Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Caktohet seanca konstituive, partitë përballen me afatin për presidentin

Kuvendi i Kosoves

Foto: Driton Paçarada

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka caktuar 6 gushtin datë për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit. Haxhiu tha se qëllimshëm nuk nxitoi në thirrjen e seancës, për t’iu lënë kohë subjekteve politike parlamentare për të arritur dakordancë për postin e presidentit. E, kryeministri në detyrë theksoi se përgjegjësia për ta zgjedhur presidentin, tejkalon partinë që ai e udhëheq

Të enjten e parë të gushtit do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së re të Kuvendit. Vendimin për këtë e ka kumtuar të premten ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila nga cilësia e kryeparlamentares ka përgjegjësinë që të merret edhe me organizimin e mbledhjes.

Në një konferencë për media, Haxhiu tha se ka vendosur që seanca të mos mbahet më herët se ora 10:00 e datës 6 gusht, me qëllimin për t’u lënë kohë partive politike për të vazhduar dialogun për marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

“Duke qenë se ende nuk ekziston një dakordim politikanësh për çështjen e presidentit, kam vendosur që, pra menjëherë pas certifikimit asokohe, që të mos e thërras me nguti seancën konstitutive, por të shfrytëzoj afatin që lejon Kushtetuta për t’ju krijuar partive politike hapësirën e nevojshme për dialog dhe për ndërtimin e një konsensusi. Deri atëherë, mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun”, ka thënë Haxhiu.

Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, konstituimi i legjislaturës së re duhet bërë më së largu 30 ditë nga zyrtarizimi i rezultatit të zgjedhjeve. Mbështetur në këtë, dita e fundit që deputetët ta bëjnë betimin e të zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, është 7 gushti.

Ndonëse Kushtetuesja nuk ka përshkruar pasojë juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditësh, të tillë pasojë ka përshkruar në rast se presidenti nuk zgjidhet në harkun kohor prej 60 ditësh. Ky afat nis të rrjedhë prej kur legjislatura konstituohet, dhe nëse kreu i shtetit nuk zgjidhet atëherë Kuvendi shpërndahet.

Edhe Seanca konstituive mbahet më 6 gusht Arbëri 9 o. më parë Seanca konstituive mbahet më 6 gusht

Haxhiu tha se është i duhur vendimi për datën 6 gusht që të mbahet seanca, megjithëse pranoi se, edhe pas kësaj periudhe pritjeje, mbeten të vogla shpresat për një marrëveshje mes partive.

“Konsideroj që kam vepruar drejt dhe qëllimi im ka qenë më i miri: pra, që të jepet hapësira e nevojshme në dispozicion dhe që të mbërrihet një marrëveshje. Duket që nuk jemi shumë afër, por uroj që të intensifikohen takimet”, ka thënë Haxhiu.

Caktimit të datës për seancën konstituive, e ka mirëpritur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili është edhe kryetar i partisë që ka fituar zgjedhjet e parakohshme, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Ai ka thënë se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit e tejkalon një parti politike.

“Caktimi i datës për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga ushtruesja e detyrës së presidentes, znj. Albulena Haxhiu, është i mirëpritur. Partitë politike, secila sipas hises që populli i ka dhënë, gjendemi sërish para përgjegjësisë për përmbushjen e detyrave për formimin e institucioneve të reja, përfshirë zgjedhjen e presidentit ose presidentes”, ka thënë Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Ai ka theksuar se tani janë më së shumti dy javë deri te fillimi i seancës për konstituimin e Kuvendit, para se të kalohet te zgjedhja e Qeverisë së re dhe më pas edhe e presidentit.

“Për legjislaturën dhe ekzekutivin e ri, siç e dimë nevojitet shumica e thjeshtë. Ndërkaq, për presidentin ose presidenten, së paku në dy rundet e para, për shkak të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese para 15 vjetëve, kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve, andaj edhe përgjegjësia për zgjedhjen e tij ose të saj e tejkalon një parti politike”, ka thënë Kurti. “Në këtë frymë, saktësisht dy javë më parë, më 10 korrik, zhvillova takime konsultative me krerët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, sërish shprehim keqardhje që Aleanca nuk e pranoi ftesën. Teksa koha ecën, veprimet politike dhe interesi shtetëror duhet të vihen në rend të parë”.

Pas certifikimit të rezultatit, Kurti pati ftuar për konsultime përfaqësuesit e tri partive të ranguara në zgjedhjet e 7 qershorit, pas subjektit politik që ai drejton: kryetarin e Partisë Demokratike (PDK) Bedri Hamza, kryetarin e Lidhjes Demokratike (LDK) Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini.

Gjini e ka refuzuar, ndërkaq pas takimit Hamza ka thënë se PDK-ja do të mbetet në opozitë dhe se i takon LVV-së të gjejë partnerë për t’i siguruar votat për formimin e institucioneve.

E, Abdixhiku shfaqi shpresë për një marrëveshje dhe u dakordua me Kurtin për vazhdimin e takimeve, në funksion arritjes së marrëveshjes finale për institucionet. Por, negociatat ai i pezulloi, pasi më shumë se një e treta e anëtarëve të Kuvendit të LDK-së firmosën kërkesën për mbledhje të jashtëzakonshme, që në rend dite do ta ketë shkarkimin e Abdixhikut. Zyrtarë të LDK-së kanë theksuar se mbledhja do të thirret para datës 7 gusht, por deri tash nuk është konfirmuar data për të.

Arben Gashi, një nga deputetët e zgjedhur të LDK-së që hapur ka kërkuar reflektim për rezultatin zgjedhor, ka thënë se caktimi i datës së seancës konstituive  është një moment që kërkon përgjegjësi shtetërore, vizion dhe lidership politik. Ai ka theksuar se pikërisht në kohë të tilla, LDK-ja duhet ta marrë rolin që i takon si forcë udhëheqëse e qendrës së djathtë dhe bartëse e kulturës shtetformuese të Kosovës.

Por, kësaj ia ka shtuar edhe një konstatim.

“Për ta ndryshuar Kosovën, së pari duhet ta definojmë qartë LDK-në. Duhet ta dimë se çfarë përfaqësojmë, cilat janë vlerat tona dhe çfarë modeli politik u ofrojmë qytetarëve. Na duhet një LDK moderne, përfaqësuese, meritokratike dhe autentike, e ndërtuar mbi besimin e brendshëm dhe mirëbesimin e qytetarëve”, ka shkruar Gashi në Facebook, pak orë pas vendimit të Haxhiut. “LDK nuk duhet të ndërtojë politikën e saj mbi vija të kuqe apo ekskluzivitete ndaj asnjë partie. Bashkëpunimi duhet të udhëhiqet nga interesi i Kosovës, programi politik, orientimi euroatlantik dhe nevoja për institucione të forta e funksionale. Kosova ka nevojë për një LDK të bashkuar, me identitet të qartë, me vetëbesim dhe me guxim për të udhëhequr. Vetëm një LDK e tillë mund ta rikthejë besimin e qytetarëve dhe ta udhëheqë Kosovën drejt zhvillimit, stabilitetit dhe integrimit”.

LDK-ja ka dalë e treta në zgjedhjet e 7 qershorit, dhe ka siguruar 18 mandate në Kuvend.

LVV-ja ka siguruar 53 mandate. Bashkë me deputetë nga radhët e komuniteteve, ajo ka numrin e mjaftueshëm të votave për ta zgjedhur kryeparlamentarin e edhe qeverinë. Ndërkaq, për zgjedhjen e presidentit kërkohet që së paku 80 deputetë të marrin pjesë në votim në dy raundet e para.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se caktimi i seancës konstituive në fund të afatit kushtetues, krijon problem për afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, duke rrezikuar që Kosova të mbetet njëkohësisht pa Kuvend funksional dhe pa ushtrues detyre të presidentit.

“Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se në rrethanat kur Kuvendi ende nuk është konstituuar, ky afat fillon nga konstituimi i tij. Kjo do të thotë se 6 gushti e aktivizon afatin, 7 gushti llogaritet si dita e parë, ndërsa 5 tetori është dita e 60-të, rrjedhimisht, dita e fundit për zgjedhjen e presidentit. Më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit. Nëse procedura e zgjedhjes së presidentit shkon deri në ditën e 60-të, më 5 tetor, dhe eventualisht dështon, atëherë Kuvendi do të shpërndahet pasi që periudha e ushtrimit të detyrës së presidentit tashmë ka përfunduar”, ka thënë Cakolli.

Edhe Konstituimi i legjislaturës së re përtej 7 gushtit, pa pasoja për deputetët Arbëri 1 d. më parë Konstituimi i legjislaturës së re përtej 7 gushtit, pa pasoja për deputetët

Në rrethanën kur presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditësh, Kuvendi shpërndahen dhe organizohen zgjedhje të parakohshme.

Profesori i shkencave politike, Basri Muja, ka shprehur skepticizëm se kriza politike në vend do të marrë fund gjatë kësaj legjislature, duke thënë se nuk është optimist që edhe kësaj radhe do të konstituohen të gjitha institucionet.

Muja ka thënë se, ndonëse ende Kosova është brenda afateve kushtetuese, gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur një intensitet të mjaftueshëm të bisedimeve ndërmjet partive politike për të gjetur një zgjidhje.

“Fatkeqësisht gjatë kësaj kohe s’ka pasur aktivitet të dendur për bisedime mes partive. Haxhiu ka pritur që gjatë kësaj kohe të ketë lëvizje. Sido që të jetë, ende jemi në kuadër të kornizës kohore kushtetuese dhe mendoj që nuk ka asgjë të keqe pse e ka caktuar 6 gushtin për seancën konstituive”, ka deklaruar ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Duke komentuar qëndrimet e partive politike, Muja vlerësoi se ndasitë brenda Lidhjes Demokratike mund ta vështirësojnë arritjen e një qëndrimi të përbashkët për një kandidat, ndërsa ka thënë se Partia Demokratike tashmë e ka bërë të qartë se synon të mbetet në opozitë.

“Do të vazhdojë ky rreth vicioz. LDK-ja, përkundër vullnetit të shprehur nga Abdixhiku e Osmani, për shkak të problemeve të brendshme dhe ndasive të mëdha brenda grupit parlamentar, do ta ketë të vështirë të unifikohet rreth një propozimi konkret. Kjo më bën jo shumë optimist që kësaj radhe do të konstituohen të gjitha institucionet. PDK-ja veçse është deklaruar se do të jetë në opozitë, dhe besoj se e ka pasur fjalën që opozitë të jetë edhe për presidentin”, ka theksuar Muja.

Sipas tij, në rrethanat aktuale një kandidat jopartiak do të ishte alternativa më e përshtatshme për postin e presidentit.

“Do të kishte qenë mirë me qenë një kandidat jopartiak për president, duke parë situatën e përgjithshme”, është shprehur ai.

LVV-ja i pati bërë ofertë opozitës, përpara se të shpalleshin zgjedhjet e parakohshme, që të jepte tre emra si kandidatë për president, me zotimin se njërin nga ta do ta votonin deputetët e kësaj partie. Por, ky propozim nuk është dhënë.

Mbështetur në kriteret e vëna nga kjo parti, kandidatët nuk duhet të jenë partiakë.

E, nisjes së rrjedhjes së këtij afati duhet t’i paraprijë konstituimi i Kuvendit.

Afati i 7 gushtit për konstituimin buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 25 qershor të 2025-s, kur pati ngërç në Kuvend.

Neni 66 i Kushtetutës përcakton që “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve”.

Ndërkaq, bazuar në interpretimin e bërë nga Kushtetuesja, termi “mbajtja” e seancës konstituive nënkupton që ajo të përmbyllet brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultatit. E rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit është bërë më 8 korrik.

“Gjykata duke iu rikthyer përcaktimeve në paragrafin 1 të nenit 66 të Kushtetutës thekson se vetë struktura e kësaj dispozite kushtetuese nënkupton se mbajtja e seancës konstituive brenda afatit tridhjetë (30) ditor, nuk është mundësi formale apo orientuese, por detyrim kushtetues që lidhet ngushtë me fillimin e mandatit të legjislaturës së re”, thuhet në aktgjykim. “Kërkesa nga paragrafi 1 i nenit 66 të Kushtetutës, që Kuvendi të mbajë Seancën Konstituive brenda tridhjetë (30) ditësh nuk do të thotë vetëm që deputetët e zgjedhur duhet të mblidhen fizikisht në sallë. Kuptimi i kësaj norme duhet të jetë substancial dhe funksional, duke nënkuptuar që brenda këtij afati duhet të realizohen të gjitha veprimet kushtetuese që rezultojnë në konstituimin e Kuvendit. Këto përfshijnë: (i) verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur, (ii) dhënien e betimit nga ana e tyre (iii) zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe (iv) zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Thënë këtë, Gjykata rithekson që pa përfundimin me sukses të këtyre veprimeve kushtetuese, Kuvendi nuk mund të konsiderohet juridikisht i konstituuar dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ushtrojë asnjë nga funksionet që Kushtetuta i ka caktuar”.

Rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 u patën certifikuar më 27 mars, seanca për konstituim nisi më 15 prill – e kryetari dhe katër nënkryetarë u zgjodhën tek më 26 gusht – 152 ditë nga certifikimi.

Edhe Haxhiu të premten do ta caktojë datën e seancës konstituive Arbëri 2 d. më parë Haxhiu të premten do ta caktojë datën e seancës konstituive

Por, gjatë kësaj periudhe Kushtetuesja kishte shpallur dy aktgjykime ku pjesën më të madhe të seancave e kishte shpallur të pavlefshme dhe sipas Kushtetueses afati 30- ditor nuk ishte tejkaluar.

Egzona Mema