Kur një kompetencë që i është dhënë një subjekti për një qëllim të caktuar nuk ushtrohet në mënyrë të vazhdueshme dhe pasoja e drejtpërdrejtë e kësaj është pamundësia e konstituimit të një institucioni kushtetues, atëherë çështja mund të tejkalojë kufijtë e kornizës kushtetuese duke mbivendosur interesin politik para zbatimit të kushtetushmërisë
Konstituimi i Kuvendit nuk është më vetëm çështje e kalkulimeve apo mosmarrëveshjeve politike. Kjo ngase, pas tejkalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, mosrespektimit të rregullit procedural që ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë dhe, veçanërisht, pas faktit se grupi më i madh parlamentar nuk ka propozuar kandidat për kryetar të Kuvendit në seancat e fundit, kjo çështje ka marrë një dimension të qartë kushtetues.
Siç dihet, Kushtetuta, në nenin 66(1), përcakton se seanca konstituive mbahet brenda 30 ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Ndërkaq, neni 67(2) përcakton se kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Këto dy dispozita nuk mund të interpretohen të shkëputura nga njëra-tjetra.
Pra, e drejta e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit është pjesë e mekanizmit kushtetues për zgjedhjen e kryetarit dhe, përmes kësaj, për përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Mirëpo, ajo nuk është një privilegj i pakufizuar që mund të prodhojë efektin e kundërt me qëllimin e normës kushtetuese.
Prandaj, dilema kushtetuese nuk është nëse grupi më i madh parlamentar “e ka humbur” të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, sepse në parim, Kushtetuta nuk parashikon një sanksion të tillë. Por, çështja është nëse e drejta për propozim mund të vazhdojë të përdoret apo të shfrytëzohet pa asnjë kufizim kohor, e madje edhe atëherë kur pas tejkalimit të afateve kushtetuese dhe procedurale, e pamundëson përfundimin e konstituimit të Kuvendit.
Pra, kur një grup parlamentar mund të mos propozojë kandidat në mënyrë të vazhdueshme dhe, njëkohësisht, të ruajë ekskluzivitetin e së drejtës për propozim, atëherë pyetja legjitime që duhet të shtrohet është nëse kjo e drejtë siç është përdorur deri tani, po prodhon, efektin e një “vetoje de facto” mbi konstituimin e Kuvendit?
Edhe A mund të jetë Konfederata Evropiane nismë që forcon sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit?Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese me vendimet e saj, e ka vendosur procesin e konstituimit të Kuvendit brenda një kornize detyruese kushtetuese. Për më tepër, kjo gjykatë e ka bërë të qartë se normat kushtetuese që lidhen me themelimin e institucioneve shtetërore që burojnë nga vota e qytetarëve duhet të interpretohen në atë mënyrë që të mundësojnë, dhe jo të bllokojnë, themelimin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve të tyre.
Ajo ka rikujtuar se deputetët e zgjedhur duhet ta përfundojnë seancën konstituive duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit brenda afatit të përcaktuar dhe se funksionalizimi i institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve përbën detyrim kushtetues.
Në këtë kuptim, procesi i konstituimit nuk mund të trajtohet si një procedurë që mund të mbetet e pezulluar për një kohë të pacaktuar për shkak të mungesës së marrëveshjes politike. Andaj, mbi këtë bazë, e drejta për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, nuk mund të shihet e izoluar nga këto detyrime. Ajo është pjesë e një mekanizmi kushtetues që duhet të çojë në funksionalizimin e Kuvendit. Për këtë arsye, ushtrimi i kësaj të drejte duhet të interpretohet në harmoni me kërkesën kushtetuese që procedura e konstituimit të zhvillohet në mënyrë efektive dhe brenda kornizës së përcaktuar nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit.
Pra, një kompetencë kushtetuese nuk mund të interpretohet në mënyrë që të humb qëllimin kushtetues për të cilin është krijuar. Mirëpo, kur një kompetencë që i është dhënë një subjekti për një qëllim të caktuar nuk ushtrohet në mënyrë të vazhdueshme dhe pasoja e drejtpërdrejtë e kësaj është pamundësia e konstituimit të një institucioni kushtetues, atëherë çështja mund të tejkalojë kufijtë e kornizës kushtetuese duke mbivendosur interesin politik para zbatimit të kushtetushmërisë.
Prandaj, në rrethanat aktuale, kur një subjekt politik që ka të drejtën dhe mundësinë e propozimit, por njëkohësisht nuk po e ushtron këtë kompetencë në mënyrë të tillë që të mundësojë përfundimin e procesit të konstituimit, çështja nuk mund të reduktohet më në pyetjen se kush po fiton një betejë politike. Por, sa gjatë mund të mbetet një institucion kushtetues jashtë funksionit për shkak të mosushtrimit të një kompetence, e që në praktikë, po prodhon efektin e një vetoje dhe po shërben si mekanizëm paralizues për funksionimin e Kuvendit?
Kësaj çështje mund t’i përgjigjet vetëm Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të vihet në lëvizje për të përcaktuar nëse, në rrethanat e krijuara, grupi më i madh parlamentar mund të vazhdojë ta gëzojë në mënyrë ekskluzive dhe absolute këtë kompetencë, pavarësisht pasojave që kjo po prodhon në mosfunksionimin e Kuvendit.
Në të kundërtën, alternativa është që të pranojmë se Kushtetuta ka krijuar një kompetencë, mosushtrimi i së cilës mund ta mbajë Kuvendin jashtë funksionit për një kohë të pacaktuar, pa asnjë mekanizëm kushtetues për tejkalimin e bllokadës. Një interpretim i tillë do të ishte vështirë të pajtohej me vetë logjikën e rendit kushtetues.
Edhe Perdja e tymitKjo ngase, në një shtet kushtetues, kompetencat nuk janë privilegje të krijuara për të pezulluar funksionimin e institucioneve. Ato janë mjete kushtetuese për funksionalizimin e pushtetit dhe realizimin e qëllimeve të rendit kushtetues. Prandaj, e drejta për propozim nuk mund të shndërrohet në veto kushtetuese, ndërsa një kompetencë kushtetuese nuk mund të interpretohet në atë mënyrë që, përmes mosushtrimit të saj, të prodhojë pikërisht efektin që Kushtetuta synon ta parandalojë: bllokimin e funksionimit të institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve.
(Autori është hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës - KDI)