Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gërvalla kërkon hetim të plotë pas vrasjes së 25-vjeçares shtatzënë në Malishevë

malisheve

Pamje KTV - Malishevë

Pas rastit tragjik të vrasjes së një gruaje 25-vjeçare shtatzënë në fshatin Kërvasari të Malishevës, Ministrja në detyrë e Drejtësisë, njëherësh Koordinatorja Kombëtare kundër Dhunës në Familje, Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës me Bazë Gjinore, Donika Gërvalla, ka zhvilluar takim me përfaqësues të Policisë së Kosovës, Prokurorisë, Gjykatës dhe Qendrës për Punë Sociale.

Siç bëhet e ditur në komunikatën për media, takimi kishte për qëllim shqyrtimin e funksionimit të mekanizmave institucionalë dhe identifikimin e masave të nevojshme për parandalimin e rasteve të dhunës.

“Rastet e tilla na obligojnë të ndalemi, të shohim me përgjegjësi të plotë funksionimin e mekanizmave institucionalë dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar përsëritjen e tyre. Por çdo jetë e humbur na obligon të bëjmë më shumë, shumë më herët, të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të parandaluar rastin tjetër”, deklaroi Gërvalla.

Ajo theksoi se parandalimi i dhunës kërkon bashkëpunim dhe përgjegjësi të plotë nga të gjitha institucionet.

“Parandalimi kërkon vigjilencë, përgjegjësi dhe bashkëpunim të plotë mes institucioneve. Secili duhet të jetë në nivelin e detyrës, të veprojë me kohë dhe të mos lejojë asnjë hallkë e sistemit të dështojë”, u shpreh ajo.

Edhe PDK-ja e Aleanca sërish para Qeverisë, kërkojnë Kurtin në Kuvend Arbëri PDK-ja e Aleanca sërish para Qeverisë, kërkojnë Kurtin në Kuvend

Sipas informacioneve të institucioneve përgjegjëse, bashkëshorti i viktimës dyshohet për përfshirjen në rast, ndërsa viktima, bazuar në të dhënat e deritanishme, nuk rezulton të ketë qenë më parë e evidentuar në ndonjë situatë që do të sinjalizonte një rrezik të tillë.

Gërvalla kërkoi që rasti të hetohet në tërësi dhe të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme nga organet kompetente.

“Tashmë është e domosdoshme që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme dhe rasti të zbardhet plotësisht”, tha ajo.

Ministrja e Drejtësisë në detyrë theksoi gjithashtu se përgjegjësia duhet të përcaktohet vetëm nga organet kompetente dhe në përputhje me ligjin.

“Përgjegjësia duhet të përcaktohet nga organet kompetente dhe asnjë rrethanë e rastit nuk duhet të mbetet pa u hetuar”, deklaroi Gërvalla.

Edhe Moti sot me diell e vranësira të çrregullta Arbëri Moti sot me diell e vranësira të çrregullta

Ajo ritheksoi qëndrimin institucional për zero tolerancë ndaj dhunës, duke theksuar se institucionet do të vazhdojnë punën për mbrojtjen e viktimave dhe forcimin e mekanizmave për parandalimin e dhunës.

“Për dhunën nuk ka justifikim. Do të ketë zero tolerancë dhe asnjë kompromis ndaj saj. Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së çdo gruaje dhe çdo qytetari është përgjegjësi e padiskutueshme institucionale”, deklaroi Gërvalla.