Një ditë para skadimit të afatit për përfundimin e hetimeve në rastin e pagesës shtesë prej 53 milionë eurosh për konserciumin “Bechtel Enka”, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë. I akuzuar në këtë aferë është ish-ministri Pal Lekaj e ish-shefi i kabinetit të tij, Eset Berisha. Pjesë e aktakuzës është dhe Nebih Shatri, zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës, por, siç kanë thënë burimet e KOHËS, ai nuk është akuzuar për pagesën, por për një tender për zgjerimin e autostradës
Afera e pagesës së 53 milionë eurove shtesë në emër të vonesave, për konserciumun “Bechtel-Enka”, që ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”, ka shkuar në gjykatë.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministri Pal Lekaj e shefit të kabinetit të tij, Eset Berisha.
Siç ka mësuar KOHA, Lekaj e Berisha po akuzohen që kanë fshehur raportin e kompanisë “Hill” e që kishte arsyetuar se borxhi prej 53 milionë eurosh ishte joreal dhe së Qeveria do të duhej të paguante 39 milionë euro më pak sesa i kërkoheshin.
Në njoftimin për media nuk jepen detaje për aktakuzën e ngritur.
Sipas njoftimit, në cilësinë e të akuzuarit është edhe Nebih Shatri, por televizioni ka mësuar që ai nuk akuzohet drejtpërdrejt për pagesën prej 53 milionë eurove, por për një kontratë për zgjerim të rrugës në autostradën “Arbën Xhaferi” e që në kohën e këtij tenderi ai është person përgjegjës në Ministrinë e Infrastrukturës.
Prokuroria Speciale këtë aktakuzë e ka ngritur një ditë para përfundimit të afatit ligjor që ka pasur në dispozicion.
KOHA më shumë se dy vjet me parë pati siguruar një raport të kompanisë “Hill” , e cila ishte e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për mbikëqyrjen e ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferi”.
Qeveria e Kosovës kishte themeluar komitet ndërministror për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Anëtarët e këtij komiteti nuk ishin në dijeni të këtij raporti e asokohe Ministria e Infrastrukturës pati reaguar kundër raportimit duke e mohuar ekzistencën e raportit. KOHA e posedon ende një kopje të raportit ku shkruhet edhe data e dorëzimit në këtë ministri.
Ky raport nuk kishte shkuar zyrtarisht në Qeveri, por ishte ndalur në Ministrinë e Infrastrukturës e në mungesë të tij ishte aprovuar pagesa prej 53 milionë eurosh.