Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Andy Taylor – kitaristi që krijoi tingullin e grupit “Duran Duran”

Andy Taylor

Andy Taylor në “Maison Rouge Studios” në Londër më 1984

Kitaristi i njohur i grupit britanik “Duran Duran”, Andy Taylor – i cili vdiq në moshën 65-vjeçare – me kontributin e tij në kitarë, ndihmoi në realizimin e disa prej hiteve më të njohura të grupit, si “Girls on Film”, “Rio”, “Hungry Like the Wolf”, “The Reflex” dhe “A View to a Kill”. Gjatë viteve 1981–1986, “Duran Duran” arriti një sukses të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, duke u shndërruar në një prej grupeve më të njohura të muzikës pop-rock. Krahas angazhimit me “Duran Duran”, Taylor eksploroi edhe projekte të tjera muzikore

Në vitin 1980, Andy Taylor –  i cili ka vdekur të mërkurën në moshën 65-vjeçare, pas një beteje me kancerin e prostatës –  iu përgjigj një njoftimi të publikuar në revistën “Melody Maker”, ku kërkohej një kitarist me një stil të fuqishëm, me ndikime të muzikës blues dhe melodik. “I kisha të tria këto cilësi”, kujtonte ai. 

Taylor udhëtoi nga vendlindja e tij, Northumberland, drejt Birminghamit, për të marrë pjesë në një audicion në klubin “Rum Runner”, për një grup që më vonë do të rezultonte të ishte “Duran Duran”. Aty vuri re se anëtarët e tjerë të grupit kishin flokë të gjatë, të lëshuar, përdornin grim për sytë dhe ishin të përkushtuar ndaj gjithë atij imazhi që më vonë do të njihej si New Romantic.

Vetë Taylor kishte veshur xhinse dhe një palë atlete të vjetra, por, pavarësisht se anëtarët e grupit mezi arrinin ta kuptonin theksin e tij karakteristik nga Geordie, mbetën jashtëzakonisht të impresionuar nga mënyra se si luante në kitarë dhe i ofruan menjëherë vendin në grup. Kështu, ai u bë anëtari i tretë i grupit me mbiemrin Taylor, krahas bateristit Roger dhe basistit John, duke iu bashkuar Nick Rhodes në tastierë dhe vokalisti kryesor, Simon Le Bon.

Andy, i cili tregonte se deri në moshën 18-vjeçare kishte realizuar rreth 600 koncerte, solli me vete një frymë profesionalizmi dhe përvoje në “Duran Duran”.

Stili që përputhej me epokën e re të MTV-së

Grupi shumë shpejt u shndërrua në një prej përfaqësuesve kryesorë të lëvizjes New Romantic të fillimit të viteve ‘80. Stili elegant në veshje dhe jeta e shoqëruar me luks e argëtim përputheshin në mënyrë të përkryer me epokën e re të MTV-së dhe videoklipeve muzikore.

Suksesi i parë i grupit, kënga “Girls on Film” (e cila arriti vendin e pestë në top-listat britanike më 1981), përfitoi edhe nga polemikat që shkaktoi videoklipi shoqërues, i cili u ndalua nga BBC-ja dhe u censurua ndjeshëm për transmetim në MTV. Ndër videoklipet e tjera të spikatura, shpesh të realizuara nën regjinë e Russell Mulcahy, ishin “Rio” (me jahte, ishuj tropikalë dhe modele me bikini), “Hungry Like the Wolf” (me pamje nga xhunglat e Sri Lankës, më shumë anije dhe më shumë gra) dhe “The Wild Boys” (një prodhim kaotik me atmosferë të ngjashme me filmin ‘Mad Max’, ku Andy Taylor shfaqej i lidhur në figurën dekorative të një anijeje).

Incizimet muzikore të “Duran Duran”, të ndërtuara me shumë shtresa dhe detaje, nuk kërkonin nga Taylori solo të zgjatura e të bujshme në kitarë, por interpretimi i tij ishte një element thelbësor i tingullit të grupit. Rifi karakteristik i kitarës së tij ishte shtylla kurrizore e këngës “Is There Something I Should Know?” Ai i dha ngjyrë këngës “Hungry Like the Wolf” përmes tingujve të zgjatur dhe akordeve të fuqishme, shtoi ritme të shkurtra e të sakta të kitarës në “The Reflex” dhe “Girls on Film”, ndërsa në “The Wild Boys” solli një nuancë të kaosit karakteristik të muzikës heavy metal.

Formula muzikore e “Duran Duran” rezultoi jashtëzakonisht e suksesshme. Mes viteve 1981 dhe 1986, grupi arriti të rendiste 13 këngë në 20-shen më të mirë të klasifikimeve britanike, duke zënë vendin e parë me “Is There Something I Should Know?” dhe “The Reflex”. Ndërkohë, “Save a Prayer”, “The Wild Boys” dhe kolona zanore e filmit James Bond, “A View to a Kill”, arritën të pozicionoheshin në vendin e dytë.

Grupi pati gjithashtu tetë këngë në 20-shen më të mirë të klasifikimeve amerikane, ndërsa “A View to a Kill” u bë kënga e parë kolonë zanore e një filmi për James Bondin, që arriti vendin e parë të top-listës muzikore amerikane. Tri albumet e para të grupit u renditën në tri vendet e para në Britani të Madhe dhe në dhjetëshen më të mirë në SHBA. Albumi “Seven and the Ragged Tiger” (1983) arriti madje vendin e parë në klasifikimin britanik të albumeve.

Në vitin 1982, Taylor u bë anëtari i parë i grupit që u martua. Ai kurorëzoi dashurinë me Tracey Wilsonin, e cila kishte qenë stilistja e flokëve të grupit “Duran Duran”. 

Megjithatë, Taylor dëshironte të eksploronte edhe horizonte të tjera muzikore. Në vitin 1984, së bashku me John Taylorin, themeloi grupin “Power Station”, duke iu bashkuar këngëtarit Robert Palmer dhe bateristit Tony Thompson, ish-anëtar i grupit të njohur të muzikës disko, “Chic”.

Albumi i tyre “The Power Station” (1985) arriti vendin e 12-të në top-listën britanike dhe të gjashtin në atë amerikane. Grupi hyri gjithashtu në dhjetëshen më të mirë të këngëve në SHBA me “Some Like It Hot” dhe “Get It On”, të cilat në Britani u renditën përkatësisht në vendet 14 dhe 22.

Si “Power Station”, ashtu edhe “Duran Duran” performuan në koncertin madhështor “Live Aid”, të mbajtur në Filadelfia në korrik të vitit 1985. Megjithatë, kjo do të ishte paraqitja e fundit e formacionit origjinal të “Duran Duran” deri në vitin 2003.

Ndërkohë që Michael Des Barres e zëvendësoi Palmerin në “Power Station”, Taylor, Thompson dhe Bernard Edwards, anëtar i grupit “Chic”, morën pjesë si muzikantë të ftuar në albumin solo të Palmerit, “Riptide”. Në fund të vitit 1985, “Power Station” u shpërbë, jo pa u shfaqur më parë në disa episode të serialit televiziv “Miami Vice” dhe pa regjistruar këngën “We Fight for Love”, për filmin ‘Commando”, me yllin e Hollywoodit, Arnold Schwarzenegger.

“Duran Duran” më 1985: Andy Taylor, në qendër. Nga e majta: Roger Taylor, Nick Rhodes, John Taylor dhe Simon Le Bon

Fëmijëria dhe fillet muzikore

Taylor lindi në Tynemouth dhe u rrit në Cullercoats, një zonë pranë saj. Babai i tij, Robert, ishte peshkatar. 

“Çdo mashkull me mbiemrin Taylor ishte peshkatar”, tregonte Andy.

Nëna e tij, Blanche (mbiemri i vajzërisë Raper), u largua nga shtëpia kur Andy ishte vetëm pesë vjeç. Pas kësaj, një rol të rëndësishëm në rritjen e tij luajti gjyshja, Elizabeth.

Babai i kishte blerë një kitarë elektrike dhe e nxiste të ushtronte vazhdimisht, por ishte gjyshja ajo që e inkurajoi Andyn të largohej nga Cullercoats dhe të ndiqte ëndrrat e tij muzikore. Më vonë, babai i tij u martua sërish dhe u bë marangoz. Andy do të përfitonte nga aftësitë e tij kur hapi barin e verërave “Rio” në Whitley Bay, në vitin 1983.

Andy ndoqi shkollën fillore dhe të mesme në Whitley Bay, si dhe shkollën e mesme “Marden” në Cullercoats, por muzika u bë pasioni që pushtoi tërësisht jetën e tij. Ai mori mësime nga kitaristi vendas, Dave Black, i cili kishte luajtur në mesin e viteve ‘70 me ish-grupin shoqërues të David Bowiet, “Spiders from Mars”. Pas përfundimit të shkollës, në moshën 16-vjeçare, Taylor nisi karrierën profesionale si muzikant.

Ai kishte luajtur tashmë në klubet e punëtorëve me grupin “Gigolos”, ndërsa në vitin 1978 u angazhua nga një grup që performonte në bazat ushtarake amerikane në Gjermani dhe Itali. Kjo përvojë u shndërrua në një shkollë të jashtëzakonshme për të, pasi repertori i tyre ndryshonte sipas publikut: për ushtarët e thjeshtë interpretonin këngë të “Aerosmith” apo “AC/DC”, ndërsa në klubet e oficerëve luanin muzikë me ndikime jazzi dhe këngë të grupit “Eagles”.

“Në Gjermani luanin 28 koncerte në muaj, duke transportuar vetë pajisjet tona dhe duke përshkuar nga 300 deri në 500 kilometra çdo ditë”, kishte treguar Taylor. 

Kjo përvojë e përgatiti atë për të interpretuar pothuajse çdo stil muzikor. Ai shpjegonte se gjatë audicionit për “Duran Duran”, anëtarët e grupit ishin impresionuar veçanërisht nga aftësia e tij për të luajtur në stile të ndryshme: rock, blues, R&B dhe muzikë funk.

Andy Taylor (i pari djathtas në Londër më 1981) me “Duran Duran”: Nga e majta: John Taylor, Nick Rhodes, Roger Taylor dhe Simon Le Bon

Karriera solo dhe rikthimet në skenë

Pas shpërbërjes së “Power Station”, Taylor nisi një karrierë solo. Ai dëshmoi se kishte talent të veçantë për rockun e fortë me prirje komerciale përmes këngës “Take It Easy” (1986), kolonë zanore e filmit “American Anthem”, e cila arriti të renditet në vendin e 30-të të top-listës së këngëve më të mira në Amerikë. Një tjetër sukses ishte kënga “When the Rain Comes Down”, e realizuar për serialin “Miami Vice”, në bashkëpunim me ish-anëtarin e “Sex Pistols”, Steve Jones. Kënga u përfshi në albumin muzikor të serialit “Miami Vice II”.

Albumi i tij i parë solo, “Thunder”, u publikua në vitin 1987 dhe pjesa më e madhe e këngëve ishte shkruar në bashkëpunim me Jonesin. Në këtë album, Taylor riktheu në plan të parë instinktet e tij për muzikën rock, një pasion i ushqyer prej kohësh edhe nga admirimi për kitaristin e “AC/DC”, Angus Young. Kënga “Don’t Let Me Die Young” ishte një nga më të spikaturat e albumit.

Megjithatë, mungesa e suksesit në klasifikimet muzikore e shtyu atë të përqendrohej në punën si producent. Ishte autor dhe bashkëproducent i albumit të Rod Stewartit, “Out of Order” (1988), i cili u rendit në 20-shen më të mirë si në Britani, ashtu edhe në SHBA.

Më pas, Taylor bashkëpunoi me artistë dhe grupe britanike, përfshirë “Thunder”, “The Almighty” dhe Mark Shaw. Ishte gjithashtu njëri prej disa producentëve të albumit të Stewartit, “A Spanner in the Works” (1995).

Albumi i dytë solo i titulluar “Dangerous” (1990), ishte një përmbledhje versionesh të ripunuara të këngëve të artistëve të tjerë. Megjithatë, ai nuk arriti të tërhiqte shumë vëmendje dhe nuk u rendit në klasifikimet muzikore. Në vitin 1994, Taylor u ribashkua me “Power Station”. Grupi përfundoi edhe albumin e dytë, “Living in Fear’, por projekti u godit rëndë nga vdekja e papritur e Bernard Edwardsit, në vitin 1996.

Në vitin 2004, Taylor u ribashkua me “Duran Duran” për realizimin e albumit të ri “Astronaut”. Ky projekt solli edhe një sukses të madh në Britani të Madhe me këngën “Reach Up for the Sunrise”, e cila zuri vendin e pestë në top-listat muzikore.

Grupi realizoi një turne ndërkombëtar dhe performoi në koncertin “Live 8” në Romë. Megjithatë, në vitin 2006, Taylor u largua sërish nga grupi, gjatë përpjekjeve për realizimin e një albumi të ri. Këtë herë, ndarja nuk ishte aspak miqësore. Anëtarët e grupit deklaruan se “mes nesh ekziston një hendek i pakapërcyeshëm”, ndërsa Taylor foli për tensionet dhe mosmarrëveshjet në autobiografinë e tij “Wild Boy: My Life in Duran Duran”, botuar në vitin 2008.

Beteja me sëmundjen dhe kapitulli i fundit

Në vitin 2018, Taylor u diagnostikua me kancer të prostatës në shkallën e katërt. Sëmundja e pengoi atë të merrte pjesë në ceremoninë e përfshirjes së “Duran Duran” në Rock and Roll Hall of Fame, në vitin 2022. Megjithatë, Simon Le Bon lexoi disa pjesë nga një letër që Taylor kishte dërguar me këtë rast, ku shprehte krenarinë për grupin dhe nderimin që ndiente për këtë sukses.

Me sugjerimin e Sir Chris Evansit, themeluesit të organizatës “Cancer Awareness Trust”, Taylor nisi një trajtim me injeksione të Lutetium-177, pasi trajtimet e mëparshme nuk kishin arritur ta ngadalësonin përparimin e sëmundjes. Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua mjaftueshëm saqë, në vitin 2023, ai mundi t’i bashkohej sërish grupit “Duran Duran” për realizimin e albumit “Danse Macabre”. Po atë vit, publikoi edhe një album tjetër solo të titulluar “Man’s a Wolf to Man”.

Andy Taylor ka lënë pas bashkëshorten Tracey dhe katër fëmijët e tyre: Andrew, Georgina, Bethany dhe Isabella.