Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Janë këta që janë

Dhe sa herë po e shkruaj fjalën zgjedhje, më kaplojnë mornicat nga trishtimi dhe mundësia që të mos dalim nga kriza politike edhe nja gjashtë muaj të tjerë, për shkak se dikush mendon se do t’i fitojë 60%; apo se do të formohet opozita e bashkuar me një mashtrues në krye që do ta rrëzojë Kurtin nga pushteti; apo që do të ndodhë mrekullia e tejkalimit të sabotimeve dhe partia e fundit do të dalë e para...

Ishte hera e parë pas disa zgjedhjesh që numri i ankesave i subjekteve politike apo edhe i kandidatëve në lidhje me votat ishte minimal. Në fakt, kësaj radhe ankesa ishin dy, dhe kjo nga dy kandidatë të PDK-së që kërkonin rinumërimin e votave brenda subjektit politik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Paramendoni se çfarë partish politike e kandidatë kemi që “kanë dyshime të bazuara” se vota përbrenda vidhet. Ashtu siç ka mundur të vidhet prej këtyre dy kandidatëve, ka mundur të vidhet edhe për këta kandidatë. Dhe në fund e pyet njeriu veten: po nëse këta vjedhin këtu, çka do të bënin po të bëheshin me pushtet?

E hajní votash kemi pasur gjithmonë me gjasë, që nga zgjedhjet e para. Dhe sa më shumë u përmirësohej standardi deputetëve, aq më intensive vjedhja. Mjafton t’i kujtojmë zgjedhjet e dhjetorit dhe vjedhjen e përhapur te të gjitha subjektet politike, kurse mospërputhje votash ka pasur thuajse te të gjithë kandidatët. Pra, këta që do të duhej të na i mbronin interesat e të vendosnin për neve. Çka t’i thuash kësaj, pos mjerim!

Nejse, ankesat e dy kandidatëve u hodhën poshtë nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme, dhe që sot do të shpallen rezultatet përfundimtare të cilat duhen certifikuar, e menjëherë më pas të nisë afati për konstituimin e Kuvendit.

Nga rezultatet preliminare tashmë është e qartë që VV-ja do ta zgjedhë kryetarin/en e Kuvendit pa ndonjë telashe. Duke e nuhatur disponimin e përgjithshëm, mbase do të nisin edhe procedurat e përshpejtuara për caktimin e mandatarit nga u.d. kryetarja apo kryetari (se varet kush zgjidhet në krye të Kuvendit), e madje edhe zgjedhja e Qeverisë.

Në fund, do të mbetet çështja e patates së nxehtë: ajo e kryetarit/es që do të mund të shërbejë, sërish, si shkas për të shkuar prapë në zgjedhje.

* * *

E mira e së mirës do të ishte që, nëse disa parti e kanë ndërmend të krijojnë koalicion qeverisës, ta arrijnë marrëveshjen më herët, para se të nisë votimi në Kuvend dhe hapja e debateve që s’përfundojnë kurrë për atë se kush kujt ia shkeli fjalën; kush do që t’i marrë krejt pushtetet për vete; kush e mbron Kushtetutën, e kush e mbron shtetin, e kush ndihet i ofenduar, e kush i lartësuar... pa çarë kokë fare se sa shumë po na i prishin nervat kolektivisht me rolet e tyre të shpifura të “politikanëve të mëdhenj” që kinse luftojnë për parime.

I kemi parë parimet e tyre – çdo parim e ka edhe një parim alternativ, të kundërt me atë të parin.

Përnjëherë, si me pasë rënë nga qielli, përtej debatit për krijimin e institucioneve të reja, çështja e gazit të lëngshëm amerikan u bë çështje kushtëzimi politik dhe dëshmie të amerikanizmit.

Unë idenë nuk e kam se çka paraqet kjo çështje, pos që e di se Kosova ka nisur t’i përdorë bombolat e gazit shumë më shumë nga koha kur kishim restrikcione të gjata rryme. E di gjithashtu, se ne nuk kemi rrjet gazi të shpërndarë në asnjë pjesë të shtetit. Pra, nuk jemi as shpërndarës e as konsumatorë fort të shprehur të tij.

Se a është i mirë, a i keq sistemi; se a duhemi në inkuadrohemi ose jo në të; se a zgjidhim gjë me të ose jo – idenë nuk e kam.

Idenë që e kam është se kushtëzimi i formimit të institucioneve me diçka për të cilin nuk kemi as studim fizibiliteti, është një budallallëk, dhe në fakt shërben si mjet për rritjen e pazarit politik ose si edhe një “arsye e fortë”, pra në të vërtetë shkas, për të na çuar sërish në zgjedhje.

Dhe sa herë po e shkruaj fjalën zgjedhje, më kaplojnë mornicat nga trishtimi dhe mundësia që të mos dalim nga kriza politike edhe nja gjashtë muaj të tjerë, për shkak se dikush mendon se do t’i fitojë 60%; apo se do të formohet opozita e bashkuar me një mashtrues në krye që do ta rrëzojë pushtetin; apo që do të ndodhë mrekullia e tejkalimit të sabotimeve dhe partia e fundit do të dalë e para...

* * *

E derisa vazhdojnë lojërat politike dhe pallavrat e pafund, ky më tha, ai më tha, ky bëri, ai nuk bëri, ndërkohë u hap dhe u mbyll Panairi ndërkombëtar i librit, i cili sivjet u hap më vonë se zakonisht, dhe pati efekte shkatërruese për botuesit: për nga vizitat dhe shitja e librave, ky ka qenë mbase Panairi më i dobët, qëkur ka nisur të mbahet.

Lëre që është një veprimtari që kërkon talent, dije, mund, kohë e para – e për të cilën nuk mund të thuhet se ka ndonjë përkrahje të madhe institucionale, por në kushtet në të cilat operon do të jetë përherë e më e vështirë për t’u mbajtur për shkak se me kohën duket se ka përherë më pak e më pak konsumues të librit. Lexues në Kosovë nuk ka shumë, e dëshmoi Panairi. Siç e dëshmoi edhe tërthorazi se problemi me leximin është shumë, shumë më i thellë, dhe që shkon te rrënja: familja dhe shkolla.

Në cilindo shtet normal, rezultatet e Panairit do të duhej të ishin shenjë alarmi. Do të duhej të ishte një sinjal se diçka rrënjësore do të duhej ndryshuar në sistemin e arsimit të Kosovës, se pos leximit, tradicionalisht fëmijët kosovarë dëshmojnë që nuk dinë edhe shumë sende të tjera. E Kosova kurrë më pak nxënës se tash nuk ka pasur. E megjithatë, ende ka shkolla në Prishtinë që punojnë në tri ndërresa, ku klasat i kanë nga 35 nxënës dhe tualetet nuk janë riparuar që nga fundi i luftës.

Absolutisht, kjo tregon se prioritetet i kemi mbrapsht të vendosura. E si të mos i kishim, kur shkojmë në zgjedhje tri herë brenda një viti e gjysmë. E pse? Përse nuk dimë më mirë.

* * *

Fundi i qershorit e fillimi i korrikut në Prishtinë e shënon nisjen e koncerteve te “Skënderbeu”, për shkak se po ia qëllojmë së bashku, nuk kemi sallë koncertesh. Kush nuk e përmend më as sallën, as Operën, as madje Teatrin Kombëtar i cili shënon katër a pesëvjetorin qëkur është mbyllur për riparim, a rikonstruktim, se zor është njeriu me i ra në fije se çka po ndodh në atë godinë.

Para një jave kalova andej, asaj që më shumë i ngjet një gërmadhe sesa një objekti, i cili në gjendjen çfarë ka qenë, megjithatë ka shërbyer mirë. Ende nuk e kam të qartë se çka nuk është në rregull me ndërtesën, që nuk mund të përmbyllet qe sa vjet më.

Me vete e mendoja, shyqyr që nuk e kemi Pallatin e Versajës – po e paramendoj se rregullimi i tij do të na i merrte nja 100 vjet, vetëm hyrjen e pallatit.

Dhe më e keqja në gjithë këtë rrëfim, është se nuk ka asnjë, ama bash asnjë, deklaratë të vetme ku do të na tregohej se çka nuk shkon, dhe bile një përpjekje më e vogël për t’u kërkuar falje qytetarëve, se përse kryeqyteti tash nuk ka madje as teatër – pra një objekt që në shtetet normale i gjen edhe nëpër lokalitete më të vogla, në nivel amatorësh.

E arsyet se përse nuk flitet për objektet kulturore është se ato nuk janë politike, në kuptimin kosovar të fjalës. Përderisa në teatër e sallë koncertesh nuk ka ulëse deputetësh, e përderisa teatri e muzika klasike nuk mund t’i përkasin asnjë partie politike, ato nuk çojnë kandar në Kosovë. E aq më pak çojnë kandar kur ke një popull që hesht e nuk proteston për një të drejtë elementare që është kultura.

Përjashtimi i asaj që u tha më lart është përdorimi i objekteve të kulturës për luftëra politike dhe për përplasje akuzash “ky më bllokoi”, “ai e shkeli ligjin”. Në një vend ku institucionet nuk i respektojnë vendimet që i sjellin vetë, të ndodhë rrëmihja si në ara e një rruge që me çdo kush quhet shesh. Pra, vetë i kanë shpallur objektet nën mbrojtje, dhe vetë nuk lodhen për t’i respektuar rregullat e ruajtjes së objekteve. More do të gropohet aq sa i teket qejfi punëkryesit dhe do të punohet me e pa paralajmërim; me e pa rrethimin e punishtes; me ndërprerje të ujit pa paralajmërim, e si t’ia ka ëndja dikujt. Por e kam hallin, çka ndodh nëse kah të gropojnë hasin në ndonjë burim nafte! Kush bëhet titullar i saj?

* * *

Përtej dëshpërimit se na detyrojnë së shkojmë prej zgjedhjeve në zgjedhje, dëshpërimi më i madhi është se mes njerëzve që merren me politikë nuk ka alternativë. Pra, njerëzit e ulur në kolltukët partiakë e institucionalë janë këta që janë – nuk do të ndryshojnë.

Nuk duan.

Sepse ashtu u konvenon, përderisa kanë një masë njerëzish që ose janë të hipnotizuar nga lideri ose janë thellësisht të dëshpëruar se nuk e gjejnë alternativen as në rrethin e vet të ngushtë.

Dhe përderisa postet politike dhe pozicionimi në politikë do të jetë primar, çështjet “periferike” si arsimi e kultura do të vazhdojnë ta presin ditën kur “hajt se bëhet mirë”.

[email protected]