Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Rolando Maran, është paraqitur të enjten në konferencë për shtyp pas publikimit të listës për dy ndeshjet miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.
Tekniku italian foli për prurjet e reja, rikthimet, mungesat, modulin e lojës, por edhe synimet që ka me Shqipërinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMaran është i lumtur që sulmuesit që ka pasur në klubet ku ka punuar, kanë realizuar shumë gola. Uron që e njëjta gjë të ndodhë edhe te Shqipëria.
“Gjatë punës sime ka rastisur që lojtarët kanë shënuar rekord golash gjatë sezonit. Kur skuadra ndërton shumë, do të thotë që ndihmon sulmin të shënojë. Nëse shënon dhe rezultatet janë të favorshme, kjo është një shenjë e mirë për skuadrën. Sa më shumë të punohet në grup, mund të merren rezultatet nëpërmjet golave”, ka thënë Maran.
Ai ka lënë të kuptohet se Shqipëria do të luajë lojë ofensive.
“Qëllimi është të kemi një mbrojtje me katër lojtarë dhe sigurisht duke përdorur tre lojtarë më ofensive. Kjo duhet provuar dhe verifikohet në momentin që do të kem lojtarët këtu dhe nuk dua t’i paraprihem një zgjedhjeje që mund të bëjë blof në një moment të caktuar sepse dua të jem i sinqertë. Duhet të shoh lojtarët dhe të vendos për modulin”, ka theksuar Maran.
Në listën e parë të publikuar Maran, figurojnë dy emra të rinj. Për herë të parë mesfushori Luis Hasa, i cili u huazua nga Napoli te Carrarese në Serie B dhe portieri Pano Qirko.
Ftesë ka marrë edhe sulmuesi Christian Shpendi, i cili zhvilloi një sezon shumë të mirë me Cesenan në Serie B italiane, duke qenë ndër lojtarët më të dalluar të skuadrës.
Ndërkohë, pjesë e listës është edhe mbrojtësi nga Kosova, Bujar Pllana. Është rikthyer edhe sulmuesi Mirlind Daku.
“Mezi pres të filloj, sepse e di që ka material të mirë bazë dhe lojtarë me vlera që mund të shprehin idetë e mia”, ka shtuar trajneri 62-vjeçar.
Maran zëvendësoi Sylvinhon e larguar. Italiani në të kaluarën ka drejtuar shumë skuadra të Italisë.
Ai pret nga lojtarët t’i përshtaten sistemit të punës dhe lojës në fushë.
“Ne jemi gjithmonë të uritur dhe krenarë për të arritur rezultate të mira. Në bazë të lojtarëve të cilët kanë bërë mirë në ndeshjet e fundit të kombëtares dhe sigurisht duke marrë edhe atë që mund t’i shërbejë edhe ideologjisë dhe futbollit që unë dua të luaj. Nuk ka presione, ka vetëm dëshirë për të fituar dhe dëshirë për të pasur rezultate të mira edhe për tifozët të cilët gjithmonë e mbështesin skuadrën dhe duan që skuadra të fitojë”, ka thënë Maran.
Miqësorja e 3 qershorit ndaj Izraelit dhe Luksemburgut më 6 qershor, trajnerit Maran, do t’i shërbejnë si përgatitje për ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe kualifikimeve për “Euro 2028”.
Shqipëria ka marrë pjesë në “Euro 2016” dhe “Euro 2024”. U ndal në gjysmëfinale të plejofit për Kupën e Botës 2026.
Lista e Shqipërisë për miqësoret e qershorit
Portierë: Alen Sherri, Simon Simoni dhe Pano Qirko
Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Klisman Cake, Bujar Pllana, Mario Mitaj, Naser Aliji, Stavro Pilo, Elseid Hysaj dhe Andi Hadroj
Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Luis Hasa, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Taulant Seferi dhe Anis Mehmeti.
Sulmues: Mirlind Daku, Armando Broja, Myrto Uzuni dhe Cristian Shpendi