Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Peci për raportin e KE-së për Kosovë: Raport i regresit në demokraci e gjyqësor

Lulzim Peci

Drejtori i Institutit Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci, ka thënë se raporti i sivjetmë i Komisionit Evropian (KE) për Kosovën, është raport i regresit. 

Ai ka thënë se Kosova në shumë kapituj ka shënuar regres. 

Ka përmendur këtu fushën e demokracisë, duke thënë se Kosova sipas raportit ka shënuar regres si pasojë e mungesës së institucioneve gjatë vitit të kaluar.  

Peci ka thënë se në këtë raport vlerësohet Kosova dhe se BE-ja nuk e shikon shumë se kush ka faj.

“Ky raport është raport i regresit për sa i përket Kosovës, nëse i shikojmë me kapituj, në 10 kapituj nuk ka fare progres ose ka regres, në 14 ka progres të kufizuar që do të thotë krejt pak, në 6 kapituj ka njëfarë progresi dhe progres të mirë ka vetëm në kapitullin 4 që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të kapitalit, ndërsa dakordimi i politikës së jashtëm të Kosovës me atë të BE-së po ashtu ka vlerësim pozitiv, por nuk ka një notë të caktuar”, ka thënë Peci në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Ai gjithashtu ka thënë se raporti tregon për regres edhe në fushën e gjyqësorit.

Edhe IKD: Raporti i KE-së konfirmon gjendjen shqetësuese në sundimin e ligjit dhe dështimin për t’i avancuar reformat Arbëri IKD: Raporti i KE-së konfirmon gjendjen shqetësuese në sundimin e ligjit dhe dështimin për t’i avancuar reformat

“Konsiderohet që ka mungesë progresi dhe intensifikim të ndikimeve të papërshtatshme nga ana e Qeverisë dhe politikës, po ashtu ka regres në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë, që është shumë problematike për vendin tonë, një regres konsiderohen edhe amendamentet Ligjit për Dhomat e Specializuara, por vihet në pah që presidentja e ka kthyer Ligjin prapa”, është shprehur Peci.   

Ai ka thënë se regres më të madh se Kosova nga vendet e rajonit ka vetëm Serbia, ndërkohë që Shqipëria dhe Mali i Zi, sipas tij, kanë shënuar progres dhe reforma të mëdha.