Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Matt Damon tregon vështirësitë e rikthimit në familje pas xhirimeve të filmit “The Odyssey”

Matt Damon dhe bashkëshortja e tij, Luciana

Matt Damon dhe bashkëshortja e tij, Luciana

Foto: Associated Press

Aktori i njohur Matt Damon ka rrëfyer se rikthimi në jetën familjare pas përfundimit të xhirimeve të filmit epik “The Odyssey” nuk ishte aspak i lehtë.

Aktori 56-vjeçar, i cili luan rolin kryesor në filmin me regji të Christopher Nolan, ka treguar se mungesa e gjatë nga shtëpia e kishte bërë të vështirë përshtatjen sërish me jetën e bashkëshortes dhe katër vajzave të tij.

“Familja që ke lënë pas është detyruar të mësojë si të funksionojë pa ty dhe, kur kthehesh, duhet të gjesh sërish vendin tënd brenda saj”, ka thënë Damon në një intervistë për revistën People.

Ai shpjegoi se gjatë viteve të mëparshme familja e shoqëronte shpesh në udhëtimet për xhirime, duke bërë një jetë të ngjashme me atë të një cirku udhëtues. Por këtë herë, për filmin “The Odyssey”, ai qëndroi larg familjes më gjatë se kurrë më parë.

Xhirimet u zhvilluan në disa vende të botës, përfshirë Marokun, Greqinë, Italinë, Skocinë, Islandën, Saharën Perëndimore dhe Maltën.

“Kur fëmijët mbaronin shkollën, mund të vinin të më takonin. Por rikthimi në shtëpi është gjithmonë një proces i veçantë. Ne aktorët e quajmë ‘riintegrim’”, ka treguar ai.

Damon ka treguar edhe një episod humoristik, duke thënë se sa herë kthehej në shtëpi, zbulonte se vajzat kishin nisur aktivitete të reja jashtëshkollore.

“Papritur kthehesh në shtëpi dhe njëra prej tyre të thotë se ka filluar të luajë në violonçel. Ti habitesh dhe pyet: ‘Ti luan në violonçel?’”, ka treguar aktori me humor, duke e cilësuar profesionin e tij si një jetë të pazakontë.

Damon dhe bashkëshortja e tij, Luciana, kanë katër vajza, Alexia, 27 vjeçe, vajza e Lucianës nga një lidhje e mëparshme, Isabella, 20 vjeçe, Gia, 18 vjeçe dhe Stella, 16 vjeçe.

Çifti u njoh në vitin 2003 në Miami, gjatë xhirimeve të filmit “Stuck on You”, ku Luciana punonte si kameriere në një bar. Ata u martuan dy vite më vonë, në vitin 2005.

Aktori ka folur edhe për vështirësitë e punës në “The Odyssey”, duke e përshkruar përvojën si një “maratonë me ritëm sprinti”. Sipas tij, regjisori Nolan nuk bën pushime gjatë xhirimeve, ndërsa filmi u realizua brenda 91 ditësh, përfshirë edhe disa javë xhirime në det të hapur.

Damon ka thënë se një nga filmat më të vështirë që kishte realizuar më parë ishte “The Talented Mr. Ripley”, i vitit 1999.

“Gjatë më shumë se 30 vjetëve të karrierës sime, ai ka qenë ndoshta filmi më i vështirë. Kishim një buxhet prej rreth 37 milionë dollarësh, punonim gjashtë ditë në javë dhe duhej të ecnim me ritëm shumë të shpejtë”, ka kujtuar ai.

“The Odyssey”, i bazuar në poemën e lashtë greke të Homerit, është kthyer në një nga sukseset më të mëdha kinematografike të vitit, duke arkëtuar rreth 1.8 miliardë dollarë në mbarë botën.

Filmi pritet gjithashtu të jetë një nga pretendentët kryesorë në garën për çmimet “Oscar”, ku disa prej aktorëve të tij, përfshirë Matt Damon, Anne Hathaway, Tom Holland dhe Robert Pattinson, përmenden si kandidatë të mundshëm për disa çmime.