duke theksuar: Në këtë frymë, Republika e Kosovës dëshmon përkushtimin e saj për reforma, sundim të ligjit, bashkëpunim praktik që sjell rezultate të prekshme për gjithë qytetarët, si dhe shtyen përpara bashkërendimin në siguri dhe stabilitet afatgjatë për rajonin”. 

Sipas MPJD-së, në takimin e Miqve të Ballkanit Perëndimor u theksua se stabiliteti rajonal kërkon rezultate të matshme, koordinim të politikave të sigurisë, forcim të qëndrueshmërisë institucionale dhe përshpejtim të procesit të integrimit evropian.