Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Një palestinez vret një izraelit në Bregun Perëndimor, ushtria izraelite vret një shofer

Bregu Perendimor

Foto: Associated Press

Ka shpërthyer të dielën dhuna në Bregun Perëndimor të pushtuar, kur një person i dyshuar palestinez i armatosur ka vrarë me armë zjarri një burrë izraelit, siç ka njoftuar policia, ndërsa ushtarët izraelitë kanë vrarë një shofer palestinez, i cili sipas ushtrisë po përpiqej t'i shtypte ata me automjet.

Personi i armatosur ka hapur zjarr nga automjeti i tij ndaj izraelitëve të mbledhur pranë një burimi uji, afër vendbanimit Neve Tzuf pranë Ramallahut, sipas ushtrisë dhe policisë izraelite.

Ekipet mjekësore që kanë mbërrritur në vendngjarje kanë thënë se kishin gjetur një burrë në veturë me plagë kritike nga armë zjarri. Ai është shpallur i vdekur në spital, ka njoftuar policia.

Autori është gjetur disa orë më vonë në një spital në Ramallah dhe është arrestuar, ka njoftuar policia.

Pak kohë pas të shtënave, ushtria kanë njoftuar se forcat e saj "eliminuan" një shofer palestinez, i cili kishte tentuar të godiste me automjet ushtarët pranë vendbanimit Ganim, më në veri të Bregut Perëndimor. Asnjë ushtar nuk është lënduar thuhej në njoftim. 

Nuk është e qartë nëse këto incidente fatale, që ndodhën në prag të festës së shenjtë hebraike të Yom Kipurit, ishin të lidhura me njëra-tjetrën.

Pas incidenteve, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se kishte udhëzuar agjencitë e sigurisë që të përforconin praninë e tyre dhe të kryenin arrestime e operacione sulmuese në zonë.

Grupi militant palestinez Hamas e ka përshëndetur sulmin me armë zjarri, por nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për të.

Dhuna në Bregun Perëndimor është përshkallëzuar që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe ofensiva ushtarake izraelite që pasoi në Gaza. 

Dhuna në Bregun Perëndimor ka përfshirë një rritje të ndjeshme të sulmeve nga kolonët militantë ndaj palestinezëve, si dhe bastisje ushtarake izraelite dhe sulme palestineze ndaj izraelitëve.