Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Abuzim, zhvatje, të pahijshme”, ish-opozita kritikon emërimet e zëvendësministrave nga Kurti

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Emërimet e tre zëvendësministrave gjatë ditës së djeshme nga kryeministri në detyrë Albin Kurti kanë nxitur kritika të ashpra nga partitë ish-opozitare.

Edhe pse në detyrë, kryeministri Kurti të premten emëroi tre zëvendësministra: Ali Dulën si zëvendësministër në Ministrinë për Zhvillim Rajonal, Agon Batushën në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Hysni Mehanajn në Ministrinë e Financave.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Këto vendime kanë nxitur reagime të menjëhershme nga partitë ish-opozitare të shtunën, të cilat i kanë kritikuar si të panevojshme dhe të papërshtatshme në një kohë kur vendi po shkon drejt zgjedhjeve.

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka akuzuar Kurtin për sjellje abuzive ndaj institucioneve, duke thënë se ai po vepron sikur shteti të ishte pronë private.

“Në universin e Albin Kurtit, Kuvendi nuk është shpërndarë dhe Qeveria nuk është në detyrë. Ai vazhdon të emërojë zëvendësministra, të hapë konkurse për pozita të larta dhe të bëjë emërime e shkarkime sikur asgjë nuk ka ndodhur. Ky nuk është funksionim institucional, por mentalitet abuzues ndaj shtetit”, ka shkruar Çitaku.

Kritika të ashpra ka adresuar edhe Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila ka akuzuar Kurtin se po emëron zëvendësministra pa nevojë, vetëm për përfitime financiare.

“Kur një qeveri është në dorëheqje, ministrat kanë kompetenca të kufizuara. Në këtë situatë, emërimet po bëhen jo për punë, por që të marrin paga nga buxheti pa bërë asgjë”, ka deklaruar Bajrami, duke i cilësuar këto veprime si “zhvatje të buxhetit” dhe “abuzim me pozitën zyrtare”.

Sipas saj, përveç kostos financiare, dëmi është edhe në standardet që po vendosen, duke e trajtuar shtetin si mjet për shpërblim partiak.

Ndërkohë, edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur qëndrimin e tij kritik, duke i cilësuar emërimet si të panevojshme dhe të pahijshme në këtë fazë.

“Me ligj nuk e di që është keq, por është e pahijshme dhe e panevojshme. Janë vetëm rreth 40 ditë deri në zgjedhje dhe këto veprime nuk duken mirë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se në këtë periudhë, Qeveria duhet të fokusohet në përmbushjen e detyrave ekzistuese dhe jo në emërime të reja.

Kosova do të mbajë zgjedhje të reja parlamentare më 7 qershor. Është herë e pestë në 16 muaj që qytetarët do të dalin të votojnë, nëse llogariten edhe dy rundet e zgjedhjeve lokale.