Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Gjykimi në kohë të arsyeshme: Lëndët që plaken bashkë me palët

E drejta e qytetarëve që të kërkojnë mbrojtje gjyqësore është e garantuar me aktet ndërkombëtare, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin që buron nga ky akt. Por, kjo e drejtë nuk gëzohet vetëm me faktin se çështja i është dorëzuar gjykatës, por që ajo të trajtohet me profesionalizëm,  në pajtim me ligjin dhe që të marr epilog brenda një afati të arsyeshëm.

Ndonëse nuk ka një përcaktim strikt kohor se çka konsiderohet afat i arsyeshëm, në rastet kur një gjykate i duhen më shumë se një dekadë për të nxjerrë një vendim mbi meritat e çështjes, nuk mund të interpretohet ndryshe veçse dështim i gjyqësorit në respektimin e këtij standardi dhe shkelje e të drejtës së qytetarëve që çështja e tyre të marrë epilog brenda një kohe të justifikueshme.

Bazuar në disa nga aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të publikuara në pjesën e parë të këtij viti, vihet në pah dështimi i tri shkallëve të gjykatave të rregullta për të vendosur me kohë mbi çështjet gjyqësore të qytetarëve. Ky dështim flet për vonesë në vendimmarrje jo disa muajsh apo për pak vite, por për dekada. E për më tepër, jo vetëm për rastet e natyrës civile, por edhe për ato penale. 

Kur flasim për çështjet e natyrës civile, në një nga rastet e trajtuara nga Kushtetuesja konstatohet se si për më shumë se 47 vjet, një kontest pronësor është ende në fazën e përgatitjeve procedurale para gjykatës së shkallës së parë, duke tejkaluar çdo afat kohor të arsyeshëm dhe të pranueshëm. Një situatë e tillë ndikon drejtpërdrejtë në realizimin e të drejtave dhe lirive themelore të parashtruesit të kërkesës, pasi kohëzgjatja e tepërt e procedurës vonon zgjidhjen përfundimtare të çështjeve që janë thelbësore për pronën e tij. Prandaj, shtrohet pyetja: A ka kuptim për qytetarin kur një gjykatë nuk arrin të vendosë brenda një kohe të justifikueshme? Edhe nëse vendimi është i drejtë për të, cili është efekti i marrjes së drejtësisë pas afër gjysmë shekulli?

Të njëjtin fat e ndan edhe një qytetar tjetër i cili kishte iniciuar procedurë trashëgimore në vitin 1983, e që deri në vitin 2022, gjykata e shkallës së parë nuk kishte arritur të nxjerrë një vendim mbi meritat e çështjes. Pra, po flasim për një periudhë rreth 40 vjeçare, e aq më tepër për një vendim që nuk është as i plotfuqishëm. Shto faktin, se kësaj periudhe i shtohen edhe 3 vjet të tjerë brenda të cilave edhe Gjykata e Apelit kishte dështuar që ta trajtojë ankesën e palës ndaj këtij aktgjykimi. Pra, 43 vjet pritje për një vendim të ekzekutueshëm, të cilin nuk e ka determinuar as kompleksiteti i rastit, as mungesa e vullnetit të palës për t’u zgjidhur çështja, por vetëm mungesa e përgjegjësisë institucionale.

Edhe Opinion Keqkuptimi shqiptar i demokracisë

Këto nuk janë vetëm dy raste të izoluara ku gjyqësori ka dështuar të respektojë parimin e gjykimit brenda një kohe të arsyeshme. Ky dështim e ka përcjellë edhe rastin e një qytetari nga Komuna e Gjakovës në një çështje gjyqësore për vërtetimin e pronësisë, ku gjykatat e rregullta për më shumë se 18 vjet nuk arritën të vendosin për çështjen e tij me aktgjykim të formës së prerë. 

Një fenomen i tillë konstatohet edhe në rastin KI199/25, ku një qytetari iu deshën rreth 13 vjet për një vendim rreth çështjes së tij gjyqësore për vërtetimin e të drejtës së pronësisë pranë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (DHPGJS), Për këtë institucion edhe më shqetësues është rasti KI337/25, ku iu deshën më shumë se 15 vjet vetëm për të vendosur mbi kërkesën për lirimin nga taksa gjyqësore, pa ndërmarrë veprime për shqyrtimin e çështjes në merita.

Për secilin nga këto raste, Gjykata Kushtetuese erdhi në përfundim se shkaqet kryesore për  kohëzgjatjen e tepruar nuk ishin kompleksiteti i rasteve apo mosbashkëpunimi i palës, por veprimi i ngadalshëm dhe joefikas i gjykatave, të cilat nuk kishin ndërmarrë masa adekuate për ta zgjidhur çështjet brenda një afati të arsyeshëm. 

Por, nuk janë vetëm rastet e natyrës civile ato që po përballen me vonesa në trajtim nga ana e gjykatave. Gjykata Kushtetuese konstatoi se edhe në rastin KI200/24, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte dështuar që për më shumë se 10 vjet të nxjerrë aktgjykim meritor në çështjen penale ndaj parashtruesit të kërkesës.

E një nga dukuritë që shpesh i përcjellë çështjet gjyqësore është kthimi i tyre në rigjykim dhe rivendosje. Në rastin KI262/25, Gjykata Kushtetuese konstatoi se një cikël të përsëritur të kthimit të lëndës penale në rigjykim – gjashtë herë vetëm në shkallë të parë, ndikoi që pas përfundimit të ndjekjes penale, pasuria e parashtruesit të mbetet nën kontrollin e autoriteteve për më shumë se 9 vjet, duke krijuar një barrë të rëndë për qytetarin dhe pasiguri juridike për gëzimin e së drejtës në pronë.

Edhe Opinion A ka Shqipëria një politikë të jashtme?

Çka përtej konstatimeve të Gjykatës Kushtetuese? 

Ndonëse, shprehimisht, Gjykata Kushtetuese ka ripërsëritur se nuk ka autorizime ligjore për caktimin e ndonjë lloji të kompensimit për rastet në të cilat konstaton shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e institucioneve publike, në rastet kur vetëm konstatimi i shkeljes nuk mjafton dhe kompensimi monetar është i domosdoshëm, individët njoftohen se kanë të drejtë të përdorin mjetet juridike në dispozicion për realizimin e të drejtave të tyre, përfshirë kompensimin e dëmit material dhe jomaterial pranë gjykatave të rregullta.

Nuk dihet se sa prej qytetarëve i janë drejtuar gjykatave të rregullta me padi për kompensim dëmi pasi i është mohuar e drejta për gjykim brenda një kohë të arsyeshme, por ajo çka mbetet shqetësuese është fakti se për këta individë është sfiduese që të kalojnë edhe një pjesë të jetës së tyre për të kërkuar drejtësi, pikërisht në ato institucione që ia kanë mohuar atë me dekada të tëra.

Edhe pse viteve të fundit, gjyqësori ka arritur të shënojë shkallë pozitive të efikasitetit, është e domosdoshme që ky progres të matet me kohën që i duhet një qytetari për të marrë vendim përfundimtar nga gjykata dhe jo vetëm tek numri i lëndëve të zgjidhura apo norma e produktivitetit. 

Edhe Opinion LDK, nga parti shtetformuese në “king-maker”, kur Abdixhiku flet si rektor moral e jo si sfidues i pushtetit!

Konstatimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë sinjal për Këshillin Gjyqësor të Kosovës si organ kolegjial që menaxhon me sistemin gjyqësor në vend. Pritjet për një vendim gjyqësor për gati gjysmë shekulli, apo pritja mbi 15 vjet për një aktvendim mbi taksën gjyqësore, nuk mund të justifikohen. E drejta për një vendim gjyqësor brenda një kohe të arsyeshme është parim, jo vullnet institucional e as privilegj individual. Mbi këtë premisë, ndërmarrja e veprimeve konkrete për jetësimin e këtij parimi është parakusht i domosdoshëm për sigurinë juridike të qytetarëve dhe për besimin e tyre në sistemin e drejtësisë.

(Ky editorial është produkt i Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike, në kuadër të projektit “Human Rightivism” të mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë dhe zbatuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar - CDF)