Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kushtetuesja konstaton shkelje për një lëndë që u zvarrit në gjykata për 40 vjet

Gjykata kushtetuese

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Gjykata Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec ia ka shkelur të drejtën për gjykim brenda një afati kohor të arsyeshëm, një qytetari, lënda e të cilit nuk ka marr epilog për më shumë se 40 vjet.

Parashtruesi i kërkesës në Gjykatë thuhet se ka kontestuar kohëzgjatjen e procedurës, duke theksuar se e njëjta është duke zgjatur për më shumë se 40 vjet dhe se Gjykata Themelore nuk ka ndërmarrë masa efektive për përfundimin e saj.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Gjykata konstatoi se në rrethanat e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec ka shkelur të drejtën e tij për gjykim brenda një afati kohor të arsyeshëm, të garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftimin e Gjykatës për vendimin që është marrë pas ankesës së parashtruar nga qytetari Muhamet Morina.

Sipas njoftimit të Gjykatës, rrethanat e rastit ndërlidhen me një kontest civil i cili ishte iniciuar në vitin 1978, kur parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi për vërtetimin e të drejtës së pronësisë mbi ngastrat kadastrale kundër disa personave të paditur.

Më 25 shtator 1986, thuhet se Gjykata Komunale në Rahovec përmes Aktgjykimit [C. nr. 221/79] e aprovoi kërkesëpadinë dhe vërtetoi të drejtën pronësore të parashtruesit të kërkesës mbi ngastra të caktuara. 

“Gjatë zhvillimit të mëtejme të procedurës, rasti u ndërpre disa herë dhe u zhvillua nën shenja të ndryshme për shkak të vdekjes së të paditurve dhe më pas trashëgimtarëve të identifikuar. Pas mbajtjes së shqyrtimeve përgatitore në vitin 2022, përkatësisht në vitin 2023, procedura u ndërpre përsëri, dhe më 12 qershor 2024, Gjykata Themelore në Gjakovë- Dega në Rahovec përmes Aktvendimit [C. nr. 616/2023] e ndërpreu përsëri procedurën për shkak të vdekjes së njërit prej të paditurve. Më 4 tetor 2024, parashtruesi i kërkesës propozoi vazhdimin e procedurës, por Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C. nr. 896/2024] të 6 dhjetorit 2024, e refuzoi propozimin e tij dhe e vërtetoi aktvendimin e saj për ndërprerjen e seancës, me arsyetim se identifikimi i trashëgimtarëve të të paditurve është detyrim i tij si paditës. Më 31 dhjetor 2024, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë kundër Aktvendimit të lartpërmendur në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftim.

Bazuar në informata e dorëzuara thuhet se rezulton që procedura gjyqësore është ende në fazën e vendimmarrjes së ankesës në atë gjykatë, e cila deri në ditën e pranimit të të dhënave të fundit, theksohet se nuk ka marrë ende një vendim.

Gjykata thuhet se në kontekst të vlerësimit të periudhës që është marrë parasysh, kë vënë në dukje se rasti i parashtruesit të kërkesës ka vazhduar të shqyrtohet edhe pas 15 qershori 2008, kur Kushtetuta ka hyrë në fuqi, deri në parashtrimin e kërkesës së tij në Gjykatë, që thuhet se përfshinë një periudhë prej mbi 18-vjetësh. 

“Gjykata konstatoi se, (i) ndonëse lënda përmban një shkallë të caktuar të ndërlikueshmërisë procedurale si pasojë e vdekjes së palëve dhe çështjeve të trashëgimisë, kjo nuk e arsyeton kohëzgjatjen e procedurës në një kornizë të tillë kohore; (ii) se parashtruesi i kërkesës nuk ka kontribuar në zvarritjen e procedurës, por në disa raste ka iniciuar vazhdimin e saj; si dhe (iii) veprimet e ndërmarra nga organet kompetente, edhe pse formalisht aktive, nuk kanë çuar në vazhdimin efikas dhe përfundimin e procedurës gjyqësore”, thuhet në njoftim.

Gjykata theksoi se shteti ka detyrimin që ta organizojë sistemin e vet gjyqësor në mënyrë që të mundësojë nxjerrjen e vendimeve të formës së prerë brenda një afati të arsyeshëm kohor, dhe se vështirësitë objektive, siç janë vdekja e palëve dhe problemet në identifikimin e trashëgimtarëve, nuk mund ta arsyetojnë kohëzgjatjen e procedurës.

“Gjykata gjithashtu theksoi se pasiguria afatgjate lidhur me të drejtën e pronësisë ka pasoja serioze për sigurinë juridike dhe të drejtat pronësore të parashtruesit të kërkesës. Bazuar në sa më sipër, Gjykata vlerësoi se procedura gjyqësore, e zhvilluar përgjatë periudhës pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, ka zgjatur në mënyrë të paarsyeshme dhe se gjykatat e rregullta nuk kanë siguruar zhvillimin efikas të saj”, thuhet në njoftim.