Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Masat e sigurisë për vizitën e Krasniqit vlerësohen demonstrim i panevojshëm i forcës

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi ka përfunduar vizitën katër-ditore në shtëpinë e tij në Prishtinë. Atë mundën ta takojnë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes. Në mesditën e së shtunës, Krasniqi ka lënë shtëpinë dhe është përcjellë për në Hagë. E, juristët vlerësuan se masat e mëdha të sigurisë që u panë gjatë vizitës së Krasniqit, përbëjnë demonstrim të panevojshëm force. Sipas tyre, protokolli i zbatuar i sigurisë lë vend për shqetësim

Të shtunën në mesditë, ka përfunduar vizita katërditore e Jakup Krasniqit në Kosovë, që Gjykata Speciale ia ka lejuar për arsye të forta humanitare. 

E në orët e pasdites të së shtunës, ai ka udhëtuar drejt Hagës, ku ndodhet në paraburgim prej më shumë se gjashtë vjetësh.

Ish-zëdhënësit të UÇK-së, që bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin është dënuar nga shkalla e Gjykatës Speciale, i është lejuar vizita shkaku i gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.

Në tri ditët e tjera, Krasniqi e ka lënë shtëpinë me të rënë terri dhe është përcjellë në zyrat e EULEX-it për ta bërë natën. E, të shtunën, me eskortë është përcjellë deri në aeroport, para se të fluturonte për në Hagë.

Ai është përshëndetur vetëm me anëtarë të ngushtë të familjes – fëmijët, nipërit e mbesat.

Pas vizitës, djali i Krasniqit ka shpërndarë në rrjete sociale fotografinë e nënës dhe ka shprehur falënderim për solidarizimin e treguar nga qytetarët.

:Në emër të familjes, shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tonë për secilin prej jush që, në këto momente të vështira për familjen tonë, u solidarizuat me ne dhe na dhatë forcë”, ka shkruar Altin Krasniqi.

E, nga dita e parë, luftë për ta parë ka bërë i vëllai, që ka shtëpinë përballë.

“Vajza e tij me tha mu na ndalin vizitën, jo i thashë unë nuk po dua me prish”, pati thënë Daut Krasniqi, në ditën e parë të vizitës së Jakup Krasniqit, më 18 nëntor.

Rreth shtëpisë, ai është sjellë edhe në ditët tjera.

“Me qesi forca që mos me mujt me u taku as me vllazen as me kërkon qeta s’e kemi pritë”, ka thënë ai më 20 nëntor.

Daut Krasniqi të shtunën ka arritur ta përshëndesë të vëllanë vetëm nga ballkoni i shtëpisë.

Kjo situatë ka nxitur pakënaqësi të mëdha në opinion. Këtë e ka shprehur edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

“Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë situatë është fakti që atij nuk po i lejohet as liria më elementare njerëzore, të takojë lirisht familjen e tij, madje as vëllezërit e tij”, ka thënë Gucati.

E, juristët kanë vlerësuar se masat e mëdha të sigurisë që u panë gjatë vizitës së Krasniqit, përbëjnë demonstrim të panevojshëm fuqie. Sipas tyre, protokolli i zbatuar i sigurisë lë vend për shqetësim.

Edhe Jakup Krasniqi lë shtëpinë për së fundmi herë në vizitën 4-ditore në familje Arbëri Jakup Krasniqi lë shtëpinë për së fundmi herë në vizitën 4-ditore në familje

Policia e Kosovës pati rol dytësor, ndërkaq secilën ditë që Krasniqi u dërgua në shtëpi dhe u nxor nga ajo, u shoqërua nga eskorta që përbëhej prej automjeteve të EULEX-it e edhe ndihmës së shpejtë. E, për perimetrin rreth shtëpisë së tij u angazhuan edhe njësi të specializuara.

Avokati Valdet Hoxha thotë se kjo forcë është e panevojshme.

“Si pamje e dhimbshme, si procedurë e panevojshme, e ekzagjeruar, një demonstrim i një fuqie të panevojshme, jo të domosdoshme sepse vizita e një të paraburgosuri te familjari i tij për arsye shëndetësore është gjeja më bazike, më elementare në respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut edhe në akte të brendshme kombëtare e sidomos në të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Hoxha.

Krasniqi është 75-vjeçar dhe prej gjashtë vjetësh ndodhet nën masën e paraburgimit në Hagë, nën akuzën për krime lufte. 

Avokati Hoxha thotë se Krasniqi nuk përbën rrezik për dikë e as për procesin, prandaj i quan të pajustifikueshme masat.

“Nuk përkon aspak me gjendjen faktike sepse nuk ka asnjë vlerësim të sigurisë që do ta bënte z. Krasniqin të rrezikshëm as eventualisht për dikë që mund të dëshmojë sepse tashmë pretendimet e Prokurorit të Specializuar kanë përfunduar me dhënien e dëshmive të dëshmitarëve dhe as nuk ka rrezik që z. Krasniqi në këtë moshë të ikë, mbi të gjitha duke pasur parasysh faktin se i njëjti është dorëzuar në mënyrë vullnetare pranë këtij tribunali”, ka thënë Hoxha.

Edhe avokati Arbër Jashari thotë se protokolli i sigurisë i zbatuar në këtë rast lë vend për shqetësim dhe kritikë serioze.

“Nuk janë marrë sa duhet parasysh të gjitha rrethanat relevante, në veçanti mosha e z. Krasniqi, natyra dhe qëllimi humanitar i vizitës, si dhe rrethanat konkrete të rastit. Çdo kufizim apo masë sigurie duhet të jetë e domosdoshme, e arsyetuar dhe proporcionale me rrezikun konkret që synon të parandalojë. Kjo vizitë mund të realizohej përmes një qasjeje më të matur, pa ekspozim të panevojshëm dhe me respektimin e dinjitetit njerëzor”, ka thënë Jashari.

Të premten janë publikuar video në të cilat shihen pjesëtarë të forcave speciale evropiane tek drejtojnë armët kah banorë të lagjes ku e ka shtëpinë Krasniqi.

Në shkallë të parë të gjykatës Speciale, Krasniqi e Thaçi janë dënuar për krime lufte me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet burgim e Selimi me 13 vjet burgim. Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë paralajmëruar apelimin e vendimit.

Vizita e kësaj jave është e dyta që Krasniqi e bën në Kosovë prej 2020-s kur është arrestuar. Herën e parë, ai erdhi pak ditë pas vdekjes së të vëllait.