Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dita e shtatë e Lojërave Mesdhetare, Donjeta siguron finalen

Donjeta Sadiku

Kosova mposhtet edhe në futboll nga Italia

1 muaj më parë / 26 gus 2026 23:07
Kosova U21

Italia e ka fituar edhe një ndeshje ndaj Kosovës në Lojëra Mesdhetare.

Të mërkurën mbrëma, Kosova U21 në futboll u mposht 3:0 nga Italia. Italianët e shënuan një gol në pjesën e parë e dy të tjerë në pjesën e dytë për fitore bindëse.

Kosova i humbi tri ndeshjet e fazës grupore. Pësoi 2:1 nga Algjeria, 3:1 nga Shqipëria dhe 3:0 nga Italia.

LM, humbja e tretë për hendbollistet

1 muaj më parë / 26 gus 2026 21:46
Hh

Hendbollistet e Kosovës e kanë humbur edhe ndeshjen e tretë në Lojërat Mesdhetare.

Të mërkurën mbrëma në Fasano, lojtaret e reja të Kosovës pësuan nga Italia me rezultat 38:21.

Italianet kanë dominuar nga fillimi, për fitore bindëse në fund. Kosova më parë humbi edhe nga Algjeria dhe Greqia.

Të premten luan me Tunizinë e të dielën me Maqedoninë e Veriut.

Donjeta siguron finalen, ndeshet me rusen e Serbisë

1 muaj më parë / 26 gus 2026 19:11
Donjeta Sadiku

Donjeta Sadiku është kualifikuar në finale të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.

Boksierja kosovare do ta kërkojë të artën në kategorinë deri 60 kilogramë. Në finale do të përballet me boksieren e Serbisë, Kristina Kuluhova. Kuluhova në fakt është ruse që garon për Serbinë.

Në gjysmëfinale, Donjeta ishte dominante. E mposhti boksieren e Greqisë, Sofia Legaki. Goditjet e boksieres kosovare ishin të forta dhe të pastërta që nga fillimi i meçit. Gjyqtari në ring i numëroi Legakit në raundin e parë e po ashtu në raundin e dytë. Raundi i tretë ishte më i hapur, por Donjeta Sadiku e kontrolloi luftën deri në fund për fitore me vendim unanim, përkatësisht 5:0.
Ajo tashmë e ka të sigurt medaljen e argjendtë, por e kërkon të artën mesdhetare.

Donjeta në çerekfinale e mposhti turken Esmanur Lok me rezultat 4:1. Ndaj grekes Legaki ishte dukshëm më bindëse se në luftën e parë.

Kështu Donjeta vazhdon ta mbrojë nderin e boksit kosovar. Katër boksierët që e përfaqësuan Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, pësuan humbje në luftërat e para.

Donjeta Sadiku është prej boksiereve më të mira në Evropë. Tashmë ka medalje në të gjitha ngjarjet e mëdha. I mungon vetëm medalja olimpike, që mbetet synim i i madh i saj.

 

LM, tjetër humbje për Kosovën në tenis

1 muaj më parë / 26 gus 2026 18:46
Tenis

Tenistët e Kosovës kanë pësuar tjetër humbje në Lojërat Mesdhetare në Taranto. 

Të mërkurën, dyshja mikse, Learta Muharremi dhe Florent Limani, janë mposhtur nga Malta. 

Dyshja nga Malta fitoi me rezultatin 2:0 në sete, 7:5 dhe 6:1. 

Të martën garoi Jasin Jakupi, që humbi thellë nga maltezi Liam Delicata, me rezultatin 6:0 në të dy setet.
 

Kosova mposhtet nga Turqia, mbetet jashtë gjysmëfinales

1 muaj më parë / 26 gus 2026 15:26
volej

Volejbollistet e Kosovës kanë luajtur ndeshje të fortë të mërkurën, që megjithatë nuk u shpërblye me pikë.

Kosova pësoi 3:0 në sete nga Turqia, në ndeshjen e fundit në grup.

Me humbje mbeti pa gjasa për avancim në gjysmëfinale. Do të përfundojë në vendin e tretë në grup, pas Turqisë e Greqisë.

Volejbollistet kosovare kanë luftuar nga fillimi deri në fund. Por lojtaret e Turqisë shfaqën më tepër, sidomos kur vendoseshin setet.

Dy setet e para përfunduan 25:17, kurse i treti 25:18.

Kosova ka pësuar edhe nga Greqia, derisa mposhti Algjerinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për avancim në gjysmëfinale i është dashur fitorja ndaj Turqisë.

Kosova ndalet nga Italia në padel

1 muaj më parë / 26 gus 2026 11:23
kos

Ka përfunduar gara e Kosovës në padel në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Të mërkurën paradite, ekipi miks i Kosovës, pësoi 2:0 në sete nga ekipi i Italisë.

Italianët ishin dominantë, duke i fituar të dy setet me rezultat 6:0.

Ndeshja i takoi fazës çerekfinale. Për Kosovën u paraqitën Donika Bashota dhe Lavdrim Krasniqi.

Në padel, Kosova ka pasur rezultate solide. 

Ekipi i parë i meshkujve dhe ekipi miks e shënuan nga një fitore dhe u ndalën në ndeshjet e dyta. 

Ndërkohë dy ekipet e femrave dhe ekipi i dytë i meshkujve u ndalën në përballjet e para.