Asnjë kushtetutë nuk shkruhet për ditët kur politika pajtohet. Kushtetutat shkruhen pikërisht për ditët kur politika nuk arrin të pajtohet. Ato nuk ekzistojnë për ta zhdukur konfliktin politik, por për ta mbajtur atë brenda kufijve të rendit kushtetues. Pikërisht në këtë provë ndodhet sot Republika e Kosovës.
Brenda rreth tetëmbëdhjetë muajve, qytetarët e Republikës së Kosovës janë thirrur tri herë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend. Në vetvete, kjo nuk dëshmon një krizë kushtetuese. Në një demokraci parlamentare, zgjedhjet janë burimi më i lartë i legjitimitetit të pushtetit dhe kthimi te qytetari mbetet gjithmonë zgjidhja më demokratike. Problemi fillon atëherë kur vullneti i shprehur me votë nuk arrin të shndërrohet në institucione funksionale. Pikërisht këtu nis dallimi ndërmjet legjitimitetit politik dhe përgjegjësisë kushtetuese.
Kushtetuta nuk ka dështuar
Në debatin publik është krijuar pothuajse një shprehi që çdo bllokadë institucionale të përshkruhet si “krizë e Kushtetutës”. Ky është një përfundim i lehtë, por jo domosdoshmërisht i saktë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk ka dështuar. Kushtetuta përcakton institucionet, kompetencat, procedurat dhe mënyrat e ushtrimit të pushtetit shtetëror. Ajo që ka munguar, në shumë raste, nuk është norma kushtetuese, por kultura kushtetuese për ta kuptuar dhe zbatuar qëllimin e saj.
Kushtetuta nuk është një përmbledhje procedurash që vihen në veprim vetëm pas zgjedhjeve. Ajo është themeli juridik dhe politik i Republikës. Qëllimi i saj nuk është vetëm ta kufizojë pushtetin, por edhe ta rregullojë ushtrimin e tij, në mënyrë që institucionet të funksionojnë pandërprerë, pavarësisht ndryshimit të shumicave politike. Për këtë arsye, dispozitat kushtetuese nuk mund të lexohen të shkëputura nga qëllimi i tyre. Çdo interpretim që e redukton Kushtetutën në një mjet të interesit partiak e largon atë nga arsyeja për të cilën është miratuar.
Historia e konstitucionalizmit modern dëshmon se kushtetutat nuk mbështeten në supozimin se të zgjedhurit politikë do të pajtohen gjithmonë. Përkundrazi, ato nisen nga bindja se pluralizmi prodhon dallime, ndërsa institucionet duhet të jenë të afta t’i shndërrojnë këto dallime në vendimmarrje. James Madison, në The Federalist No. 10, argumentonte se përplasja ndërmjet interesave nuk është mangësi e republikës, por tipar i natyrshëm i saj. Detyra e Kushtetutës nuk është ta zhdukë këtë përplasje, por ta drejtojë atë përmes institucioneve.
Edhe Të shpëtohet shteti nga vetëshkatërrimi: Pse Gjykata Kushtetuese duhet ta rrëzojë precedentin e vitit 2011 përpara se të jetë shumë vonëPrandaj, vlera e një kushtetute nuk matet në periudha qetësie politike, por në aftësinë e saj për ta ruajtur funksionimin e shtetit edhe kur politika nuk arrin marrëveshje. Sfida me të cilën përballet sot Kosova nuk është, para së gjithash, juridike. Ajo është sfidë e kulturës kushtetuese. Edhe dispozitat më të qarta prodhojnë bllokadë kur lexohen vetëm përmes interesit të çastit.
Nga mandati politik te përgjegjësia kushtetuese
Në debatin tonë publik flitet shumë për të drejtat dhe kompetencat e deputetit. Shumë më rrallë flitet për detyrimet që burojnë nga vetë mandati kushtetues. Në një republikë parlamentare, zgjedhjet nuk janë fundi i procesit demokratik; zgjedhjet janë fillimi i tij. Qytetarët japin legjitimitetin politik përmes votës, ndërsa Kushtetuta ua beson përfaqësuesve të zgjedhur përgjegjësinë për ta shndërruar atë legjitimitet në institucione funksionale.
Mandati politik është rezultat i konkurrencës zgjedhore. Mandati politik u jep subjekteve politike të drejtën të kërkojnë mbështetje për programet e tyre dhe të synojnë ushtrimin e pushtetit. Mandati kushtetues, në anën tjetër, fillon në çastin kur deputeti verifikon mandatin dhe merr përsipër ushtrimin e funksionit publik sipas Kushtetutës. Nga ai çast, deputeti nuk është më vetëm përfaqësues i partisë që e ka kandiduar. Deputeti bëhet bartës i një përgjegjësie ndaj Republikës.
Çdo kompetencë që Kushtetuta ia beson një institucioni ekziston për të realizuar një qëllim kushtetues. Për këtë arsye, ajo përmban edhe detyrimin që të ushtrohet në interes të Republikës. Kuvendi nuk është vetëm vendi ku përballen shumica dhe opozita. Nga funksionimi i tij varen formimi i Qeverisë, zgjedhja e presidentit, kontrolli parlamentar dhe vazhdimësia e rendit kushtetues.
Përgjegjësia e deputetit nuk përfundon me përfaqësimin e bindjeve politike të elektoratit të tij. Përgjegjësia fillon pikërisht aty ku interesi partiak takohet me interesin kushtetues të Republikës. Kjo nuk do të thotë që deputeti duhet të heqë dorë nga bindjet politike. Do të thotë se ushtrimi i tyre nuk mund të shkojë deri në paralizimin e institucioneve që ai është zgjedhur t’i vërë në funksion.
Zgjedhja e presidentit është detyrim i Kuvendit
Në debatin politik në Kosovë, zgjedhja e presidentit shpesh paraqitet si rezultat i marrëdhënieve ndërmjet partive parlamentare, si çështje e shumicës ose si pjesë e marrëveshjeve politike. Një lexim i plotë i Kushtetutës të çon në një përfundim tjetër: zgjedhja e presidentit nuk është vetëm e drejtë politike e shumicës parlamentare, por detyrim kushtetues i Kuvendit të Republikës.
Ky dallim është thelbësor. Konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe zgjedhja e presidentit nuk janë çështje që shumicat mund t’i përmbushin ose t’i lënë pezull sipas interesit të çastit. Janë procese pa të cilat Republika nuk mund të funksionojë në mënyrë të rregullt.
Për këtë arsye është reduktuese të thuhet se presidenti është vetëm figurë ceremoniale. Në të drejtën kushtetuese, rëndësia e një institucioni nuk matet vetëm me pushtetin që ushtron përditë, por me vendin që zë në rendin kushtetues. Presidenti nuk qeveris, por përfaqëson unitetin e popullit, garanton vazhdimësinë kushtetuese dhe ushtron kompetenca që ndikojnë në baraspeshën ndërmjet institucioneve.
Edhe dispozita sipas së cilës, Kuvendi shpërndahet nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues duhet kuptuar në këtë frymë. Ajo nuk është vetëm një rregull procedural. Ajo shpreh vendimin e vetë Kushtetutës se funksionimi i Republikës nuk mund të mbetet i papërfunduar. Moszgjedhja e presidentit, rrjedhimisht, nuk është vetëm dështim i një procedure; është mospërmbushje e një detyrimi që prek tërë jetën institucionale.
Edhe
Konstituimi i legjislaturës së re përtej 7 gushtit, pa pasoja për deputetët
Zgjedhja e presidentit nuk duhet parë si fitore e shumicës dhe as si humbje e opozitës. Ajo është përmbushje e një përgjegjësie që deputetët kanë ndaj Kushtetutës. Pikërisht këtu duhet të vlejë kompromisi: jo si dobësi politike, por si mënyrë për ta ruajtur vazhdimësinë e Republikës.
Gjykata nuk mund ta zëvendësojë politikën
Një nga pasojat më të dukshme të mungesës së kulturës kushtetuese është prirja për ta bartur përgjegjësinë politike te Gjykata Kushtetuese. Gjatë viteve të fundit, pothuajse çdo bllokadë e rëndësishme institucionale ka përfunduar para saj. Konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe mosmarrëveshjet ndërmjet institucioneve janë zgjidhur përmes interpretimit kushtetues.
Gjykata, në këto raste, ushtron detyrën që Kushtetuta ia ka besuar. Problemi nuk qëndron te fakti se Gjykata vendos. Problemi fillon atëherë kur politika pret që Gjykata të vendosë në vend të saj. Gjykata Kushtetuese ekziston për ta interpretuar Kushtetutën, jo për ta marrë mbi vete përgjegjësinë që u takon institucioneve politike.
Sa më shumë që të zgjedhurit politikë ia bartin Gjykatës detyrimin për t’i zgjidhur bllokadat që vetë i kanë krijuar, aq më shumë dobësohet kultura kushtetuese mbi të cilën mbështetet demokracia parlamentare. Jurisprudenca kushtetuese është një nga arritjet më të rëndësishme të shtetit të së drejtës, por ajo nuk mund të shndërrohet në zëvendësim të kompromisit dhe përgjegjësisë politike.
Në këtë mënyrë, çdo krizë politike rrezikon të prodhojë një aktgjykim të ri, ndërsa çdo bllokadë një interpretim të ri. Aktgjykimet pastaj perceptohen si vazhdim i përhershëm i Kushtetutës, jo domosdoshmërisht, sepse Gjykata tejkalon kompetencat e saj, por sepse politika heq dorë nga detyra që Kushtetuta ia ka ngarkuar drejtpërdrejt.
Demokracia e garanton të drejtën për të kundërshtuar, por jo të drejtën për të bllokuar. Opozita ka të drejtë të kundërshtojë, shumica ka të drejtë të qeverisë, ndërsa të dyja kanë detyrimin e përbashkët për të mos e paralizuar shtetin. Ky është kompromisi themelor mbi të cilin qëndrojnë republikat parlamentare.
Tri procese zgjedhore brenda një periudhe kaq të shkurtër nuk dëshmojnë se Kushtetuta ka dështuar. Ato dëshmojnë se demokracia jonë ende po mëson të dallojë ndërmjet legjitimitetit politik dhe përgjegjësisë kushtetuese. Vota e qytetarit krijon legjitimitetin për ta ushtruar pushtetin; Kushtetuta krijon detyrimin për ta ushtruar atë në mënyrë që institucionet të funksionojnë.
Për këtë arsye, edukimi kushtetues nuk është nevojë vetëm për studentët e juridikut, gjyqtarët apo profesorët universitarë. Ai duhet të fillojë pikërisht aty ku ushtrohet pushteti politik. Demokracia kushtetuese nuk mbrohet vetëm në sallat e gjykatave. Ajo mbrohet, para së gjithash, në sallën e Kuvendit.
Republikat nuk forcohen duke ndryshuar vazhdimisht rregullat, por kur të zgjedhurit politikë pranojnë se askush nuk është mbi Kushtetutën dhe se pushteti nuk është privilegj për ta imponuar vullnetin partiak. Ai është përgjegjësi për ta garantuar funksionimin e shtetit.
Në fund, cilësia e një demokracie nuk matet nga numri i zgjedhjeve që organizon dhe as nga numri i aktgjykimeve që nxjerr Gjykata Kushtetuese. Cilësia e një demokracie matet nga aftësia e institucioneve për të kuptuar se Kushtetuta nuk është shkruar për t’u shërbyer atyre; ajo është shkruar që ato t’i shërbejnë Republikës.
Edhe
Kabashi për zgjedhjen e presidentit: Kushtetuta s’e kërkon qëndrimin e 80 deputetëve në sallë
Demokracia kushtetuese fillon pikërisht aty ku interesi partiak ndalet përpara interesit të Republikës.
(Autori është profesor i teorisë së shtetit dhe së drejtës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)