Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kushtetuesja: Zvarritja për 18 vjet e një lënde civile në Gjakovë shkeli të drejtën për gjykim në afat

Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se zvarritja për më shumë se 18 vjet e një procedure civile në Gjykatën Themelore në Gjakovë ka shkelur të drejtën kushtetuese për gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor.

Në aktgjykimin për rastin me numër KI151/25, të parashtruar nga Fehmi Kameri, Kushtetuesja ka vlerësuar se kohëzgjatja e procedurës në lëndën [C.nr.3114/24] ishte e pajustifikueshme dhe në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, çështja nuk ka qenë aq komplekse sa të justifikonte një proces kaq të gjatë.

“Gjykata konsideroi se në rrethanat e rastit konkret, kohëzgjatja e procedurës së zhvilluar në lidhje me lëndën [C. nr. 3114/24] në Gjykatën Themelore prej më shumë se tetëmbëdhjetë (18) vitesh është e paarsyeshme, për shkak se: (i) çështja e parashtruesit të kërkesës nuk rezulton të jetë e një natyre aq të ndërlikuar sa që do të mund të justifikonte që procedura gjyqësore për zgjidhjen e lëndës përkatëse të mos përfundojë as pas kaq shumë kohe; (ii) parashtruesi i kërkesës ishte relativisht aktiv në zgjidhjen e çështjes së tij; si dhe (iii) gjykatat e rregullta pavarësisht veprimeve procedurale që kishin ndërmarrë, e që karakterizohen edhe me shtyrjen e seancave, duke përfshirë edhe vendosjen e rastit më 16 dhjetor 2019 nga Gjykata Themelore dhe kthimin në rigjykim të çështjes nga ana e Gjykatës së Apelit më 26 gusht 2024, janë treguar të ngadalta dhe joefikase për të zgjidhur çështjen brenda një afati të arsyeshëm”, thuhet në aktgjykim.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kohëzgjatja e procedurës për rastin e parashtruesit të kërkesës për më tepër se tetëmbëdhjetë (18) vite, ka shkelur të drejtën e tij për gjykim brenda një afati kohor të arsyeshëm, të garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kushtetuesja ka theksuar se gjykatat e rregullta duhet të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për ta përmbyllur lëndën civile [C. nr. 3114/24] me prioritet, dinamikë të shtuar dhe brenda një afati sa më të shpejtë kohor, konform gjetjeve të këtij Aktgjykimi.

Edhe Gjykatat si shkelëse të të drejtave Arbëri Gjykatat si shkelëse të të drejtave

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest civil për vërtetimin e të drejtës së pronësisë mbi ngastra kadastrale, procedurë kjo e iniciuar fillimisht në vitin 1997 nga babai i parashtruesit të kërkesës, tani i ndjerë.

Pas disa zhvillimeve procedurale dhe kthimit të çështjes në rigjykim nga Gjykata e Apelit, procesi ende nuk ka marrë epilog përfundimtar.