Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aktgjykimi për “53-milionëshin”: Lekaj nënshkroi marrëveshje të kundërligjshme

Pal Lekaj

Pozita e tij e lartë zyrtare si ministër i Infrastrukturës, niveli i arsimimit dhe përgatitja profesionale janë disa nga arsyet që Gjykata i ka listuar si rrethana rënduese ndaj Pal Lekajt, për ta dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e 53-milionëshit.

Themelorja ka publikuar aktgjykimin e plotë për këtë rast, e në të cilin thuhet se Lekaj, duke qenë në dijeni për kompetencat dhe përgjegjësitë e tij ligjore, ka nënshkruar marrëveshjen në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, si dhe në kundërshtim me dokumente të tjera, përfshirë edhe kushtet e kontratës bazë për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

“Gjykata e ka vlerësuar si rrethanë rënduese edhe faktin se i pandehuri e ka injoruar opinionin e kompanisë mbikëqyrëse ‘Hill International’, sipas të cilit shuma e lejuar për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve ishte 14,778,654.87 euro, ndërsa ka ndërmarrë veprime që kanë mundësuar pranimin e kërkesës së operatorit ekonomik ‘Bechtel & Enka’ në shumën prej 53,100,000.00 euro, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykim.

Lekaj është dënuar në shkallë të parë me 3 vjet e 8 muaj burgim, shkaku i rolit të tij për t’ia mundësuar kompanisë “Bechtel & Enka” t’i marrë 53 milionë euro, përtej kontratës.

Gjykata e ka dënuar edhe ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrin, me 1 vit e 8 muaj burgim. Në aktgjykim thuhet se ai ishte në dijeni për kompetencat dhe autorizimet ligjore.

“I pandehuri, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm, kishte përgjegjësi të veçantë për këshillimin e ministrit dhe për sigurimin e zbatimit të ligjshëm, efikas dhe efektiv të kontratave të ministrisë. Përkundër këtyre përgjegjësive, ai ka ndërmarrë veprime në tejkalim të autorizimeve zyrtare, me dashje dhe në kundërshtim me detyrimet që buronin nga pozita e tij”, thuhet në aktgjykim.

Fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare është shpallur edhe ish-këshilltari politik i Lekajt, Eset Berisha. Ai është dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim. 

Në aktgjykim theksohet se Berisha ka ofruar ndihmë konkrete për Lekajn, duke marrë pjesë në negociatat me “Bechtel & Enka”-n, në dakordimin për kompensimin financiar shtesë dhe në ndërhyrjen për ndryshimin e opinionit ligjor të Ministrisë së Infrastrukturës. 

E për ish-drejtorin e Prokurimit Publik, Besim Tahiri, Gjykata ka shqiptuar 1 vit e 8 muaj burgim. Në dokument thuhet se, përmes nënshkrimit të marrëveshjes pa përcaktuar koston financiare, ishte krijuar mundësia për kërkesën shtesë për milionat që i janë dhënë kompanisë.

Përveç burgimit, të katërve u është shqiptuar edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën apo shërbimet publike pas mbajtjes së dënimit. 

Në vitin 2018, Qeveria pati ndarë 53 milionë euro shtesë për konsorciumin “Bechtel&Enka” për punimet në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, me arsyetimin e mosekzekutimit me kohë të pagesave. 

Autostrada prej 55 kilometrash i ka kushtuar buxhetit 600 milionë euro dhe është inauguruar në vitin 2019.