Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Si rrjedhin afatet kushtetuese për presidentin pas konstituimit të Kuvendit

Karrigia e planifikuar për presidentin e ri mbetet para sallës së Kuvendit

Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Më 6 gusht do të mund t’i jepet start formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Të enjten e parë të gushtit do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së re të Kuvendit.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, të premten njoftoi se ka vendosur që seanca të mos mbahet më herët se ora 10:00 e datës 6 gusht, me qëllimin për t’u lënë kohë partive politike për të vazhduar dialogun për marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, konstituimi i legjislaturës së re duhet bërë më së largu 30 ditë nga zyrtarizimi i rezultatit të zgjedhjeve. Mbështetur në këtë, dita e fundit që deputetët ta bëjnë betimin e të zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, është 7 gushti.

Ndonëse Kushtetuesja nuk ka përshkruar pasojë juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditësh, të tillë pasojë ka përshkruar në rast se presidenti nuk zgjidhet në harkun kohor prej 60 ditësh. Ky afat nis të rrjedhë prej kur legjislatura konstituohet, dhe nëse kreu i shtetit nuk zgjidhet atëherë Kuvendi shpërndahet.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se caktimi i seancës konstituive në fund të afatit kushtetues, krijon problem për afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, duke rrezikuar që Kosova të mbetet njëkohësisht pa Kuvend funksional dhe pa ushtrues detyre të presidentit.

Edhe Konstituimi i përbërjes së institucioneve të reja nuk do të ndodhë brenda muajit korrik Arbëri 1 j. më parë Konstituimi i përbërjes së institucioneve të reja nuk do të ndodhë brenda muajit korrik

“Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se në rrethanat kur Kuvendi ende nuk është konstituuar, ky afat fillon nga konstituimi i tij. Kjo do të thotë se 6 gushti e aktivizon afatin, 7 gushti llogaritet si dita e parë, ndërsa 5 tetori është dita e 60-të, rrjedhimisht, dita e fundit për zgjedhjen e presidentit. Më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit. Nëse procedura e zgjedhjes së presidentit shkon deri në ditën e 60-të, më 5 tetor, dhe eventualisht dështon, atëherë Kuvendi do të shpërndahet pasi që periudha e ushtrimit të detyrës së presidentit tashmë ka përfunduar”, ka thënë Cakolli.

Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje ka siguruar 53 mandate. Bashkë me deputetë nga radhët e komuniteteve, ajo ka numrin e mjaftueshëm të votave për ta zgjedhur kryeparlamentarin e edhe qeverinë (61 minimalisht). Ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet që së paku 80 deputetë të marrin pjesë në votim në dy raundet e para.

Në rrethanën kur presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe organizohen zgjedhje të parakohshme.

LVV-ja i pati bërë ofertë opozitës, përpara se të shpalleshin zgjedhjet e parakohshme, që të jepte tre emra si kandidatë për president, me zotimin se njërin nga ta do ta votonin deputetët e kësaj partie. Por, ky propozim nuk është dhënë.

Mbështetur në kriteret e vëna nga kjo parti, kandidatët nuk duhet të jenë partiakë.

E, nisjes së rrjedhjes së këtij afati duhet t’i paraprijë konstituimi i Kuvendit.

Afati i 7 gushtit për konstituimin buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 25 qershor të 2025-s, kur pati ngërç në Kuvend.

Edhe Haxhiu: Në fillim të gushtit pritet të mbahet seanca konstituive Arbëri 1 j. më parë Haxhiu: Në fillim të gushtit pritet të mbahet seanca konstituive

Neni 66 i Kushtetutës përcakton që “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve”.

Ndërkaq, bazuar në interpretimin e bërë nga Kushtetuesja, termi “mbajtja” e seancës konstituive nënkupton që ajo të përmbyllet brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultatit. E rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit është bërë më 8 korrik.

“Gjykata duke iu rikthyer përcaktimeve në paragrafin 1 të nenit 66 të Kushtetutës thekson se vetë struktura e kësaj dispozite kushtetuese nënkupton se mbajtja e seancës konstituive brenda afatit tridhjetë (30) ditor, nuk është mundësi formale apo orientuese, por detyrim kushtetues që lidhet ngushtë me fillimin e mandatit të legjislaturës së re”, thuhet në aktgjykim. “Kërkesa nga paragrafi 1 i nenit 66 të Kushtetutës, që Kuvendi të mbajë Seancën Konstituive brenda tridhjetë (30) ditësh nuk do të thotë vetëm që deputetët e zgjedhur duhet të mblidhen fizikisht në sallë. Kuptimi i kësaj norme duhet të jetë substancial dhe funksional, duke nënkuptuar që brenda këtij afati duhet të realizohen të gjitha veprimet kushtetuese që rezultojnë në konstituimin e Kuvendit. Këto përfshijnë: (i) verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur, (ii) dhënien e betimit nga ana e tyre (iii) zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe (iv) zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Thënë këtë, Gjykata rithekson që pa përfundimin me sukses të këtyre veprimeve kushtetuese, Kuvendi nuk mund të konsiderohet juridikisht i konstituuar dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ushtrojë asnjë nga funksionet që Kushtetuta i ka caktuar”.

Rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 u patën certifikuar më 27 mars, seanca për konstituim nisi më 15 prill – e kryetari dhe katër nënkryetarë u zgjodhën tek më 26 gusht – 152 ditë nga certifikimi. Por, gjatë kësaj periudhe Kushtetuesja kishte shpallur dy aktgjykime ku pjesën më të madhe të seancave e kishte shpallur të pavlefshme dhe sipas Kushtetueses afati 30-ditor nuk ishte tejkaluar.

Për çështjen e formimit të institucioneve, pas certifikimit të rezultatit, Kurti pati ftuar për konsultime përfaqësuesit e tri partive të ranguara në zgjedhjet e 7 qershorit, pas subjektit politik që ai drejton: kryetarin e Partisë Demokratike (PDK) Bedri Hamza, kryetarin e Lidhjes Demokratike (LDK) Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini.

Gjini e ka refuzuar, ndërkaq pas takimit Hamza ka thënë se PDK-ja do të mbetet në opozitë dhe se i takon LVV-së të gjejë partnerë për t’i siguruar votat për formimin e institucioneve.

Edhe Shprehet drojë për vazhdimin e bllokadës në Kuvend Arbëri 11 muaj më parë Shprehet drojë për vazhdimin e bllokadës në Kuvend

E, Abdixhiku shfaqi shpresë për një marrëveshje dhe u dakordua me Kurtin për vazhdimin e takimeve, në funksion arritjes së marrëveshjes finale për institucionet. Por, negociatat ai i pezulloi, pasi më shumë se një e treta e anëtarëve të Kuvendit të LDK-së firmosën kërkesën për mbledhje të jashtëzakonshme, që në rend dite do ta ketë shkarkimin e Abdixhikut. Zyrtarë të LDK-së kanë theksuar se mbledhja do të thirret para datës 7 gusht, por deri tash nuk është konfirmuar data për të.

LDK-ja ka siguruar 18 deputetë në legjislaturën e re.