Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kosova ngel sërish në testin PISA

nxenes

Kosova ka ngelur edhe në rezultatet e testit PISA 2025. Nxënësit 15-vjeçarë vazhdojnë të kenë rezultate dukshëm nën mesataren e vendeve që janë përfshirë në këtë test ndërkombëtar në matematikë, lexim dhe shkencë. Madje, në matematikë dhe lexim është shënuar rënie krahasuar me vitin 2022. Raporti nxjerr në pah edhe mungesën e nxënësve me performancë të lartë dhe probleme të tjera që lidhen me procesin mësimor dhe mjedisin shkollor

Kosova ka shënuar regres në rezultatet e testit PISA 2025 në matematikë, ndërsa performanca e nxënësve 15-vjeçarë ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2022 në shkencë dhe lexim.

Nga 6632 nxënës 15-vjeçarë, të cilët u testuan në lexim, matematikë dhe shkencë, sipas raportit, pothuajse asnjë nxënës nuk tregoi performancë të nivelit të lartë.

Kosova në PISA 2025 renditet e 8-a nga fundi, me 357 pikë në shkencë, njëjtë sikurse në vitin 2022. Në lexim, 340 pikë, dy më pak se në vitin 2022. Dhe në matematikë, 351 pikë, katër më pak se në vitin 2022.

Në këto fusha të testimit, Kosova ka mbi 120 pikë më pak sesa mesatarja e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, që është 482.

PISA 2025 përfshiu edhe një vlerësim të ri të zgjidhjes së problemeve në mënyrë kompjuterike, ku Kosova mori 359 pikë, e që mesatarja është 500.

“Pothuajse asnjë nxënës në Kosovë nuk ishte performues i nivelit të lartë në matematikë, që do të thotë se kishte arritur nivelin 5 ose 6 në testin e matematikës PISA (mesatarja e OECD-së: 8%)”, thuhet në raportin e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik – Raporti PISA 2025.

PISA 2025 ka testuar edhe qëndrimet e nxënësve ndaj shkollës dhe të nxënit në Kosovë. 21% e tyre pajtohen plotësisht se shkolla ka qenë humbje kohe.

Në raport u trajtua edhe ngacmimi dhe ngacmimi kibernetik, ku në Kosovë 24% e nxënësve raportuan se ishin viktimë e të paktën një forme të ngacmimit disa herë në muaj.

Raporti flet edhe për disa problemet që kanë institucionet arsimore në Kosovë.

“Të dhënat e PISA 2025 tregojnë se mungesa e perceptuar e burimeve materiale mbetet shqetësim në shumicën e vendeve dhe ekonomive. Rreth 60% e nxënësve në Kosovë ndiqnin mësimin në shkolla, drejtuesit e të cilave raportuan se mungesa e materialeve arsimore – si tekstet shkollore, pajisjet e teknologjisë informative, materialet e bibliotekës ose laboratorit – pengonte procesin mësimor, të paktën deri në një masë. Ndërkaq, 33% e nxënësve ishin në shkolla ku mungesa e infrastrukturës fizike – si ndërtesat, hapësirat shkollore, sistemet e ngrohjes/ftohjes, ndriçimi dhe sistemet akustike – perceptohej si pengesë për mësimin. Në vitin 2022, këto përqindje ishin përkatësisht 70% dhe 53%”, thuhet në raportin e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik – Raporti PISA 2025.

Në raport theksohet rënie e ndjeshme në pothuajse të gjitha vendet pjesëmarrëse, përfshirë edhe Kosovën, ku për vitin 2025, 64% e nxënësve raportuan se prindërit ose kujdestarët i pyesin të paktën një herë në javë se çfarë kanë bërë në shkollë. Kjo përqindje në vitin 2022 ishte 74%.

Nga njohësit e fushës së arsimit është bërë thirrje për veprime urgjente nga institucionet.

“Realisht mendoj që kjo duhet me qenë alarmi i fundit. Ministria e Arsimit, akterët e arsimit, të ulen dhe ta trajtojnë seriozisht këtë situatë dhe t’i adresojnë problemet reale që ka arsimi. Është urgjencë kombëtare kjo çështje, sepse jemi duke shkuar drejt analfabetizmit total”, ka thënë Agon Ahmeti, drejtor në organizatën ETEA.

E njohësi tjetër i arsimit, Ismet Potera, nuk ka pritur ndonjë rezultat të madh, por as rënie krahasuar me vitin 2022.

“Është e dhimbshme, po tregojnë që nuk jemi shumë seriozë. Nuk kam pritur që do të ketë ndonjë rezultat, por nuk e kam mendu që do të ketë rënie. Jemi i vetmi vend në Evropë që nuk mësojmë nga pësimet dhe nuk ndërmarrim diçka. Gjithmonë tri ditë pas rezultateve i kemi komentuar, por aty ka përfunduar gjithçka. Sepse testi PISA po na tregon ku jemi. Atëherë ne duhet të gjejmë rrugën të dalim nga kjo gjendje”, ka thënë ai.

Në PISA 2025 janë testuar më shumë se 750 mijë nxënës nga 91 vende të botës. Kina renditet e para me më së shumti pikë, e pas saj Singapori dhe në vendin e tretë Japonia.

Opozita e akuzon Qeverinë për rezultatet e dobëta

Pas publikimit të rezultateve të testit PISA 2025, ku Kosova prapë renditet ndër vendet me performancën më të ulët, Ministria e Arsimit ka thënë se do të bëjë analizë të rezultateve.

Raportin, ku asnjë nxënës nuk ka treguar performancë të lartë, me pikë maksimale, Ministria e Arsimit e quan referencë për ndërhyrje.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës do t’i analizojë të gjitha gjetjet, rezultatet dhe të dhënat e dala nga PISA 2025. Raporti do të shërbejë si referencë qendrore për ndërhyrjet dhe përmirësimet sistematike, metodologjike dhe pedagogjike, të cilat do të reflektohen në Strategjinë e re të Arsimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Deputetë të partive opozitare ia kanë vënë fajin Qeverisë për rezultatin e testit PISA i cili tregoi se performanca e nxënësve ka mbetur pothuajse e njëjtë me vitin 2022 e në disa lëndë edhe më keq.

Ata kanë akuzuar se në Kosovë po fundoset sistemi arsimor.

Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka thënë se rezultatet janë alarmante.

“Kjo gjendje duhet të na alarmojë si shoqëri dhe të na shtyjë të veprojmë menjëherë. Ministria duhet të dalë me masa konkrete, afate dhe përgjegjësi të qarta, duke punuar me komunat, mësimdhënësit dhe prindërit për të sjellë përmirësim real në çdo klasë”, ka thënë ajo.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka thënë se këto rezultate tregojnë se vendi ka arsimin më të dobët në botë.

Ai ka akuzuar se vetë qeveritarët po i shkollojnë fëmijët nëpër shkolla të njohura në Evropë, ndërkaq në Kosovë sistemi arsimor po fundoset.

“Të dashtun, mbi 1 miliard euro i ka menaxhu kjo Ministri gjatë këtyre viteve. Mbi 1 miliard euro. Mos u boni krejt banalë tash me ia lanë fajin familjes e shoqërisë për dështimin e sistemit arsimor. Pushteti nuk është veç për me i marrë meritat. Pushteti është, para së gjithash, me e marrë përgjegjësinë. Shkarkim. Dorëheqje. Përgjegjësi”, ka thënë Sadiku.

Testimi PISA 2025 në Kosovë është mbajtur nga 10 deri më 30 maj 2025, ndërsa rezultatet zyrtare janë publikuar më 8 shtator 2026.

Rënie globale në lexim

Aftësia e 15-vjeçarëve për të lexuar, kuptuar dhe analizuar një tekst ka pësuar rënie të ndjeshme në vitet e fundit.

Të dhënat e testit PISA 2025 tregojnë se në vendet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, rezultati mesatar në lexim ka rënë për 25 pikë që nga viti 2018.

Vetëm nga viti 2022 deri më 2025, rënia është 14 pikë.

Nga 74 vendet dhe ekonomitë për të cilat OECD ka të dhëna të krahasueshme për periudhën 2018–2025, në 56 prej tyre është regjistruar rënie domethënëse në lexim.

Rezultatet tregojnë se vështirësitë e nxënësve nuk lidhen vetëm me leximin e një teksti, por edhe me aftësinë për ta kuptuar dhe analizuar atë.

Drejtori i organizatës ETEA, Agon Ahmeti, thotë se lexueshmëria, kultura e leximit dhe shkathtësitë e leximit janë probleme globale.

“E kemi një situatë shqetësuese nëse e marrim Kosovën, por që nëse e marrim në krahasim me nivelin global lexueshmëria, kultura e leximit e pastaj edhe shkathtësitë e leximit që lidhen me atë që kupton gjatë leximit janë probleme globale. P.sh. një studimin UNICEF për 10 vjetarët i bërë 4 ose 5 vjet më herët nxjerr që dy të tretat e 10-vjeçarëve në nivel global nuk arrijnë me kuptu një tekst të thjesht, nuk kanë shkathtësi bazike të leximit”, ka thënë Ahmeti.

Por ai ka thënë se në Kosovë situata është edhe më shqetësuese, pasi 85 për qind e nxënësve nuk arrijnë ta kuptojnë një tekst të thjeshtë, që i bie se tetë nga dhjetë nxënës nuk kanë aftësi bazike të leximit.

E për këtë, sipas tij, ndikojnë disa faktorë.

“E para ka të bëjë me mënyrën se si interpretohet dhe plasohet rëndësia e leximit në shkolla nga ana e mësimdhënësve. E dyta ka të bëjë me modelimin që e ofron prindi për fëmijën, kemi në një studim të ETEA mbi 45 përqind të nxënësve që kanë thënë se nuk e kujtojnë herën e fundit kur i kanë parë prindërit me libër në dorë. Pastaj kemi mënyrën ose përmbajtjen e tekstit sidomos teksteve letrare që janë lekturat shkollore të cilat mbi bazën e studimeve kanë goxha shumë probleme sidomos në rëndesën e gjuhës pastaj në përmbajtje”, ka thënë ai.

Sipas rezultatit të testit PISA, 46 për qind e nxënësve e përdorin inteligjencën artificiale për ndihme në detyra.

E OECD-ja ka njoftuar se po përgatitet ta vendosë leximin në qendër të PISA 2029, ku vëmendje e madhe do t’i kushtohet lëndës “media dhe Inteligjenca Artificiale”.

Në Kosovë, Ahmeti ka thënë se nuk ka asnjë doracak që tregon se cila është mënyra e duhur dhe e përgjegjshme edhe etike e përdorimit të inteligjencës artificiale.

“Fatkeqësisht Kosova nuk e ka e as nuk ka nis me mendu në drejtim të hartimit të një rregullative të paktën publikimin e një doracaku se cila është mënyra e duhur dhe e përgjegjshme edhe etike e përdorimit të inteligjencës artificiale që kjo pastaj të shmang varësinë, bartjen e mendimit në teknologji e këto me radhë sepse këto janë sfida me të cilat po përballet bota por kur flasim për mënyrën e përdorimit ajo mbetet shqetësuese, sepse nxënësit po e përdorin në mënyrë vetanake, vetvetiu ashtu siç ata mendojnë se është mënyra më e mirë e ne e dimë që natyra njerëzore është e prirë me arrit një qëllim në rrugën më të lehtë të mundshme”, ka thënë ai.

PISA 2025 shënon ciklin e nëntë të vlerësimit që nga nisja e tij në vitin 2000. Në këtë raund të fundit, mbi 760.000 nxënës përfunduan vlerësimin, duke përfaqësuar rreth 33 milionë 15-vjeçarë në 91 vende.