Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Muriqi në superformë, shënon katër gola për Fenerbahçen

Vedat Muriqi

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, mori sinjalin më të mirë të mundshëm të dielën. 

Lojtari kryesor i Kosovës dhe kapiteni, Vedat Muriqi, ka shpërthyer në fitoren e thellë të Fenerbahçes ndaj Eyupsporit. Sulmuesi kosovar i shënoi plot katër gola në fitoren 8:0. Ndeshja i takoi xhiros së gjashtë të Superligës së Turqisë.

Muriqi vetëm për herë të dytë në karrierë i ka shënuar plot katër gola në një ndeshje. Për herë të parë i shënoi me fanellën e Kosovës, në miqësoren me San Marinon. Në fitoren 4:1 më 1 qershor 2021, Muriqi i kishte realizuar të gjithë golat.

Të dielën, fillimisht shënoi në minutën e shtatë për 2:0. Tjetër gol shënoi në minutën e 21-të për 3:0. Pjesa e parë përfundoi 5:0 për Fenerin. Me të nisur pjesa e dytë, përkatësisht në minutën e 47-të, 32-vjeçari Muriqi shënoi për 6:0. Më pas shënoi edhe për 7:0 në minutën e 55-të. 

Muriqi e dërgoi topin në rrjetë edhe për herë të pestë, por goli nuk u pranua për shkak të pozitës jashtë loje. Në minutën e 69-të, Muriqi e la fushën për të bërë vend për Romelu Lukakun.

Muriqi tani i ka gjashtë gola në gjashtë paraqitje kampionale për Fenerin. E ka edhe një asistim. 

Muriqi po e vazhdon superformën që e kishte në edicionin e kaluar te Mallorca në La Liga. I kishte 23 gola në 37 paraqitje kampionale. 

Në fillim të fazës përgatitore me gjigantin turk, prizrenasi pësoi lëndim. Për këtë fillimin e kishte më të ngadaltë. Por shpërtheu në fund të gushtit, duke realizuar në tri ndeshje rresht. Ndaj Konyasporit në Superligën turke kishte gol e asistim më 22 gusht. Shënoi më pas gol të rëndësishëm ndaj Lyonit, për kthim të Fenerbahçes në Champions. Dhe shënoii edhe ndaj Samsunsporit në kampionat. Në tri ndeshjet e para të këtij muaji nuk realizoi, por e “kompensoi” këtë me katër golat e së dielës. 

 Për Fenerbahçen është fitorja më e thellë në histori, sa i takon Superligës turke. 

Fenerbahçe e shënoi fitoren e tretë. I ka dhjetë pikë. Eyupspori mbeti në vendin e parafundit me tri pikë.

Muriqi të hënën bashkohet me Kosovën për katër ndeshjet e para të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve. Menjëherë të enjten Kosova luan me Irlandën në “Fadil Vokrri”. Pas largimit të Amir Rrahmanit, Muriqi pritet të jetë kapiten i Kosovës.

Muriqi fantastik, shënon golin e katërt

1 muaj më parë / 20 sht 2026 17:17
muriqi

Vedat Muriqi ka shënuar golin e katërt në ndeshjen e Fenerbahçes ndaj Eyupsporit.

Për 7:0 kosovari shënoi në minutën e 55-të.

Është hera e dytë që Muriqi shënon katër gola në një ndeshje, në karrierë.

Muriqi i pandalshëm, kompleton tregolëshin

1 muaj më parë / 20 sht 2026 17:07
vedet muriqi

Vedat Muriqi ka kompletuar tregolëshin në ndeshjen e Fenerbahçes ndaj Eyupsporit.

Golin e tretë sulmuesi kosovar e shënoi me të nisur pjesa e dytë. Feneri tashmë udhëheqë 6:0.

Muriqi shënoi fillimisht në minutën e shtatë e më pas edhe në minutën e 21-të.

“Hat-trickun” e kaluar kosovari Muriqi e shënoi më 17 janar, në fitoren 3:2 të Mallorcas ndaj Athletic Bilbaos në La Liga.

Tjetër gol nga Muriqi

1 muaj më parë / 20 sht 2026 16:28
muriqi

Vedat Muriqi ka shënuar tjetër gol për Fenerbahçen. 

Muriqi e realizoi golin e tretë ndaj Eyupsporit në minutën e 21-të.

Reprezentuesi i Kosovës e realizoi edhe golin e dytë.