Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lajme

Milo: Kam qenë simpatizant i Kurtit derisa erdhi në pushtet

Paskal Milo

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, ka thënë se ka qenë për shumë vite simpatizant dhe mbështetës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, por se qëndrimi i tij ka ndryshuar pasi ai erdhi në pushtet. 

Milo ka vlerësuar se përgjegjësia e qeverisjes kërkon qasje tjetër politike, sidomos në raport me partnerët ndërkombëtarë, duke shtuar se te politika e jashtme e Kurtit ka pasur përparësi nacionalizmi dhe politika e brendshme, në raport me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Ai ka treguar se Kurtin e ka vlerësuar që nga koha kur ishte student dhe angazhohej në lëvizjet politike, ndërsa ka thënë se e ka mbështetur deri në momentin kur mori drejtimin e qeverisë.

“Unë e kam vlerësuar në vijimësi për shumë vite Albin Kurtin. Që në kohën e konflikteve kur ishte student dhe që shikonim lëvizjen e tij. Kam qenë gjithnjë një simpatizant i tij pavarësisht distancës së moshës që kemi, derisa erdhi në pushtet kam qenë plotësisht mbështetës. Por, pushteti, përgjegjësia e qeverisjes të detyron që shpesh të ndryshosh jo vetëm mendime dhe qëndrime, por nganjëherë edhe fytyrën në raport me publikun, por edhe me ndërkombëtarët. Është sfidë e madhe të jesh në pushtet, nuk është kollaj, mirëpo nuk duhet të korrigjosh, shumë ide, qëndrime dhe pikëpamje të opozitës nuk qëndrojnë kur vjen në pushtet sepse në opozitë je i lirë t’i shfaqësh, t’i manifestosh qoftë edhe për të fituar vota dhe mbështetje elektorale, kurse kur je në qeveri ke përgjegjësi të madhe të qeverisë ndaj të gjithë shqiptarëve, ndaj gjithë atyre që të kanë zgjedhur por edhe në raport me ndërkombëtarët sepse ke detyrime ndërkombëtare, një shtet serioz duhet t’i respektojë”, ka thënë ai.

Derisa ka folur për politikën e jashtme të Kurtit, ish-diplomati shqiptar ka vlerësuar se ajo është karakterizuar më shumë nga nacionalizmi dhe politika e brendshme sesa nga partneriteti me ndërkombëtarët.

Milo ka përmendur veçanërisht çështjen e veriut të Kosovës, duke thënë se përballja me problemet në këtë pjesë të vendit ka marrë shumë energji dhe kohë, ndërsa, sipas tij, diplomacia nuk ka pasur vëmendjen e nevojshme.

“Mendoj se te politika e jashtme e z.Kurti ka sunduar apo ka pasur përparësi më shumë nacionalizmi, politika e brendshme sesa detyrimet kontraktuale ndërkombëtare të Kosovës ose e thënë pak më ndryshe, nuk ka pasur përparësi aleanca dhe partneriteti me ndërkombëtarët në një kohë kur ai ballafaqohej me probleme thelbësore siç ishte veriu i Kosovës dhe që ato harxhuan shumë energji, shumë kohë, pak diplomaci”, ka theksuar Milo.

Lexo përditësimet tjera
Paskal Milo

Milo e cilëson ofendues për shqiptarët vendimin e Speciales

Ndryshimet në skenën politike ndërkombëtare dhe mungesa e figurave që mbështetën çlirimin e Kosovës, si Bill...