Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kushtetuesja: Kuvendi është konstituuar, formimi i Qeverisë s’është antikushtetues

Kuvend 1 1shtator

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk janë antikushtetues. Gjithashtu, ka konstatuar se afati për zgjedhjen e presidentit është deri më 6 tetor.

Kushtetuesja në vendimin e saj ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas afatit prej 30 ditëve. Por ka thënë se kalimi i 30-ditëshit për konstituim ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, kur posti i presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë.

Tutje, Gjykata ka thënë se deputetët duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radha e grupit të dytë më të madh parlamentar, pra të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Të konstatojë që vendimi i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. 

Kushtetuesja në njoftimin e vendimit ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Kushtetuesja e ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme.

Vendimi vjen pasi PDK-ja përmes dy kërkesave kontestoi konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

Më 13 shtator, pa praninë e PDK-së dhe Aleancës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joshumicë votuan për konstituimin e Kuvendit. Por pa nënkryetarin e PDK-së. 

Më vonë gjatë ditës u votua edhe Qeveria e re, e udhëhequr nga Albin Kurti.

Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor

7 min. më parë / 23 sht 2026 14:58
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjidhet deri më së largu më 6 tetor.