Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lajme

Milo e cilëson ofendues për shqiptarët vendimin e Speciales

Ndryshimet në skenën politike ndërkombëtare dhe mungesa e figurave që mbështetën çlirimin e Kosovës, si Bill Clinton, Tony Blair dhe Madeleine Albright, janë ndër faktorët që, sipas ish-kryediplomatit shqiptar Paskal Milo, duhet të merren parasysh në raport me zhvillimet e sotme politike dhe qëndrimin e fuqive perëndimore ndaj Kosovës. 

Milo të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, e ka cilësuar ofendues vendimin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se ai ka prekur jo vetëm individët që po gjykohen, por edhe historia e Kosovës.

“Për shqiptarët e Kosovës duhet të jetë e qartë që momenti i luftës për çlirimin e Kosovës dhe aleanca e shqiptarëve me SHBA-në dhe me demokracitë perëndimore në atë kohë ishte tjetër dhe politika e gjeopolitika aktuale është tjetër. Kanë ndryshuar rrethanat. Ka ndryshuar edhe qëndrimi i fuqive perëndimore i atyre që mbështetën çlirimin e Kosovës me sot. Nuk janë të njëjtat interesa, nuk janë të njëjtat rrethana, nuk janë të njëjtit aktorë për rrjedhojë politika kështu zhvillohet, kështu ecën. Nuk është më as Bill Clinton, as Tony Blair, as Madeleine Albright, as dhe ministrat e tjerë të jashtëm të Grupit të Kontaktit të asaj kohe që e gjykuan të arsyeshme që duhej të bëhej ajo politikë e të bëhej ai aksion”, ka thënë ai.

Sipas tij, vendimi është ofendues jo vetëm për ish-krerët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor, por edhe për shqiptarët në përgjithësi, pasi, siç ka thënë, nuk është gjykuar vetëm fati i individëve, por edhe një pjesë e historisë së Kosovës.

“Unë i jam bashkuar opinionit të përgjithshëm shqetësues mbarëshqiptar për atë verdikt të padrejtë që iu dha liderëve të UÇK-së dhe jam përpjekur ta ngre zërin fort brenda mediumeve për ta vënë në dukje këtë padrejtësi dhe për domosdoshmërinë e rishikimit të atij vendimi që ishte shumë ofendues jo vetëm për ata që ndodhen atje brenda, por për të gjithë shqiptarët, sepse u gjykua jo një ngjarje e thjeshtë, një penalitet i një personi të caktuar, por u gjykua historia më e lavdishme e shqiptarëve të Kosovës”, ka deklaruar Milo.

Ai ka bërë thirrje që shqiptarët, kudo që ndodhen, të vazhdojnë të kundërshtojnë atë që e konsideron padrejtësi, por ka theksuar se kjo duhet të bëhet duke respektuar procedurat demokratike dhe institucionet që zbatojnë ligjin.

Edhe Paskal Milo – sonte në “Interaktiv” Arbëri Paskal Milo – sonte në “Interaktiv”

Milo ka shprehur shpresën se Gjykata e Apelit do të bëjë korrigjimet e mundshme në vendimin e shkallës së parë, duke vlerësuar se në proces ka pasur, sipas tij, subjektivizëm dhe padrejtësi.

“Duhet të dëshmojmë se nuk pajtohemi me padrejtësinë, nuk pajtohemi me një verdikt të rëndë, por ne mirëkuptojmë procedurat demokratike dhe ligjore. Nuk mund të dalim kundër ligjeve dhe kundër institucioneve që zbatojnë ligjin, edhe në këtë rast ku Dhomat e Specializuara janë ngritur me miratimin e vetë Kuvendit të Kosovës”, është shprehur ai.