Arbëri

Në tre muajt e parë të vitit, 66 raste nga helmimi prej ushqimit

Gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë evidentuar 66 raste të helmimeve në ushqim, e që sipas njohësve, kjo është pasojë e mungesës së inspektimeve dhe moszbatimit të standardeve për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se po përballen me mungesë të inspektorëve dhe kapaciteteve për kontroll

1 mijë e 102 raste janë regjistruar si helmime nga ushqimi gjatë vitit që shkoi në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

E sipas të dhënave të këtij Instituti, gjatë periudhës janar-mars 2025 janë evidentuar 66 raste të tjera.

Nutricistja Urata Rexhepi, vlerëson se këto raste janë pasojë e konsumimit të pasigurt dhe të pakontrolluar të ushqimit.

“Nëse ne nuk kujdesemi se çfarë hamë dhe konsumojmë ushqime që nuk janë të sigurta, ato mund të shfaqin edhe probleme të tjera shëndetësore. Përveç këtyre rreziqeve për helmime ushqimore, mund të shfaqen edhe alergji të ndryshme, mungesa e mineraleve dhe vitaminave, e që janë shumë të nevojshme për një funksionim normal të trupit”, ka thënë Rexhepi.

Ekspertë të standardeve për sigurinë ushqimore thonë se kontrolli i produkteve ushqimore dhe zbatimi i standardeve për një treg të sigurt nuk duhet të trajtohen si procedura formale.

Ekspertja e këtij lëmi, Zana Sahiti vlerëson se në Kosovë problemi parësor vazhdon ta jetë mungesa e inspektimeve.

“Siguria e ushqimit në Kosovë përballet me sfida të shumta, duke filluar nga mungesa e inspektorëve, po ashtu edhe infrastruktura laboratorike e kufizuar. Përveç këtyre shpeshherë mungon edhe koordinimi ndërinstitucional. Mirëpo në përgjithësi ne kemi bazën ligjore dhe profesionistë të përkushtuar, por që duhet rritur kapaciteti i inspektimeve”, ka thënë Sahiti.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, thotë se ky institucion ka vite që është duke kërkuar rritjen e numrit të inspektorëve, teksa shton që të gjithë zyrtarët detyrohen që të punojnë edhe jashtë orarit, në mënyrë që të realizojnë më shumë inspektimeve në treg.

Sipas tij ende nuk është angazhuar asnjë inspektor i sigurisë ushqimore.

“Me ligjin e ri të ushqimit është paraparë të krijohet edhe një trupë e re inspektuese e cila do të quhet inspektor i sigurisë ushqimore. Në të cilin sektor nuk është angazhuar ende asnjë inspektor. Jemi në pritje të marrjes se provimit për rekrutim. Inspektorët përveç ushtrimit të kontrolleve në terren, një pjesë të ditës e ndajnë edhe për punët administrative dhe lëshimit të dokumenteve për operator ekonomik, ku përfshihen edhe certifikatat shëndetësore dhe të kualitetit për produktet qe eksportohen nga Kosova. Rritja e numrit të inspektorëve menjëherë e rrit numrin e kontrolleve zyrtare”, ka thënë Thaçi.

Në AUV gjatë vitit që shkoi janë kryer mbi 70 mijë inspektime dhe kontrolle në kufij, ndërsa nga janari e deri në prill të 2025-s janë realizuar afro 19 mijë të tilla.

107 raste janë iniciuar në gjykatë për shkak të shkeljes së ligjit, të cilat janë evidentuar gjatë inspektimeve nga kjo agjenci.

Ditë më parë, AUV-i njoftoi edhe për ndërprerjen e importit të mishit të bardhë nga Brazili pas shpërthimit të gripit të shpendëve në këtë shtet.