Në vitin 1999, Irlanda kishte refuzuar të zhvillonte një ndeshje kualifikuese për “Euro 2000” kundër Jugosllavisë, për shkak të situatës së luftës në Kosovë. Sot, Irlanda zbret për herë të parë në Prishtinë. Do të luajë kundër shtetit që para 27 vjetësh i doli në krah. Ndeshja luhet në “Fadil Vokrri” nga ora 20:45 në kuadër të Ligës së Kombeve.
Irlanda ishte paraparë ta priste Jugosllavinë më 5 qershor 1999, në Dublin. Megjithatë, qeveria irlandeze, e udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm Bertie Ahern, ndërhyri për të parandaluar zhvillimin e ndeshjes.
Sipas “Irish Mirror”, vendimi u mor në kuadër të kundërshtimit të autoriteteve irlandeze ndaj asaj që e cilësuan si “mizoritë jugosllave në Kosovë”.
Në atë kohë, në Irlandë ishin planifikuar protesta kundër zhvillimit të ndeshjes, ndërsa Federata Irlandeze e Futbollit kishte paralajmëruar se nuk do ta lëshonte himnin jugosllav para fillimit të takimit.
Trajneri i Irlandës, Mick McCarthy, dhe lojtarët, sipas raportimeve të kohës, nuk dëshironin të luanin ndeshjen, por vazhduan stërvitjet në rast se ajo do të zhvillohej.
Edhe
Irlanda kishte kundërshtuar duelin me Jugosllavisë shkaku i krimeve në Kosovë
Qeveria irlandeze kërkoi mbështetje edhe në nivel evropian, ndërsa ministri i atëhershëm i Sportit, Jim McDaid, loboi kundër zhvillimit të ndeshjes.
UEFA, megjithatë, kishte refuzuar ta anulonte takimin. Përfundimisht, qeveria irlandeze refuzoi t’u jepte viza lojtarëve dhe delegacionit jugosllav, duke bërë të pamundur zhvillimin e ndeshjes më 5 qershor.
Ndeshja u shty dhe u zhvillua rreth tre muaj më vonë, më 1 shtator 1999, në Dublin. Irlanda fitoi 2–1 ndaj Jugosllavisë, me golat e Robbie Keane dhe Mark Kennedy.
Në atë periudhë, UEFA kishte marrë masa edhe ndaj klubeve jugosllave, të cilat u përjashtuan nga garat evropiane për sezonin pasues.
Qeveria irlandeze, në arsyetimin e saj për refuzimin e ndeshjes, kishte përmendur edhe aktakuzën e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-presidentin jugosllav, Slobodan Millosheviq, si dhe “situatën e papranueshme në Kosovë”.
Edhe
Irlanda e luan ndeshjen e radhës me Kosovën, por diskutimet janë për atë me Izraelin
UEFA kishte kërcënuar Irlandën me përjashtim nga pjesa e mbetur e kualifikimeve, por në fund u dënua vetëm me një gjobë.
Së fundmi, “Irish Mirror” ka krahasuar situatën aktuale me atë të vitit 1999, kur shorti i Ligës së Kombeve e përballi Irlandën me Izraelin. Irlanda vazhdimisht ka qenë e zëshme kundër Izraelit dhe “gjenocidit që ka kryer në Gaza”, duke kërkuar nga UEFA suspendimin e shtetit hebre. Madje, ndeshja mes tyre është zhvendosur në një terren neutral shkaku i pakënaqësive nga tifozët irlandezë. Në grup është edhe Austria.