Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kundërshtohet nisma që Instituti Albanologjik dhe ai i Historisë të integrohen në UP

Objekti i Institutit Albanologjik

Objekti i Institutit Albanologjik

Qeveria ka hartuar një dokument, i cili përcakton që Instituti Albanologjik dhe ai i Historisë të kalojnë nën ombrellën e Universitetit të Prishtinës. Drejtuesit e këtyre instituteve kanë thënë të mos jenë në dijeni për nismën, por kanë theksuar se nëse ajo jetësohet, do t’ua cenonte autonominë. Ekzekutivi ka paraparë t’ua ndërrojë statusin edhe shumë agjencive, në kuadër të procesit të racionalizimit të tyre

Qeveria e ka finalizuar programin për racionalizimin e agjencive, me të cilin parasheh që një numër sish të hyjnë nën kupolën e institucioneve të tjera.

Dokumenti ka prekur disa institucione arsimore e shkencore.

Bazuar në të, Instituti Albanologjik e edhe ai i Historisë, duhet të veprojnë në kuadër të Universitetit të Prishtinës.

“Propozimi i miratuar në grupin punues dhe i dakorduar me Ministrinë është që Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” të integrohen në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, si institute kërkimore-shkencore në nivel qendror të Universitetit”, thuhet në Programin për Racionalizimin e Agjencive.

Drejtoresha e Institutit të Historisë, Teuta Shala, si dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, Fadil Grajçevci, kanë thënë të mos jenë në dijeni për këtë zhvillim. 

Shala nuk e ka komentuar ndryshimin e statusit që do ta ketë instituti, ndërkaq Grajçevci ka thënë se kjo do ta cenonte autonominë e Institutit dhe do të dëmtojë kulturën dhe shkencat albanologjike. 

“Për mua një “racionalizim” i tillë, që e cenon rëndë autonominë e Institutit, të mbrojtur me shumë sakrifica në vitet më të vështira të Kosovës, nën sundimin e Serbisë millosheviqiane, është i papranueshëm. Me një veprim të tillë kjo qeveri, nëse vërtet do t’i hyjë kësaj aventure, do t’i bëjë dëm të madh kulturës sonë dhe shkencave albanologjike në veçanti”, ka thënë Grajçevci. 

Programi për racionalizimin e agjencive parasheh që në kuadër të UP-së të përfshihet edhe Qendra e Studentëve, si njësi e veçantë përgjegjëse për akomodimin, ushqimin dhe shërbimet e tjera studentore.

Drejtori i Qendrës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë përcaktim të Qeverisë.

Ndryshe nga këto institucione, për Institutin Pedagogjik është planifikuar të bëhet pjesë e një strukture të re.

“Propozimi i dakorduar me Ministrinë është që të themelohet Qendra Kombëtare për Zhvillimin e Arsimit si agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ligji për arsimin parauniversitar parasheh Agjencinë për Kurrikulum, Standarde dhe Vlerësim, e cila nuk është themeluar asnjëherë; përmes ligjit për racionalizim kjo agjenci themelohet dhe emërtohet Qendra Kombëtare për Zhvillimin e Arsimit. Instituti Pedagogjik i Kosovës integrohet në Qendër si njësi për analiza dhe hulumtime, duke garantuar ruajtjen e titujve shkencorë të personelit”, thuhet në Programin për Racionalizimin e Agjencive.

Ndryshim tjetër parashihet për Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve. Ky institucion nuk do të funksionojë më me administratë të veçantë, pasi funksionet e tij do të integrohen në kuadër të Agjencisë për Akreditim.