Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

4 milionë mungesa të nxënësve për një gjysmëvjetor, ekspertët ftojnë MASHTI-n të veprojë

Mashti

Ministria e Arsimit duhet të ndërmarrë masa konkrete, përfshirë edhe digjitalizimin e arsimit, për të ulur numrin e madh të mungesave të nxënësve në shkolla. Të dhënat e fundit të kësaj ministrie që tregojnë për rreth katër milionë mungesa të regjistruara vetëm gjatë një gjysmëvjetori të parë po konsiderohen alarmante nga ekspertët e arsimit

Ekspertë të fushës së arsimit dhe anëtarë të Këshillit të Prindërve të nxënësve i kanë vlerësuar shqetësuese shifrat që ka publikuar Ministrisë së Arsimit rreth numrit të mungesave të nxënësve.    
Sipas të dhënave të kësaj ministrie nga rreth 280 mijë nxënës sa janë në nivel vendi, janë grumbulluar gati katër milionë mungesa në shkollat e Kosovës vetëm në gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor 2025/2026.

Prej tyre, rreth një milion janë pa arsye.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas këtyre të dhënave i bie mesatarisht çdo nxënës ka rreth 13 mungesa.

Ministria e Arsimit në një përgjigje për KOHËN ka njoftuar se vetëm në nivelin fillor dhe të mesëm të ulët janë mbi 2 milionë mungesa.

“Sipas të dhënave të raportuara, në nivelin fillor dhe të mesëm të ulët (klasat 1–9) janë evidentuar 2,125,863 mungesa të arsyeshme dhe 568,579 mungesa të paarsyeshme. Në nivelin e mesëm të lartë (klasat 10–13), janë evidentuar 705,421 mungesa të arsyeshme dhe 397,686 mungesa të paarsyeshme. Në total, për të dy nivelet e arsimit, numri i mungesave të evidentuara për këtë periudhë është 3,797,549, prej të cilave 2,831,284 mungesa të arsyeshme dhe 966,265 mungesa të paarsyeshme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

Në Këshillin e Prindërve të Komunës së Prishtinës këtë gjendje e kanë vlerësuar tejet shqetësuese.
Sipas anëtarëve të këtij këshilli, do të intensifikohet komunikimi me prindërit dhe institucionet përkatëse.

“Ne, si KP e Komunës së Prishtinës, do të intensifikojmë komunikimin me përfaqësuesit e prindërve për të rritur ndërgjegjësimin mbi pasojat e mungesave, sidomos atyre të paarsyeshme. Do të bashkëpunojmë me DKA-në për të identifikuar rastet problematike dhe të propozojmë masa konkrete parandaluese nga ana jonë”, ka thënë Mejreme Ymeri, nënkryetare e Këshillit të Prindërve të Komunës së Prishtinës.

Eksperti i fushës së arsimit, Jonuz Salihaj, numrin e madh të mungesave e ka konsideruar alarmant.

“Nuk ka rëndësi nëse janë të arsyeshme apo të paarsyeshme, janë orë të humbura që nuk kompensohen asnjëherë. Sipas rregulloreve në fuqi, me 32 mungesa të paarsyeshme nxënësi përjashtohet nga shkolla, pasi shkolla e mesme e lartë nuk është obligative”, ka deklaruar Salihaj.
Sipas Salihajt, duhet të rritet atraktiviteti i mësimdhënies. Po ashtu ka thënë se politikat aktuale të sistemit arsimor nuk janë të mjaftueshme.

E Agon Ahmeti nga ETEA, organizatë që merret me përmirësimin e aftësive dhe kulturën e leximit si dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit parauniversitar në Kosovë, ka thënë se këto mungesa tregojnë për rrezikun për braktisje të shkollës.

“Ka arsye të besohet se ky numër është edhe më i lartë në realitet, pasi mungesat shpesh nuk evidentohen në mënyrë të plotë nga mësimdhënësit, veçanërisht në fund të semestrit apo vitit shkollor. Kjo e bën problemin jo vetëm të madh, por edhe pjesërisht të padukshëm në statistikat zyrtare. Për më tepër, mungesat e shumta janë një sinjal i qartë për rrezik të braktisjes së shkollës”, ka thënë ai. 

Ai ka rekomanduar të merren masa konkrete, përfshirë edhe digjitalizimin e arsimit.

“Duhet një kombinim masash: monitorim më rigoroz dhe në kohë reale, reagim i hershëm ndaj mungesave të përsëritura, përfshirje më aktive e prindërve dhe një mjedis mësimor më i angazhuar për nxënësit. Po ashtu, institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi konkrete për mosveprim, sepse mungesa e reagimit shpesh e përforcon problemin. Krahas kësaj, është momenti i fundit që të përshpejtohet digjitalizimi i arsimit. Mungesat duhet të evidentohen në sisteme digjitale funksionale, ku prindi informohet në kohë reale nëse fëmija i tij ose i saj mungon në orë mësimore”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, kjo mënyrë rrit transparencën dhe krijon mekanizma më të fortë reagimi dhe përgjegjësie në shkolla.

Nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë kanë njoftuar se për këtë çështje kanë nisur aksion në shkollat fillore e të mesme të kryeqytetit për evidentimin e mungesave të nxënësve dhe masave që po merren nga shkollat.

Ministria e Arsimit nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Kohës lidhur për hapat që do t’i ndërmarrin.