Teksa afrohet afati i 4 marsit për zgjedhjen e presidentit të ri, Kosova po hyn në një moment që do të testojë jo vetëm aritmetikën parlamentare, por edhe maturinë politike dhe institucionale të vendit.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit prodhuan një pasqyrë të qartë të fuqisë së partive në Kuvend, por njëkohësisht riafirmuan një realitet kushtetues që nuk mund të anashkalohet: asnjë parti parlamentare nuk mund të zgjedhë presidentin e vetme dhe asnjë aktor serioz nuk mund të veprojë sikur e ka këtë kapacitet i vetëm.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSiç u dëshmua në seancat që nga konstituimi i legjislaturës së dhjetë, Lëvizja Vetëvendosje së bashku me aleatët nga partitë e komuniteteve minoritare ka shumicën e nevojshme parlamentare për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë, por nuk ka dy të tretat e nevojshme për të siguruar kuorumin për fillimin e procesit të zgjedhjes së presidentit. Partitë opozitare veç e veç, nga ana e tyre, nuk kanë numrat për të nominuar kandidat të tyrin për president. Ato duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të arrijnë të propozojnë një kandidat për president. Kushtetuta dhe kushtetutshkruesit duket se me vetëdije kanë imponuar dialogun dhe pajtimin paraprak mes partive politike për zgjedhjen e presidentit. Ajo që shpesh quhet “bllokadë” është në fakt sistemi duke i kërkuar partive parlamentare që të bashkëpunojnë dhe të veprojnë me përgjegjësi institucionale për të shmangur krizat politike dhe zgjedhjet e reja që mund të rezultojnë nga moszgjedhja e presidentit brenda afateve kushtetuese.
Kosova funksionon si republikë parlamentare, edhe pse Kushtetuta nuk e përcakton shprehimisht këtë term. Kuvendi mbetet institucioni i vetëm qendror i zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët. Ai ushtron pushtetin legjislativ, zgjedh dhe mund të shkarkojë Qeverinë, si dhe zgjedh dhe mund të shkarkojë presidentin. Neni 4 i Kushtetutës vendos ndarjen e pushteteve, duke parandaluar përqendrimin e pushtetit dhe duke ruajtur balancën institucionale, sidomos në momentet e krizave politike dhe institucionale. Presidenca nuk është menduar kurrë si kompensim për mungesë shumice parlamentare apo si qendër alternative e pushtetit ekzekutiv.
Brenda këtij kuadri, presidenti është i kufizuar në pushtet formal, por i ngarkuar me përgjegjësi politike. Ky paradoks përcakton thelbin e profilit të presidentit. Kosova nuk ka nevojë për një president apolitik; i duhet një president që e kupton politikën, që ka kapacitet të përballojë presionin politik dhe që di se kur vendosmëria i shërben Kushtetutës më shumë sesa ekspozimi publik. Neutraliteti nuk do të thotë distancë nga politika, por disiplinë brenda saj.
Kushtetuta i jep presidentit mjete konkrete: kthimin e ligjeve për rishqyrtim, mundësinë për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, një rol kyç në formimin e Qeverisë dhe përgjegjësinë për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve dhe përfaqësuar unitetin e popullit. Presidenti ka fuqi reale në politikën e jashtme, në mbrojtje dhe sigurinë kombëtare qoftë përmes ndërveprimit me Qeverinë dhe emërimeve në shërbimin diplomatik, Forcat e Sigurisë të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Asnjëra nga këto nuk mund të përdoren mekanikisht. Të gjitha kërkojnë gjykim e maturi, kulturë e njohuri juridike, si dhe ndjeshmëri politike për zhvillimet e kohës. Një president pa instinkt politik mund të hezitojë kur kërkohet vendosmëri kushtetuese; një president pa vetëpërmbajtje mund ta shndërrojë mbrojtjen institucionale në instrument konflikti me institucionet dhe aktorët e tjerë.
Këtu tiparet personale bëhen variabla të rëndësishme që duhet pasur parasysh. Përvoja e demokracive parlamentare moderne dhe reflektimet mbi udhëheqjen politike në shekullin XXI bëhen veçanërisht të dobishme.
Lidershipi i suksesshëm nuk përcaktohet vetëm nga karizma apo autoriteti formal i pozitës, por nga një kombinim i përcaktimit të qartë të objektivave që presidenti synon të përmbushë gjatë mandatit të tij 5-vjeçar, disiplinës institucionale dhe aftësisë për të vepruar me efektivitet brenda kufizimeve institucionale e kushtetuese. Presidenti duhet të jetë politikisht i formuar, të veprojë gjithnjë duke pasur parasysh besnikërinë ndaj institucionit dhe të jetë i vendosur dhe i aftë të përballojë presionet pa u bërë reaktiv apo i orientuar nga imazhi e egoja personale. Ai duhet të dijë të dallojë mes vendosmërisë dhe impulsivitetit, mes dukshmërisë dhe ndikimit real, si dhe mes mandatit të dhënë dhe ndjenjës së privilegjit. Në sistemet politike si të Kosovës, në demokracitë parlamentare, ku kompetencat formale janë të kufizuara, presidenti shtrin ndikimin e tij kur autoriteti fitohet përmes qëndrueshmërisë, sjelljes etike dhe përdorimit të disiplinuar të ndikimit, e jo përmes afirmimit të vazhdueshëm të pushtetit. Prova më e vështirë për secilin president nuk është të veprosh kur veprimi është tundues, por të dish kur vetëpërmbajtja i shërben më mirë kredibilitetit afatgjatë të institucionit.
Në kontekstin e Kosovës, ku institucionet janë ende në proces konsolidimi dhe çdo devijim personal ka pasoja sistematike, kjo formë e udhëheqjes nuk është luks, por domosdoshmëri kushtetuese. Integriteti nuk është vlerë abstrakte në këtë funksion. Në një demokraci të re si ajo e Kosovës, çdo keqpërdorim i autoritetit presidencial për përfitime personale, familjare apo informale dëmton shtetin dhe besimin publik. Etika, transparenca dhe llogaridhënia nuk janë fraza boshe mbi moralin në politikë, por vektorët përcaktues të sjelljes, veprimit dhe vendim-marrjes së Presidentit. Përmbushja e tyre i kontribuon rritjes së legjitimitetit të tij.
Po aq thelbësore është përulësia në ushtrimin e pushtetit. Në sistemet parlamentare, Presidenca nuk forcohet me tituj medialë apo ekspozim të vazhdueshëm. Ajo dobësohet prej tyre. Presidentët që kërkojnë vëmendje më shumë sesa flasin rezultatet e punës së tyre, që komentojnë gjithçka apo e ngatërrojnë dukshmërinë me ndikimin, e shterojnë shpejt autoritetin institucional dhe besimin e qytetarëve. Presidentët e mirë e kuptojnë se ndërhyrjet më të rëndësishme shpesh janë të heshtura, ligjërisht të bazuara dhe të mirëkalkuluara në kohë.
Autonomia në vendimmarrje është thelbësore. Pas zgjedhjes, presidenti duhet të shkëputet realisht nga ndikimi i çfarëdo strukture partiake dhe të veprojë me qartësi institucionale. Në një ambient të polarizuar si ky i Kosovës, perceptimi i një presidenti të lidhur me parti minon aftësinë për ndërmjetësim dhe bashkim në kohë krizash politike. Andaj, zgjedhja konsensuale apo me mbështetje të gjerë nga partitë parlamentare ka kuptim vetëm nëse pasohet nga pavarësia reale në ushtrimin e detyrës dhe mirëmbajtjes së distancës së barabartë me palët politike.
Evropa na ofron shembujt që duhet t’i kemi parasysh. Në Irlandë, presidentë si Mary Robinson dhe Michael D. Higgins ndërhynë rrallë, por vendosmërisht, kur ishin në pyetje parimet kushtetuese apo të drejtat themelore. Autoriteti i tyre u forcua nga vetëpërmbajtja dhe qartësia ligjore, jo nga aktivizmi ditor politik. Në Estoni, presidentët nuk iu nënshtruan presionit për t’u përfshirë në konfliktet e përditshme politike, duke u fokusuar në mbrojtjen e normave kushtetuese dhe prioriteteve afatgjata në siguri, qëndrueshmëri demokratike dhe integrim euroatlantik. Autoriteti dhe ndikimi i tyre ishte përmbajtjesor për shkak të disiplinës dhe konsistencës.
Shembujt negativë janë po aq domethënës. Në Hungari, presidentët që u kufizuan vetëm në korrektësi procedurale, duke shmangur mbrojtjen e Kushtetutës, kontribuuan në erozion institucional dhe demokratik. Në Serbi, bashkëdyzimi i lidershipit partiak me Presidencën krijoi stabilitet afatshkurtër, por me kosto për autonominë institucionale. Të dy rastet tregojnë se neutraliteti pa guxim dhe pushteti pa pavarësi dobësojnë shtetin dhe institucionet nga brenda.
Presidenti i Kosovës duhet të jetë ndërtues urash. Brenda vendit, kjo kërkon angazhim të vazhdueshëm përtej ndarjeve politike dhe etnike, të bazuar në barazi qytetare dhe jo simbolika të rastit. Ndërkombëtarisht, sfida është edhe më komplekse. Kosova vepron në një botë në transformim e sipër, të shënuar nga multipolariteti dhe rikthimi i sferave të ndikimit. Në këtë kontekst, shtetet e vogla e zgjerojnë hapësirën e tyre për veprim përmes koherencës, jo personalizimit.
Koordinimi institucional është vendimtar për të pasur sukses në detyrën e presidentit. Buxheti dhe kapacitetet operative të Presidencës në politikën e jashtme dhe fushat e tjera janë simbolike. Pa koordinim të ngushtë me Qeverinë, Kuvendin dhe aparatin shtetëror, ato nuk mund të prodhojnë rezultate domethënëse. Ndikimi rritet kur presidenti vepron si shumëfishues force, jo si aktor paralel. Në Letoni dhe Lituani, presidentët e forcuan pozicionin ndërkombëtar përmes koordinimit dhe konsistencës me qëndrimet shtetërore të dakorduara. Improvizimi nuk prodhon aleanca, koherenca në qëndrime po.
Mungesa e një shumice prej dy të tretash duhet parë si mundësi, jo rrezik. Ajo detyron partitë parlamentare të mendojnë përtej interesit taktik dhe të synojnë qëndrueshmëri institucionale e përzgjedhje të kandidatëve që nuk gëzojnë besim përtej proveniencës së tyre politike. Kështu mbrohet sistemi parlamentar.
Kosovës nuk i duhet një president që drejtohet vetëm nga ambicia personale, dëshira për dukshmëri mediale apo prirje për dramat politike. I duhet një president i bazuar në gjykim, integritet, qëndrueshmëri institucionale dhe përulësi në ushtrimin e autoritetit. Një president që i forcon institucionet duke respektuar kufijtë e tyre dhe duke vepruar në harmoni me Kushtetutën. Një president që vepron përtej konsideratave afatshkurtra elektorale dhe synon ta forcojë besimin publik në institucione, proceset demokratike dhe shtet.
Kjo është zgjedhja që Kosova duhet ta bëjë tani.
(Blerim Vela shërbeu si shef i Stafit të Presidentes së Kosovës (2021-2023) dhe ka doktoratë në Studime Evropiane Bashkëkohore nga Universiteti i Sussex-it).