Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputetët kanë 13 ditë kohë për të zgjedhur presidentin

karrika e presidentit

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Tejkalimi i afateve në konstituimin e Kuvendit nuk e bën antikushtetues vendimin për formimin e Qeverisë së zgjedhur më 13 shtator, ka konstatuar Gjykata Kushtetuese në vendimin për dy kërkesat e Partisë Demokratike. Gjykata ka konstatuar se deputetët kanë më pak se dy javë për ta zgjedhur presidentin. Në të kundërtën, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen më së largu të dielën e 15 nëntorit. Vendimi ka nxitur reagimin e partive politike dhe aktivistëve të shoqërisë civile

Gjykata Kushtetuese u ka dhënë kohë deputetëve 13 ditë për ta zgjedhur presidentin e shtetit. E ka bërë këtë të mërkurën, nëpërmjet vendimit që ka marrë përkitazi me kërkesat e deputetëve të Partisë Demokratike, me të cilat kontestuan konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë.

Legjislatura e re është shpallur e konstituuar më 13 shtator, pasi u zgjodhën edhe nënkryetarët e Kuvendit, përjashtimisht atij nga radhët e PDK-së që e tërhoqi kandidaturën. 

Por, Kushtetuesja ka konstatuar se konstituimi ka ndodhur “pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditor, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”. Kjo i bie që konstituimi ka ndodhur më 8 gusht, kur deputetët vetëm kanë dhënë betimin, por nuk është zgjedhur as kryeparlamentari dhe as nënkryetarët e Kuvendit.

Interpretimi është ndryshe prej atij të vitit të shkuar, që trajtoi materien e njëjtë.

Mes tjerash, në aktgjykimin KO124/25 është thënë se “zgjedhja e Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është parakusht që Kuvendi të fillojë të funksionojë”. Po ashtu, në dokument është theksuar se “deputetët e zgjedhur ... duhet që sa më shpejtë dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi të përmbushin detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës përmes zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të tij”.

Në aktgjykimet e deritashme, Kushtetuesja nuk ka treguar se cilat janë pasojat për deputetët, në rast se ata nuk arrijnë ta konstituojnë legjislaturën e re brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Por, në vendimin e së mërkurës, është theksuar se kjo mund të nënkuptojë zgjedhjet e reja, duke vënë në funksion afatet për formimin e presidentit e edhe të qeverisë.

“TË KONSTATOJË që kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas neneve 86 [Zgjedhja e Presidentit], 95 [Zgjedhja e Qeverisë] dhe nënparagrafëve 1 dhe 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën e tretë të aktgjykimit të Kushtetueses.

Juristi Ehat Miftaraj, i cili është drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, e ka kontestuar përmbajtjen.

“Brenda një viti së paku dy herë e ndryshon praktikën gjyqësore dhe dy herë praktikën parlamentare”, ka thënë ai. “Gjyqtarë të cilët e luajnë rolin e politikanit kushtetutshkelës”.

Dhjetë ditë më parë kur Kuvendi e shpalli konstituimin, një prej nënkryetarëve nuk u zgjodh – ai që i përket Partisë Demokratike, e cila është forca e dytë në Kuvend. Ky subjekt politik tërhoqi kandidaturën e Vlora Çitakut për këtë pozitë, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje zvarriti çështjen e konstituimit deri në këtë datë, me qëllimin për të marrë start afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe nëse kjo nuk ndodh, të diktohet 27 dhjetori datë e zgjedhjeve, kohë kur qindra mijëra mërgimtarë ndodhen në Kosovë dhe, bazuar në zgjedhjet paraprake, shumica votojnë për LVV-në.

Afati për presidentin

Kushtetuesja i është referuar edhe çështjes së zgjedhjes së nënkryetarit.

“TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën e katërt të aktgjykimit të Kushtetueses.

Menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, po më 13 shtator u zgjodh edhe Qeveria e re, e drejtuar nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti.

PDK-ja, përpos që kontestoi konstituimin e Kuvendit, në Kushtetuese ka kontestuar edhe vendimin për ta zgjedhur Qeverinë. 

Por, gjykata nuk i ka dhënë të drejtë.

“TË KONSTATOJË që Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Në bazë të interpretimit që i ka bërë kohës kur Kuvendi konsiderohet i konstituuar, Gjykata ka përcaktuar edhe datën nga e cila llogaritet afati për zgjedhjen e presidentit të ri.

“TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”, thuhet në pikën e gjashtë të aktgjykimit.

Kjo do të thotë se, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Afati maksimal përfundon më 20 nëntor, ndërsa e diela e fundit brenda kësaj periudhe bie më 15 nëntor.

Kuvendi është shpallur i konstituuar 37 ditë pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar vitin e shkuar nga gjykata dhe pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së. E po atë ditë, u votua edhe formimi i qeverisë me kryeministër Albin Kurtin.

Të nesërmen, partia më e madhe opozitare iu drejtua kushtetueses lidhur me konstituimin e kuvendit, e një ditë pas edhe për formimin e qeverisë. 

Afati i fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit ishte 7 gushti. Për këtë arsye, Gjykata ka llogaritur se afati për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht. Për rrjedhojë, vonesa në konstituimin e Kuvendit nuk ua ka zgjatur deputetëve afatin për zgjedhjen e presidentit, por as nuk ua ka djegur mandatin.

Gjykata e ka publikuar vetëm pikat e aktgjykimit, por jo edhe arsyetimin.

Fitues të gjithë

Taborët politikë kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe secili e ka interpretuar atë si konfirmim të kushtetutshmërisë së veprimeve apo vendimeve të marra pas zgjedhjeve.

Partia Demokratike, në kërkesat e së cilës është përgjigjur gjykata, ka vlerësuar se vendimi u jep përgjigje shqetësimeve që ka ngritur për tejkalimin e afateve kushtetuese dhe për nevojën që vendi të ketë institucione funksionale.

“Që nga muaji gusht, PDK-ja ka kërkuar përmbylljen e konstituimit të Kuvendit. Vonesat e njëpasnjëshme kanë penguar ushtrimin e përgjegjësive të tij dhe kanë zgjatur pasigurinë institucionale në një kohë kur qytetarët presin vendime për çështjet me rëndësi për vendin”, thuhet në reagimin e kësaj partie. “Në të njëjtën kohë, PDK ka kërkuar që kriza të zgjidhet përmes funksionalizimit të institucioneve. Kosova ka nevojë për një Kuvend që punon, për vendimmarrje dhe për institucione që mbajnë përgjegjësi para qytetarëve. Sipas vlerësimit të PDK-së, vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon mundësi që proceset institucionale të vazhdojnë pa vonesa të tjera”.

Aktgjykimi i Kushtetueses është publikuar një javë pasi Gjykata Speciale me seli në Hagë, dënoi për krime lufte katër prej udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – ish-presidentin Hashim Thaçi me 25 vjet burgim, ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi po me 25 vjet burgim, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli me 18 vjet burgim, si dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Pas kësaj, PDK-ja ka marrë nismë për bashkërendim veprimesh, në funksion të ndërtimit të strategjisë shtetërore për t’u përballë në shkallën e dytë.

Krahas kësaj, ka iniciuar ndryshime të Ligjit për Specialen, të cilat i ka adresuar në Kuvend.

Vetëvendosja kushtëzoi shqyrtimin e projektligjit me heqjen paraprake të dy lëndëve që PDK-ja i pati dërguar në Kushtetuese, ndërkaq PDK-ja pati kushtëzuar heqjen e lëndëve, me zotimin paraprak për t’i votuar ndryshimet.

Tash, pasi Kushtetuesja ka vendosur për lëndët, PDK-ja ka kërkuar që me urgjencë të trajtohen ndryshimet ligjore të propozuara.

“Kuvendi i ka edhe 13 ditë për ta përmbyllur procesin e konstituimit, për ta votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për ta zgjedhur Presidentin dhe për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme e të panevojshme. Partia Demokratike e Kosovës kërkon që Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe të përfshijë si pikë të parë në rendin e ditës Projektligjin për Dhomat e Specializuara”, thuhet në reagimin e PDK-së. “Për PDK-në, votimi i kësaj nisme ligjore është prioritet kombëtar në përpjekjen për drejtësi, për mbrojtjen e vlerave të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për respektimin e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi”.

Ndërkaq, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, thanë se Gjykata e ka theksuar qartë se Kuvendi është legjitim dhe Qeveria është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën. 

Deputeti i saj, Vigan Qorrolli, ka shtruar nevojën për evitim të zgjedhjeve të reja.

“Brenda dy javësh, deri më 6 tetor, duhet të zgjidhet Presidenti i Republikës. Pra, PDK, LDK e AAK: ose ulemi, votojmë dhe e përmbyllim këtë proces institucional, ose vendi shkon në zgjedhje në mesin e nëntorit. Hajdeni ta zgjedhim Presidentin. Nëse jo, vetëm Ju jini përgjegjës”, ka thënë ai.

Por, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, parashikon që zgjedhjet janë të pashmangshme dhe fajin për këtë e ka hedhur te kryeministri Kurti. 

“Tash Kosova shkon në zgjedhje, qartazi me një fajtor të vetëm: Albin Kurti. Gjykata Kushtetuese e nxori Kosovën prej një momenti të paparashikuar krize, 6 tetorin. E të cilën datë po ashtu partia që i fitoi zgjedhjet e kaluara e priste”, ka thënë Gjini.

Njohës të punës së kuvendit kanë theksuar se Kushtetuesja përmes aktgjykimit e ka pamundësuar zvarritjen e pakontrolluar të formimit të institucioneve.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se janë të kuptueshme kritikat se Gjykata Kushtetuese po prodhon standarde të reja sa herë paraqitet një rast i ri, apo se po i rishkruan vazhdimisht standardet e mëparshme. Por, ka theksuar se para se përgjegjësia të zhvendoset te Gjykata, duhet parë fillimisht pse ka kaq shpesh nevojë për aktgjykime të saj.

“Viteve të fundit Kosova ka hyrë në një proces të rrezikshëm të “’juridizimit’ të politikës. Për çdo krizë të re politike, çështja dhe debati barten te Gjykata Kushtetuese – te ajo çfarë ka thënë, çfarë ka ndryshuar apo çfarë ka lënë hapur. Ndërkohë, shumë më pak flitet për faktin se këto situata prodhohen politikisht dhe, jo rrallë, krejt qëllimshëm”, ka thënë Cakolli. “Asnjë Kushtetutë, ligj apo aktgjykim nuk mund t’i parashikojë të gjitha skenarët se si akterët politikë mundohen ta shtyjnë një normë deri në kufijtë e saj ose përtej tyre, t’i shfrytëzojnë hapësirat ndërmjet dispozitave apo të krijojnë situata të paparashikuara. Kështu, çdo krizë e re politike prodhon pashmangshëm edhe një çështje të re kushtetuese”.

Ai ka thënë se problemi në themel është puro politik. 

“Nëse politika vazhdon të prodhojë kriza që kërkojnë ndërhyrjen e vazhdueshme të Gjykatës, rreziku nuk është vetëm cenimi i besimit te institucioni, por shndërrimi i tij në një mekanizëm që zëvendëson vullnetin ose kompromisin politik. E kështu, në fund të fundit, dëmtohet më së shumti demokracia”, ka thënë Cakolli.

Prej se janë mbajtur zgjedhjet e rregullta parlamentare të shkurtit të 2025-s, Kosova ndodhet në krizë politike. Prej atëherë janë organizuar edhe dy palë zgjedhje të parakohshme.