Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Rolando Maran, ka veçuar mentalitetin dhe karakterin e shqiptarëve si një prej gjërave që e kanë impresionuar më së shumti gjatë periudhës në krye të “kuqezinjve”.
Trajneri italian ka thënë se vendosmëria dhe forca me të cilën shqiptarët i përballojnë gjërat janë vlera që duhet të reflektohen edhe në fushën e futbollit.
Mesazhi i italianit është që karakteri, lufta dhe vendosmëria duhet të jenë ndër shtyllat kryesore mbi të cilat do të ndërtohet Kombëtarja e Shqipërisë.
“Ajo që kam vlerësuar shumë gjatë këtyre muajve është vendosmëria dhe forca me të cilën i bëni gjërat. Është një vlerë shumë e madhe. Dhe është diçka që dua t’ua transmetoj edhe lojtarëve kur të vijnë, sepse kjo është ADN-ja e futbollistit dhe e popullit shqiptar. Duhet të jem i sinqertë, ndihem si në shtëpi, më keni bërë të ndihem si miku juaj prej gjithmonë. Për mua kjo është më shumë se një cilësi, është vërtet diçka befasuese”, ka thënë Maran për faqen zyrtare të FSHF-së.
63-vjeçari Maran selektor i Shqipërisë u emërua në muajin maj, duke e zëvendësuar brazilianin, Sylvinho.