Si akomodohet Rama? Për shkak se të dyja mandatet në Prishtinë ia siguruan votat e PDK-së dhe AAK-së në balotazh; investon shumë në PR, në reklamimin e punëve që thotë se i bën; se është në gjendje të dalë në protestë me ata që protestojnë kundër tij, dhe të bërtasë “qiti paret kryeministër”; ngase Abdixhiku dhe Osmani i dogjën fishekët me “bashkimin” dhe që mbase perceptimin për popullaritetin që e gëzojnë, e kanë joreal dhe për shkak se ka kohë e përsërit se nuk është anëtar i LDK-së, pra, ashtu siç mundi të bëhej kandidat i LDK-së, nesër mund të bëhet edhe i PDK-së apo kujtdo qoftë...
Nuk dua të gëzohem para kohe, por mbase këto do të jenë zgjedhjet e vetme në të cilat nuk do të ketë zvarritje të certifikimit të rezultateve për shkak të ankesave dhe vjedhjes së votave.
Pardje u dëgjua një deklaratë nga njëri deputet i zgjedhur i PDK-së që i bënte thirrje Prokurorisë që të merrej me çështjen e votave nga mërgata, duke mos thënë saktësisht se çfarë është ajo që prokuroria do të duhej të bënte, apo cilat janë indicet që ngjallin dyshime se ato mund të jenë të manipuluara.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPra, përderisa edhe do të mund të kishte manipulim, siç ndodhi para dy palë zgjedhjeve, ku një kandidat i LDK-së kishte fituar mandatin falë shumë votave të ardhura nga diaspora, kësaj radhe askush nuk përmend dyshime të këtij lloji. Po të kishte pasur shkarje të kësaj natyre, me siguri se ishte lajmëruar kandidati apo kandidatja që do të ishte dëmtuar nga kjo situatë.
Sido që të jetë, e besoj se kandidatët dhe partitë ua kanë borxh votuesve që të përmbahen nga ankesat e kota zvarritëse, e që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të certifikohen sa më shpejt, për shkak se Kosova ka nevojë t’i ketë institucionet në vend.
Natyrisht, me shpresën shumë të madhe, se nuk do të na çojnë zgjedhje pas dy muajsh, për shkak se në të gjithë Kosovën nuk mund të gjendet një emër që do të ishte figurë konsensuale për postin e kryetarit/kryetares së shtetit. Kjo, pa dyshim, nëse qëllimi është njëmend zgjedhja e tre krerëve institucionalë për ta nisur një kapitull të ri.
* * *
Nga rezultatet preliminare pas numërimit dhe rinumërimit të obligueshëm, doli që VV-ja t’i ketë siguruar 53 mandate. Më shumë se të tri partitë opozitare bashkë (48). Tashmë është më se e sigurt se VV-ja do ta zgjedhë kryeparalmentarin/en; do t’i ketë numrat edhe për formimin e Qeverisë së re, dhe do të ketë kohë të mjaftueshme për t’u ulur e biseduar me partitë opozitare, për mënyrën se si duhet qasur për zgjedhjen e kryetarit/kryetares. Dhe, nëse tashmë ekzistojnë bile dhjetë emra, nga të cilët duhet zgjedhur dy për ta zhvilluar procedurën e zgjedhjeve. Meqë Kushtetuta nuk e detyron zgjedhjen e kryetarit/kryetares më së pari, ankesat e opozitës do të mbeten të regjistruara në nivelin e FB-së.
Nëse njëmend ia duan të mirën Kosovës, i bien shkurt krejt këtij cirku dhe i japin fund një situate absurde, e cila doli jashtë binarëve në çastin kur opozita e llogariti se kishte shumë për të fituar nëse shkonim në zgjedhje dhe VV-ja e humb 52%.
Fakt është se partia e parë e humbi shumicën e madhe, porse situata pas zgjedhjeve vazhdon të jetë e njëjta: VV-ja i shkeli që të gjithë (që po të kishte pasur pjesëmarrje më të madhe, lehtë do të mund ta përsëriste rezultatin e herës së shkuar); opozita e bërë pike e pesë, me probleme të brendshme serioze dhe pa udhëheqje të mirëfilltë që do ta sillte ndryshimin, dhe masa e trullosur dhe e dëshpëruar me krejt çka po ndodh. Me humbjen e njëpasnjëshme të rasteve për të lëvizur përpara dhe me lodhje nga makinacionet e politikanëve.
* * *
Dhe derisa kohëve të fundit po dëgjohen vetëm udhëheqësit e partisë fituese: “Është koha që të sillemi në përputhje me vullnetin qytetar”, thuajse krejt herët e shkuara nuk është dashur të silleshin në përputhje me vullnetin e votuesve, opozita ka rënë në gjumë dimri në fund të pranverës.
Është evidente që janë duke i bërë kalkulimet e tyre, dhe një gjë e kanë të qartë – që si parti opozitare, do të mund ta krijonin qeverinë vetëm nëse do t’i mblidhnin të gjitha votat e minoriteteve. Kjo nënkupton edhe 9 votat e Listës Serbe, që varësisht nga momenti i mbledhjes së votave, herë bëhet parti e dirigjuar nga Beogradi, e herë parti e qytetarëve të Kosovës që nuk ka vendim gjyqësor që e shpall organizatë terroriste.
Pra, ajo që po dëgjohet nëpër studio të caktuara televizive është pikërisht kjo: se s’ka dert pse koalicioni krijohet edhe me LS, me rëndësi është VV-në me e heqë prej pushtetit. Porse, nuk po thuhet se cila do të ishte zgjidhja për postin e kryetarit/kryetares, po qe se krijohet një konglomerat i tillë. Nuk po tregohet as kush do të ishte shefi i qeverisë, dhe nëse mandati do të ndahej mes dy a tri kandidatësh... apo mbase edhe një kandidati tjetër, i cili gjithashtu po (vetë)promovohet si lider.
* * *
E gjithë java shkoi me këmbime porosish mes Përparim Ramës, kryetarit të Prishtinës dhe Dejona Mihalit, koordinatores së Komiteteve në VV – dhe pikënisja qe te një aksident tragjik që kishte ndodhur në autostradën Prishtinë-Prizren, ku një grua humbi jetën.
Përderisa Ministria e Transportit prej vitesh ka dështuar të merret seriozisht me mirëmbajtjen e asaj rruge (pesë vjet, nuk ka pasur sinjalizim horizontal në të, sa për ta përmendur një detaj), dhe mbase mund të jetë përgjegjëse e tërthortë e këtij aksidenti (ende nuk janë sqaruar rrethanat) – e meriton secilën kritikë që mund t’i shqiptohet. Fundja bëhet fjalë për sigurinë rrugore të shfrytëzuesve të kësaj udhe.
Dhe do të ishte e pritur që ndonjëri nga kandidatët për kryeministër, a ndonjëri nga ministrat në hije të reagonte. Kjo nuk ndodhi. Akuzën e hodhi në FB kryetari i Prishtinës. Ramës i reagoi më së pari Ilir Kërçeli, më pas Dimal Basha dhe në fund, VV-ja terrenin ia lëshoi Mihalit, që me një seri shkrimesh ironike e shpotitëse megjithatë ka hedhur shumë akuza kundër Ramës edhe një numri njerëzish, politikanësh e pronarë mediumesh.
Pse pikërisht Rama?
Për shkak se është duke e profilizuar veten (për të mos thënë janë duke e profilizuar) si lider i ardhshëm i LDK-së, apo edhe mbase opozitës së bashkuar në situatën hipotetike se mund të kemi zgjedhje shumë shpejt, po qe se dështon zgjedhja e kryetarit/kryetares.
Se përse do të akomodohej aty?
Për shkak se të dyja mandatet në Prishtinë ia siguruan votat e PDK-së dhe AAK-së në balotazh; investon shumë në PR, në reklamimin e punëve që thotë se i bën; se është në gjendje të dalë në protestë me ata që protestojnë kundër tij, dhe të bërtasë “qiti paret kryeministër”; ngase Abdixhiku dhe Osmani i dogjën fishekët me “bashkimin” dhe që mbase perceptimin për popullaritetin që e gëzojnë, e kanë joreal dhe për shkak se ka kohë e përsërit se nuk është anëtar i LDK-së, pra, ashtu siç mundi të bëhej kandidat i LDK-së, nesër mund të bëhet edhe i PDK-së apo kujtdo qoftë...
E pse punët në qytet janë duke shkuar keq, e se qyteti kurrë nuk ka qenë më i ndotur e mbushur me bërllok sesa në këta pesë vjetët e fundit e se kurrë më shumë ngufatje në qytet nuk ka pasur – kjo duket nuk është gjë që i shkakton brengosje.
Thuajse dy mandate të fituara në qytet mjaftojnë të shndërrohen në trampolinë për të synuar më lart. Por, Rama do të duhej ta dinte, (e besoj se këtë e di), se shkuarja vetëm nën bajrakun e LDK-së, nuk do ta çojë larg. Prandaj përkujdeset që në publik të paraqitet miqësor me të gjithë (pos VV-së); përkujdeset të flasë për UÇK-në (dhe pyetja klasike për të, e vaktit të pasluftës, do të ishte: “e ku ke qenë ti Përparim kur Kosova ka qenë në luftë?”), përkujdeset të dalë në foto me djemtë e Thaçit e Veselit, e lartëson Rugovën, etj., etj.
Pra, është legjitime që të kesh ambicie. Madje edhe politike, në rrethanat ku hendeku mes pushtetit dhe opozitës është shumë i madh, në rrethanat kur e parafytyron veten shpëtimtar të opozitës së copëtuar.
Por gjithashtu është shumë legjitime që nga ai të kërkohet përmbushja e përgjegjësive të marra pas zgjedhjeve komunale – që të na e bëjë jetën në Prishtinë më të mirë e më të lehtë. E atë që po shohim në gjashtë muajt e parë të mandatit të dytë, është edhe më keq sesa në mandatin e parë.
* * *
Mbase edhe bëhet interesant, po qe se në një të ardhme jo të largët, na shfaqet një figurë, a një subjekt politik, që do të jetë alternativë e kësaj çfarë kemi. Sinqerisht, Ramën nuk e konsideroj alternativë, por në fakt, pjesë e këtij brezi që duhet lëshuar rrugë të tjerëve.
E di që rrugën nuk e lëshojnë – prandaj do të jetë interesante të shihet se si do të përfundojnë luftërat e brendshme partiake te opozita. Gjasat janë se do të shpalosen shpejt sidomos nëse janë të vendosur të na çojnë në zgjedhje përsëri.