Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita e akuzon Kurtin për zhvatje të buxhetit

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Veç një ditë pas shpalljes së datës për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka emëruar tre zëvendësministra të rinj. Për këtë veprim, përfaqësues të partive deri tash në opozitë e kanë kritikuar atë për abuzim me buxhetin e shtetit, në fund të mandatit

Për një pasdite, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka emëruar tre zëvendësministra të rinj, veç një ditë pas shpalljes së datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në njoftimet që Zyra e Kryeministrit i lëshoi të premten vonë u bë e ditur se Kurti e ka emëruar Ali Dulën si zëvendësministër në Ministrinë për Zhvillim Rajonal, Agon Batushën në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Hysni Mehanajn në Ministrinë e Financave.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Këto emërime, oponentët politikë të Kurtit përveçse i kualifikuan si të panevojshme në kohën kur Qeveria është në detyrë, vlerësuan edhe se me to po zhvatet dhe po abuzohet me buxhetin e shtetit.

“Me ligj nuk e di që është keq, por është e pahijshme tash, e panevojshme realisht. Nuk e shoh pse duhet të ndodhë në këtë mënyrë tani. Unë besoj që më e rëndësishme është të angazhohet qeveria për t’i kryer punët që janë dhe që mund të kryhen, por këto emërime të tilla tash nuk e kanë një shije të mirë kur janë fushatë”, ka thënë Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

E sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka theksuar se kryeministri në detyrë po vepron sikur shteti të jetë pronë private e tij.

“Njeriu vazhdon të emërojë zëvendësministra, të hapë konkurse për pozita të larta në shërbimin civil, të bëjë emërime e shkarkime gjithandej, sikur asgjë nuk ka ndodhur. Ky nuk është funksionim institucional. Është mentalitet abuzues ndaj shtetit. Kur pushteti sillet sikur institucionet janë pronë private, demokracia dëmtohet dhe qytetarët nënçmohen”, ka thënë Çitaku.

Qasje të njëjtë kritikuese për këto emërime ka shprehur edhe anëtarja e kryesisë së LDK-së, Hykmete Bajrami.

Ajo ka theksuar se Kurti po emëron zëvendësministra për ta zhvatur buxhetin.

“Jo për punë, sepse s’ka punë, as s’ka ndonjë nevojë urgjente. Po i emëron që të marrin pagë nga buxheti i shtetit, pa bërë asgjë. Kjo është zhvatje e buxhetit – është abuzim me pozitën zyrtare. Dhe dëmi nuk është vetëm te paratë që po shpenzohen sot. Dëmi është te standardi që LVV-ja ka vendosë: me trajtu shtetin si pronë partiake, si mjet për me i shpërbly militantët”, ka thënë Bajrami.

Sipas njoftimeve që janë bërë publike, që nga formimi i Qeverisë më 11 shkurt e deri më tash, kryeministri ka emëruar 25 zëvendësministra në 16 ministri, nga gjithsej 19 sa i ka.