Sa dëshpëruese e gjithë situata. Sa dëshpërues fakti se njerëz të rinj, të shkolluar, që janë projektuar si shpresa e këtij vendi, të jenë kaq të papjekur, kaq fëmijërorë, kaq egoistë dhe në fund, fare të padijshëm për ta udhëhequr këtë vend drejt prosperitetit
Brenda dhjetë ditëve të fundit u zbuluan mbetje mortore të viktimave të luftës së Kosovës në tri lokacione ku dyshohet se ka varreza masive. Sipas përshkrimit të gazetarëve që kanë shkuar andej, është një terren vështirë i kalueshëm me vetura, është pyll dhe vetëm dikush që ka qenë i përfshirë në një formë a tjetrën në këto krime, ka mundur edhe ta tregonte lokacionin e saktë.
28 vjet vegjetacion megjithatë nuk ia dalin ta fshehin krimin e dyfishtë makabër: vrasjen dhe fshehjen e trupave.
Nuk dëgjova reagim nga BE-ja.
Dëgjova për shpresën e familjarëve të personave të zhdukur me dhunë, se mbase këto do të jenë eshtrat e familjarëve të tyre, dhe se më në fund do të mund të pajtoheshin me atë se ata njëmend nuk janë dhe nuk kthehen më. Se më në fund do të mund t’i varrosnin me gjithë nderimet.
Sa e rëndë. Tragjike kjo që na e kujton se viktimat u bënë të tilla se Kosova kishte një shtet imagjinar, me parti politike, me kuvend, qeveri e kryetar, e varur nga financimi që vinte nga diaspora. Pa pushtet. Pa fuqi.
Edhe Do të duhej të turpëroheshim* * *
Qe 18 muaj, Kosova është e zhytur në një krizë të thellë politike të cilën refuzojnë ta shohin ata që e shkaktojnë. Brenda këtyre muajve shkuam tri herë në zgjedhje dhe përfunduam përafërsisht me rezultatin e njëjtë – një parti që kishte më shumë vota se tri opozitaret së bashku, por pamjaftueshëm herën e parë për ta kaluar qeverinë, herën e dytë për ta zgjedhur kryetarin e shtetit sikurse edhe tash.
Thuajse nuk mësuan nga përvoja e pranverës ku procesi i marrëveshjes për zgjedhjen e një kandidati konsensual, që në fakt gjithsesi dilte i imponuar nga një parti politike, nuk mund të ecte përpara për shkak se asnjëra parti nuk e kishte seriozisht zgjedhjen e kryetarit, për shkak të kalkulimeve personale e partiake.
Me të përfunduar zgjedhjet e 7 qershorit dhe mbas mbledhjes së votave edhe të diasporës doli e qartë se VV-ja kishte shumicën e thjeshtë për ta kaluar edhe kryetarin e Kuvendit e edhe për ta votuar Qeverinë. Por, deklarativisht, kinse me qëllimin e shmangies së zgjedhjeve, kërkohej marrëveshja me ndonjërën parti politike që të siguroheshin votat e kuorumit për zgjedhjen e presidentit të shtetit.
* * *
Pra, u tha se partive politike u duheshin ditë për ta negociuar këtë post, i cili deri dje quhej “ceremonial”, edhe pse është larg ceremonialit nëse shikohen me kujdes kompetencat që i cakton Kushtetuta. Dhe ashtu u bë.
Seanca konstitutive nuk u caktua pas një a dy ditësh, madje as pas dy a tri javësh: u vendos që të thirrej një ditë para se të skadonte afati i caktuar nga Kushtetuesja. Besohej, apo së paku ashtu thuhej, se marrëveshja do të arrihej deri atëherë dhe se mbase më në fund do të bëheshim me institucione, pa pasur nevojë që të ezaurohen afatet e caktuara me Kushtetutë për zgjedhjen e Qeverisë dhe të kryetarit të shtetit.
Po çka ndodhi?
PDK-ja shkoi në mbledhjen e parë, duke thënë se nuk kishte vija të kuqe. Doli nga mbledhja duke thënë ne mbesim në opozitë. Aleanca refuzoi secilën ftesë, duke insistuar që Kurti duhej t’i pranonte 6 kushtet e caktuara nga ajo. LDK-ja e vetmja shkoi, madje katër herë, me gjithë pauzën që mori votëbesimi i Abdixhikut brenda në parti, dhe në fund asgjë.
“Është çështja e presidentit. LDK-ja ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordancë. Oferta e dhjetorit që LDK-ja të marrë jo kryetarin e Kuvendit, por zv. kryeministrin dhe disa ministri, nuk është e mjaftueshme, nuk është e dinjitetshme as për të dhënë zgjidhje për krizën që jemi. Nuk mund ta pranojmë si të tillë, nëse e doni LDK-në në qeverisje atëherë LDK-ja duhet të jetë e përfaqësuar”
Kështu deklaroi Abdixhiku pas takimit të katërt me Kurtin dje. Dhe shtoi se ishin larg, shumë larg marrëveshjes.
Atë që nuk e shpjegoi Abdixhiku qe se përse oferta e tashme për kryetar Kuvendi, zv. kryeministër dhe disa ministri vazhdon të jetë e pamjaftueshme dhe e padinjitetshme dhe pse kjo nuk nënkupton përfaqësim të mjaftueshëm.
Përse tash posti i kryetarit, deri dje ceremonial, u bë gozhda që e ndali sharrën? Apo është se disa ministri të kërkuara kanë qenë më shumë sesa të ofruara apo edhe se nuk ka pasur siguri se mund të llogaritej në 18 votat e LDK-së për ta bërë kuorumin për zgjedhjen e kryetarit të shtetit, sipas një aktgjykimi të mbrapshtë të Gjykatës Kushtetuese.
Cilado të ketë qenë arsyeja e mosmarrëveshjes, ajo që ka ndodhur pardje dhe dje më së shumti u konvenon politikanëve narcisoidë të Kosovës, që nuk e kuptojnë se me veprimet e tyre të papjekura politike në fakt e rrezikojnë shtetin tonë, edhe ashtu të brishtë. Nuk e kuptojnë se me gërryerjen e themeleve të shtetit vetëm sa e përgatisim terrenin që historia e hyrjes së kësaj kolumne të na përsëritet.
Sa herë e kam shkruar, e nuk po mundem pa e përsëritur edhe kësaj radhe: po ta kishim investuar gjithë këtë energji në zhvillimin e Kosovës, kushedi sa përpara kishim mbërritur.
Edhe Krejt mendtë n’Gjermani* * *
Dhe përderisa mund ta kuptoj ambicien e partisë së tretë për t’u bërë me sa më shumë pushtet pavarësisht numrave, atë që nuk e kuptoj është partinë fituese dhe taktikat që i zbaton ajo.
Herën e parë kur me kokëfortësinë e mushkës e shtynin para kandidaturën e Haxhiut, duke thënë “ne e kemi të drejtën për ta zgjedhur kryeparlamentarin” përderisa nuk i kishin votat e mjaftueshme, e gjetën një zbrazëti juridike në Kushtetutë, dhe qëllimisht nuk lëshuan pe derisa kryesuesi i seancës, që qëllon të jetë i njëjti tash, merrte vendime sipas instruksioneve dhe i hidhte në votim gjërat ashtu siç “duhej”. Në fund, çështja shkoi në Kushtetuese, dhe kjo doli me një aktgjykim që i detyronte deputetët që ta konstituonin Kuvendin brenda 30 ditësh dhe se një kandidat nuk mund të hidhej në votim më shumë se tri herë.
Duke e ditur se nuk i ka votat për ta votuar Qeverinë, VV-ja gjeti mënyra e mënyra për ta zvarritur procedurën sa më shumë që mundte, ashtu që të mbërrinte te pika që të shpalleshin zgjedhjet e reja dhe që ato të mbaheshin në dhjetor, kur llogaritej në praninë e madhe të diasporës. I fitoi 52% të votave, shumicën që e humbi pas gjashtë muajsh.
Në prill të sivjetmë, nuk hoqi dorë nga ideja që t’i mbante të tria postet. Nuk bëri përpjekje serioze për të mbërritur ndonjë marrëveshje me LDK-në (Abdixhiku thotë se ka qenë jodinjitoze që nuk u është ofruar posti i kryeparlamentarit atëherë... apo mbase e kam kuptuar gabimisht, se po del se në një palë zgjedhje është post dinjitoz, e në zgjedhjet e tjera nuk është.... nejse...), me gjasë për shkak se Abdixhiku tashmë bënte kalkulimin për kapërcimin epokal të krizës me Osmanin në krah... dhe na çuan në zgjedhje sërish. Kot së koti.
Dhe erdhi tash raundi i tretë – dhe tash njëmend nuk e kam të qartë kush çka po kërkon. Nuk thoshin për badihava “tre shqiptarë e pesë parti” – jemi dëshmuar fantastikë për t’ia komplikuar vetes jetën me politikanë të këtillë.
Ajo që po ndodh tash, është repriza e asaj që ndodhi herën e shkuar veç pak më ndryshe. Po të kishin dashur të merreshin vesh, ajo punë kishte përfunduar moti. Por jo. Nuk merren vesh, sepse nuk i besojnë njëri-tjetrit. Dhe sërish u hyjnë kalkulimeve: ai që do të dalë nga kjo lojë më fajtor, ka më shumë gjasa që të humbë hala vota në zgjedhjet e radhës.
Pra, pa fije nevoje, VV-ja vendos ta keqpërdorë edhe një formulim të papërkufizuar deri në fund nga Kushtetuesja (e cila nuk tregon se çka ndodh nëse nuk konstituohet Kuvendi brenda 30 ditësh) dhe e shtyn seancën konstituive në kërkim të “marrëveshjes”, duke e ditur se me këtë veprim veç e shton antagonizmin brenda skenës politike.
* * *
Kësaj po i vjen era zgjedhje në dhjetor. Nëse krejt e kanë ndërmend të na dërgojnë në zgjedhje, aty do të jemi në dhjetor. Apo se paku ky duket të jetë synimi, duke llogaritur se opozita do të shkojë në Kushtetuese duke kërkuar saktësim të 30-ditëshit. E deri atëherë çfarëdo komunikimi miqësor, sado i shtirur i këtyre ditëve, do të kalojë në akuza të ndërsjella se kush e pati fajin që erdhëm deri në këtë pikë.
Sa dëshpëruese e gjithë situata. Sa dëshpërues fakti se njerëz të rinj, të shkolluar, që janë projektuar si shpresa e këtij vendi, të jenë kaq të papjekur, kaq fëmijërorë, kaq egoistë dhe në fund, fare të padijshëm për ta udhëhequr këtë vend drejt prosperitetit.
Na keni lodhur duke i kërkuar zbrazëtirat në Kushtetutë.
Nuk ka asnjë arsye që të shtyhet zgjedhja e bartësve të posteve, se në fund krejt do të dalin poste ceremoniale.
Ngihuni pra! Mblidhuni qaty, ndajini postet, krijojini nja 35 ministri, me nja 150 zëvendësministra, zgjidheni këdo që ua ka ënda - por përfundojeni më këtë cirk, se shkuam poshtë.
Edhe Janë këta që janëDhe mos na thoni se jeni duke e mbrojtur republikën, sepse është rrenë. Falë jush, republika është në rënie të lirë.