Grupet parlamentare të PDK-së dhe Aleancës, së bashku me disa përfaqësues të organizatave studentore të Universitetit të Prishtinës, kanë kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të Kosovës, duke e vlerësuar ngërçin institucional si pengesë edhe për të ardhmen e të rinjve, raporton Ekonomia Online.
Përfaqësuesi i studentëve Granit Spahiu ka thënë se kriza institucionale nuk është vetëm politike, por përbën edhe një mesazh të keq për një gjeneratë të tërë, duke paralajmëruar se studentët nuk do të qëndrojnë pafundësisht pasivë përballë bllokimit të institucioneve.
“Kjo nuk është vetëm një krizë politike, por është edhe një mesazh shumë i keq për një gjeneratë të tërë. Ne na thoni çdo ditë: mësoni, punoni dhe ndërtoni të ardhmen këtu. Por si ta ndërtojmë të ardhmen këtu, kur ata që duhet të ndërtojnë të tashmen nuk po funksionojnë? Ne nuk duam privilegje. Duam një universitet që na ec përpara, duam mundësi për të rinjtë, dhe duam institucione që punojnë. Duam edhe një shtet që nuk na detyron të largohemi, por na mundëson që të krijojmë të ardhmen këtu. Dhe ka diçka tjetër që dua ta them: Mos e nënvlerësoni asnjëherë studentin. Sepse shumë herë në historinë e këtij vendi, kur të tjerët kanë pritur, studentët gjithmonë kanë dalë. Kur të tjerët kanë heshtur, vetëm studentët kanë folur. Dhe kur është dashur ndryshim, studentët gjithmonë kanë qenë aty”, tha ai.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se të rinjtë që sot janë studentë kanë parë krizën institucionale të vazhdojë për vite, ndërsa sipas tij, kjo situatë po ndikon edhe në mundësitë e tyre për punësim dhe qëndrim në Kosovë.
“Këta studentë që kanë ardhur sot duhet të kishin qenë fëmijë kur Albin Kurti ka fituar zgjedhjet në vitin 2020. Duhet të kishin qenë në gjimnaz ose në shkollë fillore. Sot janë studentë edhe shohin të vazhdojë e njëjta krizë. Dikush që në vitin 2020 kur ka fituar Albin Kurti ka qenë nxënës, sot mund të jetë i diplomuar në universitet edhe pret të gjejë një vend pune. Në fakt e vetmja gjë që ju ka ofruar mbasi ka diplomuar është largimi prej Kosovës. 300 mijë njerëz e kanë lëshuar Kosovën për 5 vjet. Ky nuk është migrim, kjo nuk është lëvizje e njerëzve, kjo është zhvendosje masive e njerëzve prej Kosovës. Dhe kjo ndodh sepse përveç qeverisjes, sot është përmbysur rendi kushtetues. Si mund të presë një i ri që ka ardhur sot me neve këtu që të bëhet diçka për të, për familjen e tij, për prindërit e tij, për një vend pune që kërkon pas diplomimit kur organi kryesor i vendit mbahet i bllokuar. Dhe bllokimi i Kuvendit, shkelja e njëpasnjëshme e kushtetutës nuk është një çështje formale, është simptoma e një pushteti anarkik, e një pushteti autoritar që s’njeh asnjë normë, përkundrazi përmbys çdo normë, që s’ka asnjë respekt për qytetarin e Kosovës, po mbi të gjitha nuk ka respekt për votuesin e tij”, tha ai.
Edhe
Caktohet seanca konstituive, partitë përballen me afatin për presidentin
Ndërsa, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, ka kërkuar që institucionet të formohen dhe procesi të vazhdojë pa vonesa.
“Sot jemi këtu pranë qeverisë, para qeverisë dhe abuzimi me shtetin po vazhdon, bllokada me shtetin po vazhdon. Ajo çka është e rëndësishme që ne jemi betuar si deputetë për ta mbrojtur kushtetutën dhe gjithmonë do të jemi në mbrojtje të kushtetutës. Andaj nuk do të ndalemi derisa institucionet të formohen, qeveria të formohet dhe të vazhdojmë punën e të mos bllokohemi. Andaj ftoj edhe një herë zotin Kurti që të vjen në Kuvend, të formojë institucionet dhe të vazhdojmë punën tutje”, tha ajo.