Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas ngjarjes tragjike në fshatin Demiraj të Gjilanit të dielën, ku humbën jetën një burrë 27-vjeçar dhe një foshnjë, ndërsa si i dyshuar është arrestuar babai i 27-vjeçarit.
Gërvalla në një postim në Facebook ka kërkuar reagim të menjëhershëm institucional, që të zbardhet e vërteta dhe institucionet të ndërmarrin veprimet sipas ligjit.
“Një ngjarje tragjike ka tronditur sot Gjilanin dhe të gjithë ne, me humbjen e dy jetëve në fshatin Demiraj. Familja duhet të jetë streha më e sigurt e njeriut, vendi ku mbizotërojnë dashuria, harmonia, kujdesi dhe mbrojtja. Çdo ngjarje që e cenon këtë siguri kërkon vëmendje dhe reagim të menjëhershëm institucional. Në këto momente, është e domosdoshme që rrethanat e këtij rasti të hetohen plotësisht dhe pa vonesa, në mënyrë që e vërteta të zbardhet dhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin veprimet që kërkon ligji. Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të viktimave”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.