Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në 1,035 shkolla ka veç 107 pedagogë e 192 psikologë

Shkolla

Foto: Driton Paçarada

Bazuar në parashikimet e Ministrisë së Arsimit për 1.035 shkollat në vend, mungojnë edhe 221 pedagogë e psikologë. Rolin e tyre shpesh e kryejnë ata që nuk janë të thirrur ta ushtrojnë këtë profesion. Sipas psikologëve, mungesa e pedagogut në shkolla lë pasoja te fëmijët. E pedagogë ka gjithnjë e më pak. UP-ja tash e dy vjet nuk ofron program të pedagogjisë në nivelin bachelor

Një koordinator i cilësisë dhe një mësuese mbështetëse për nxënësit me nevoja të veçanta ushtrojnë edhe rolin e pedagogut në shkollën e mesme “Ahmet Gashi” në Prishtinë.

Drejtori i këtij gjimnazi, Haxhi Metaj, thotë se, pavarësisht nevojës për angazhimin e pedagogëve, kjo shkollë asnjëherë nuk ka pasur të tillë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në vend të pedagogut është një mësuese mbështetëse për shkak se ne kemi nxënës me nevoja të veçanta. Si rezultat i kësaj, ajo e mbulon. Pedagogu është shumë i rëndësishëm për shkak se e luan rolin e koordinatorit të shkollës, koordinatorit të cilësisë. Është dashur të gjitha shkollat të kenë pedagog e ne në vend të pedagogut është dashur ta marrim një mësimdhënës që i ka 10 orë mësim edhe e luan rolin e koordinatorit të cilësisë”, ka thënë drejtori Metaj.

Por psikologu Rron Kastrati ka theksuar se asnjë profesion tjetër nuk mund ta zëvendësojë rolin e pedagogut në shkolla.

“Jo asnjë rol tjetër nuk zëvendësohet. Ndonjëherë ndoshta i zëvendësojmë, por secili rol ka në veçanti rolin specifik apo rolin funksional, adekuat, profesional dhe kualifikimi që shkon në harmoni të plotë me shërbimet që i ofron”, ka thënë Kastrati. “Pedagogu pra ofron edukim dhe disiplinë, psikologu përkujdeset për shëndetin mendor dhe emocional të nxënësve”.

Zëvendësimet e tilla ndodhin shpesh, pasi në 1,035 shkolla në nivel Kosovë janë të angazhuar vetëm 107 pedagogë dhe 192 psikologë, nga gjithsej 520 pozita të parashikuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Sipas këtij dikasteri, është kompetencë e komunave t’i plotësojnë këto pozita.

“Aktualisht në komuna janë të angazhuar rreth 107 pedagogë dhe 192 psikologë, nga gjithsej 520 pozita të parapara sipas formulës së financimit të MASH-it. Rikujtojmë se plotësimi i këtyre pozitave varet nga komunat, të cilat kanë kompetencë për procesin e punësimit”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë.

E psikologu Kastrati është shprehur se mungesa e pedagogut në shkolla shkakton pasoja të shumta.

“Në qoftë se nuk ka ndonjë pedagog ose psikolog në shkolla, asnjëri pa njërin nuk bën, as shkolla nuk mund të funksionojë dhe ta ruaj drejtpeshimin e saj normal në funksionimin e shëndetshëm si institucion. Jo vetëm në ofrimin e mësimdhënies, por edhe në ruajtjen e kësaj performance, edhe në rritjen e kapaciteteve arsimore, sepse nuk mund të ofrosh arsim, nëse nuk ofron mbështetje psikologjike. Nuk mund të ofrosh arsim të mirëfilltë, nëse nuk ofron edukim dhe disiplinë. Nuk mund të ofrosh shkollim në qoftë së nuk vlerëson në detaje gjendjen socio-emocionale dhe psikologjike të nxënësit”, ka thënë psikologu Kastrati.

E, Xhavit Rexhaj, njohës i çështjeve të arsimit, ka shprehur nevojën që për rritjen e cilësisë në arsim të themelohet edhe Enti Pedagogjik.

“Ka një mungesë për sigurimin e cilësisë, ka një mungesë të përkrahjes pedagogjike të mësimdhënësve. Ne një përkrahje të tillë më herët e kemi pasur në formë të Entit Pedagogjik para luftës, por pas luftës u hoq. Pedagogu duhet t’i bëjë pedagog të gjithë mësimdhënësit, përkrahja pedagogjike duhet ta avancojë mësimdhënien e mandej mësimdhënësit të punojnë mirë më nxënësit”, ka thënë Rexhaj.

Teksa shkollat vuajnë mungesën e pedagogëve, Universiteti i Prishtinës nxjerr gjithnjë e më pak kuadro të tilla.

Dekani i Fakultetit të Edukimit në UP, Blerim Saqipi, ka thënë se programi i pedagogjisë në nivelin bachelor nuk ofrohet tash e dy vjet.

“Së pari, ka pasur një rënie të interesimit për këtë drejtim, ndikuar ndjeshëm nga mungesa e perspektivës së qartë të punësimit për profilin e pedagogut në tregun e punës në Kosovë. Kjo ka bërë që edhe vetë fakulteti të rishikojë ofertën e programeve në përputhje me kërkesën reale dhe mundësitë e punësimit të të diplomuarve”, ka thënë dekani Saqipi. “Së dyti, në kuadër të reformave në Fakultetin e Edukimit për rishikimin të relevancës së ofertës programore, është ndjekur një qasje tjetër: përgatitja bazë bëhet në programe bachelor për mësuesi (edukim fillor, parashkollor, etj.), dhe pastaj specializimi në fushën e pedagogjisë përmes programit MA Këshillimi Pedagogjik”.

Gjenerata e fundit e studentëve të pedagogjisë është pranuar më 2023.