Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dëshmia e Don Lush Sopit: Nuk e njoh të akuzuarin Pantiq

Don Lush Sopi

Në gjykimin ndaj Momir Pantiqit dhe Zharko Zariqit për krime lufte në Istog, të enjten ka dëshmuar Don Lush Sopi, i propozuar nga i pandehuri Pantiq. Sopi ka thënë se nuk e njeh të akuzuarin, ndërsa ka folur edhe për dëbimin e familjeve shqiptare nga Gurrakoci gjatë luftës

Don Lush Sopi, dëshmitar i propozuar nga mbrojtja e të akuzuarit për krime lufte Momir Pantiq, gjatë dëshmisë së tij në gjykatë, ka thënë se nuk e njeh të pandehurin dhe se nuk i kujtohet nëse e ka takuar ndonjëherë.

Pantiq që në kohë lufte ishte kryeshefi i stacionit policor në Istog, bashkë me të akuzuarin tjetër, ish-policin Zharko Zariq, ngarkohen me akuzat për krime lufte të kryera në Komunën e Istogut, përfshirë vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv e spastrim etnik gjatë luftës.

Gjatë dëshmisë, Sopi foli për dëbimin e familjeve shqiptare nga Gurrakoci, duke thënë se disa prej tyre u strehuan në fshatra të tjera të Istogut.

“Më kanë thënë që janë dëbuar prej fshatit të tyre. Iu kam thënë: ‘Nëse keni ku të strehoheni në rregull, nëse jo jemi ne’. Janë strehuar në disa fshatra, mirëpo në cilat shtëpi nuk e di”, ka thënë ai.

Po ashtu, ky dëshmitar ka theksuar se nuk e di se kush e dha urdhrin për dëbimin e banorëve të asaj zone.

“Më kanë thënë se na kanë nxjerrë prej shtëpive. Nuk mund të gjykoj, ose ta fajësoj dikë se kush ka dhënë urdhër dhe nuk mund të flas absolutisht, nuk mundem ta gjykoj dikë se nuk kam qenë aty ta shoh”, ka thënë Don Lush Sopi.

Në gjykatë ai ka thënë se fshatin Gurrakoc e vizitoi pas luftës dhe për krimet aty dëgjoi nga persona të tjerë.

“E kemi vizituar pas luftës. Na kanë thënë se ua kanë djegur shtëpitë dhe pas luftës i kam vizituar dhe e kam parë se çfarë ka ndodhur”, ka thënë ai.

Të pandehurit akuzohen se morën pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare nga shtëpitë e tyre në Komunën e Istogut, e po ashtu se morën pjesë edhe në plaçkitje, djegie të rreth 5 mijë shtëpive, shkatërrimin e pronave, si dhe në vrasjen e 260 personave, 19 prej të cilëve fëmijë.

Pantiq u arrestua në gusht të vitit 2023 në pikën kufitare në Merdar, ndërsa Zariq një ditë më vonë në fshatin Lubozhdë të Istogut.

Prokuroria Speciale në aktakuzë e bën përgjegjës ish-kryeshefin e stacionit policor në Istog, Pantiq, për veprimet e policisë në Istog, përfshirë për masakrat në Dubravë e Saradran.

Të dy të akuzuarit i kanë mohuar akuzat në shqyrtim fillestar.