Delegacioni i Iranit është optimist se marrëveshja me SHBA-në është afër, ndërsa të enjten në Gjenevë po zhvillohet raundi i radhës i bisedimeve indirekte në Oman mes zyrtarëve të Iranit dhe atyre të SHBA-së, transmeton "The Guardian".
Ali Shamkhani, këshilltari i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Khamenei, tha se marrëveshja mund të arrihet nëse negociatat përqendrohen vetëm në angazhimin e Iranit që të mos zhvillojë armë bërthamore.
“Nëse çështja kryesore e negociatave është parandalimi i Iranit nga prodhimi i armëve bërthamore, atëherë kjo do të ishte në përputhje me fetvanë e liderit suprem dhe me doktrinën e mbrojtjes së Iranit, dhe marrëveshja është shumë afër”, ka shkruar Shamkhani në rrjetin social “X”.
Ai shtoi se ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, që po i udhëheq bisedimet për Teheranin, ka “mbështetje dhe autoritet të mjaftueshëm për të siguruar këtë marrëveshje”.
E ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, tha se janë propozuar ide krijuese dhe pozitive.
Albusaidi u shpreh optimist se bisedimet po shkojnë në drejtimin e duhur.
Irani thotë se nuk është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje me SHBA-në
“Sot në Gjenevë kemi shkëmbyer ide krijuese dhe pozitive, dhe tani negociatorët amerikanë dhe iranianë po bëjnë pauzë. Do të rifillojmë më vonë sot. Shpresojmë të bëjmë më shumë përparim”, ka shkruar Albusaidi në rrjetin social “X”.
Bisedimet indirekte zgjatën pak më tepër se tri orë para se të shkohej në pauzë.
E zëdhënësi I Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, tha se bisedimet ishin mjaft serioze. Ai nuk dha detaje, por deklarata dha shpresë.