Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Keqkuptimi shqiptar i demokracisë

Sfida më e madhe e shqiptarëve në shekullin 21 nuk është krijimi i institucioneve të reja demokratike. Sfida është krijimi i një kulture demokratike që respekton mendimin ndryshe, vlerëson meritën, kërkon përgjegjësi dhe vendos interesin publik mbi interesin partiak. Vetëm atëherë demokracia do të jetë jo vetëm formë qeverisjeje, por edhe mënyrë e të menduarit dhe e të jetuarit në shoqëri

Kanë kaluar më shumë se tri dekada nga rënia e komunizmit në Shqipëri dhe tri dekada nga vendosja e pluralizmit politik në Kosovë. Shqiptarët jetojnë sot në rrethana krejtësisht të ndryshme nga ato që ekzistonin para viteve 1990. Ekzistojnë zgjedhje, parti politike, media të lira, organizata të shoqërisë civile dhe institucione publike të krijuara sipas modelit demokratik perëndimor. Megjithatë, pavarësisht këtyre ndryshimeve, shumë probleme të jetës publike dhe politike vazhdojnë të jenë të pranishme.
Arsyeja kryesore është se shqiptarët e fituan lirinë politike, por nuk arritën të krijojnë në të njëjtën masë kulturën politike të lirisë. U krijuan institucionet e demokracisë, por nuk u kuptua plotësisht logjika mbi të cilën ato funksionojnë. Për këtë arsye, shumë sjellje, qëndrime dhe mënyra të të menduarit të trashëguara nga e kaluara vazhdojnë të ndikojnë edhe sot në jetën publike.

Problemi i sferës publike nuk është i panjohur në teorinë politike. Sipas Jürgen Habermas, sfera publike ekziston atëherë kur qytetarët diskutojnë çështjet e përbashkëta në mënyrë racionale dhe kur argumenti ka më shumë peshë sesa pozita, pushteti apo ndikimi. Një pjesë e vështirësive të shoqërive shqiptare lidhet pikërisht me faktin se debati publik shpesh dominohet nga përkatësia politike dhe jo nga forca e argumentit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një nga problemet themelore është se sfera publike ende nuk kuptohet si duhet. Në demokraci, sfera publike është hapësira ku qytetarët diskutojnë për interesin e përbashkët, ku institucionet kontrollohen nga opinioni publik dhe ku përgjegjësia politike është pjesë e jetës së përditshme. Në shoqëritë shqiptare, kjo logjikë ende nuk është konsoliduar plotësisht. Shpeshherë shteti vazhdon të shihet si pronë e atyre që e qeverisin dhe jo si një e mirë e përbashkët që u përket të gjithë qytetarëve.
Edhe Alexis de Tocqueville kishte vërejtur se demokracia nuk mbështetet vetëm në institucione, por edhe në kulturën politike të qytetarëve. Zgjedhjet dhe partitë politike mund të krijohen brenda një kohe të shkurtër, por zakonet demokratike formohen shumë më ngadalë. Në këtë aspekt, tranzicioni shqiptar dëshmon se krijimi i institucioneve ka ecur më shpejt sesa formimi i kulturës demokratike.
Po aq problematik mbetet edhe kuptimi i pluralizmit politik. Në thelb, pluralizmi nënkupton konkurrencë ndërmjet ideve, programeve dhe alternativave të ndryshme qeverisëse. Në realitet, shpeshherë ai reduktohet në përballje grupesh politike që e trajtojnë njëra-tjetrën jo si kundërshtare, por si armiq. Për pasojë, debati politik zhvillohet më shumë rreth individëve sesa rreth ideve dhe më shumë rreth besnikërisë sesa rreth argumenteve.

Në këtë kuptim, Hannah Arendt e konsideronte hapësirën publike si vendin ku qytetarët paraqiten para njëri-tjetrit si të barabartë dhe ku çështjet e përbashkëta trajtohen përmes debatit. Kur kundërshtari politik trajtohet si armik dhe jo si pjesëmarrës në të njëjtën hapësirë publike, atëherë dobësohet vetë kuptimi i politikës demokratike.

Kjo logjikë vërehet pothuajse njësoj si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë. Edhe pse rrethanat historike kanë ndryshuar rrënjësisht, mënyra e reagimit ndaj kundërshtarit politik shpesh vazhdon të mbajë elemente të logjikës së konfliktit. Kundërshtari politik nuk trajtohet si pjesë e së njëjtës shoqëri demokratike, por si dikush që duhet mundur, diskredituar ose përjashtuar.

Kjo logjikë nuk mbetet vetëm brenda partive politike. Ajo transmetohet gradualisht në të gjithë shoqërinë. Gjuha e përdorur nga politikanët në Shqipëri dhe në Kosovë ka krijuar nivele të larta polarizimi shoqëror. Në vend që politika të shërbejë si mjet për organizimin e dallimeve, ajo shpesh shndërrohet në burim përçarjeje. Si pasojë, qytetarët fillojnë ta shohin njëri-tjetrin përmes bindjeve politike dhe jo përmes përkatësisë së përbashkët qytetare. Në këtë mënyrë, polarizimi politik shndërrohet në polarizim shoqëror.

Kjo qasje mund të ketë qenë e kuptueshme në periudha të caktuara historike kur ekzistonin kërcënime reale ndaj ekzistencës kombëtare. Sot, kur Shqipëria është shtet i pavarur prej vitit 1912 dhe Kosova prej vitit 2008, vazhdimi i kësaj logjike prodhon vetëm tensione dhe polarizime të panevojshme të brendshme.

Një problem tjetër lidhet me përbërjen e vetë sferës publike. Në vëzhgimin tim, ajo dominohet kryesisht nga tri kategori njerëzish. Kategoria e parë përbëhet nga idealistët, të cilët hyjnë në jetën publike me bindjen se mund të kontribuojnë për të mirën e përbashkët. Kategoria e dytë përbëhet nga ata që e shohin politikën dhe institucionet si mundësi për ndikim, privilegj ose përfitim personal. Kategoria e tretë përbëhet nga individë që e përdorin pozitën publike për korrupsion ose për interesa të ngushta private.

Problemi nuk qëndron te ekzistenca e këtyre kategorive. Ato gjenden në çdo shoqëri. Problemi qëndron te fakti se idealistët rrallëherë arrijnë të krijojnë standardin dominues të jetës publike.
Kjo ka prodhuar një dukuri edhe më problematike. Shoqëria shqiptare ka zhvilluar një aftësi të pazakontë për të toleruar bashkëjetesën e kundërthënieve të mëdha morale dhe publike. Për më shumë se 35 vite, në të njëjtën hapësirë publike kanë bashkëjetuar e mira dhe e keqja, idealisti dhe përfituesi, intelektuali dhe keqbërësi publik, i dijshmi dhe i padijshmi. Vetë ekzistenca e këtyre kategorive nuk është e pazakontë. Ajo që është e pazakontë është toleranca e lartë shoqërore ndaj tyre.

Në shumë raste, shoqëria nuk arrin të vendosë kufij të qartë ndërmjet meritës dhe paaftësisë, ndërmjet integritetit dhe mungesës së integritetit, ndërmjet kontributit publik dhe dëmit publik. Mendimi i ekspertit shpesh vendoset në të njëjtin nivel me mendimin e të padijshmit. Integriteti personal shpesh trajtohet njësoj si mungesa e integritetit. Kontributi publik shpesh vlerësohet po aq sa edhe dëmi publik.
Pikërisht këtu fillon normalizimi i absurditeteve. Pas më shumë se tri dekadash tranzicion, shoqëritë shqiptare kanë prodhuar aq shumë paradokse sa një pjesë e tyre kanë kaluar nga përjashtim në normalitet. Fenomene që në demokracitë e konsoliduara do të konsideroheshin skandale serioze, në hapësirën shqiptare shpesh trajtohen si zhvillime të zakonshme. Premtimet e papërmbushura, mungesa e përgjegjësisë politike, standardet e dyfishta, klientelizmi dhe praktika të tjera të ngjashme shpesh nuk shkaktojnë reagimin që do të duhej të shkaktonin.

Një nga paradokset më të mëdha të demokracisë shqiptare lidhet me raportin ndaj zgjedhjeve. Në parim, rezultati zgjedhor pranohet formalisht nga të gjithë pjesëmarrësit. Megjithatë, menjëherë pas zgjedhjeve fillon kundërshtimi përmbajtësor i vetë rezultatit. Në vend që të debatohet mbi programet, politikat ose arsyet e humbjes dhe të fitores, vëmendja shpesh zhvendoset te cilësia e votuesve. Fillon diskutimi se cila kategori shoqërore ka votuar për njërën palë ose tjetrën, nëse votuesit kanë qenë mjaftueshëm të informuar ose nëse kanë bërë zgjedhjen e duhur.

Kjo përbën një paradoks të demokracisë shqiptare: pranohet vota si procedurë, por shpesh vihet në dyshim gjykimi i atyre që kanë votuar.

Një absurditet tjetër është prirja për ta shpjeguar çdo rezultat të pafavorshëm me korrupsionin e të tjerëve. Në diskursin publik dëgjohen vazhdimisht pretendime për korruptimin e opozitës politike, të shoqërisë civile, të mediave, të intelektualëve ose të grupeve të ndryshme shoqërore. Natyrisht, korrupsioni është një problem real dhe i pranishëm. Por kur çdo mendim ndryshe shpjegohet vetëm përmes korrupsionit, atëherë humbet aftësia për të kuptuar arsyet reale të mospajtimeve politike dhe shoqërore. 
Nuk është rastësi që një pjesë e konsiderueshme e literaturës serioze perëndimore politike dhe juridike vazhdon t'i klasifikojë vendet shqiptare si shoqëri postkomuniste. Ky emërtim nuk përdoret vetëm për të treguar një periudhë historike të kaluar. Ai përdoret edhe për të shpjeguar mbijetesën e sjelljeve, mentaliteteve dhe kulturës politike që janë formuar në atë periudhë dhe që vazhdojnë të ndikojnë në funksionimin e demokracisë edhe sot.

Një nga karakteristikat më të veçanta të tranzicionit shqiptar është premtimi i vazhdueshëm i shpresës. Për më shumë se tri dekada qytetarëve u është premtuar një e ardhme më e mirë. Çdo gjeneratë ka dëgjuar premtime për zhvillim ekonomik, drejtësi, mirëqenie dhe standarde evropiane.
Natyrisht, shpresa është element i domosdoshëm i çdo shoqërie demokratike. Por kur ajo premtohet vazhdimisht dhe rezultatet mungojnë, atëherë shpresa humbet kuptimin e saj fillestar.

Madje, në planin politik, premtimi i vazhdueshëm i shpresës mund të jetë më problematik sesa vetë iluzioni. Iluzioni zakonisht zbulohet dhe rrëzohet brenda një kohe të caktuar. Shpresa e premtuar, përkundrazi, mund të shtyhet pafundësisht në kohë. Ajo vazhdon të mbetet gjithmonë e lidhur me të ardhmen dhe për këtë arsye është më e vështirë të matet dhe të gjykohet.

Përfundimisht, problemi kryesor i shoqërive shqiptare sot nuk është mungesa e lirisë politike. Shqiptarët jetojnë më të lirë se në çdo periudhë tjetër të historisë së tyre moderne. Problemi kryesor është mungesa e kulturës politike që do t'i jepte kuptim dhe përmbajtje kësaj lirie. Demokracia nuk matet vetëm me ekzistencën e zgjedhjeve, partive politike dhe institucioneve. Ajo matet edhe me aftësinë e shoqërisë për të dalluar të mirën nga e keqja, meritën nga paaftësia, integritetin nga korrupsioni, kundërshtarin nga armiku dhe interesin publik nga interesi personal.

Për më shumë se tri dekada, shoqëritë shqiptare kanë pranuar të bashkëjetojnë me kundërthënie që në demokracitë e konsoliduara do të konsideroheshin të papranueshme. Kanë pranuar të bashkëjetojnë e mira dhe e keqja, idealisti dhe përfituesi, intelektuali dhe keqbërësi publik, i dijshmi dhe i padijshmi. Kanë pranuar rezultatin zgjedhor si procedurë, por shpesh kanë kundërshtuar përmbajtjen e tij. Kanë pranuar pluralizmin politik si parim, por shpesh kanë vazhduar ta trajtojnë kundërshtarin si armik. Kanë pranuar debatin publik si domosdoshmëri, por shpesh kanë preferuar etiketimin në vend të argumentit.

Pikërisht për këtë arsye, sfida më e madhe e shqiptarëve në shekullin 21 nuk është krijimi i institucioneve të reja demokratike. Sfida është krijimi i një kulture demokratike që respekton mendimin ndryshe, vlerëson meritën, kërkon përgjegjësi dhe vendos interesin publik mbi interesin partiak. Vetëm atëherë demokracia do të jetë jo vetëm formë qeverisjeje, por edhe mënyrë e të menduarit dhe e të jetuarit në shoqëri.

(Autori është profesor i teorisë së shtetit dhe së drejtës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)