Iraniani Kianous Rostami, që garon për Kosovën, ka përfunduar i nënti të mërkurën në Botërorin e peshëngritjes që po mbahet në Ningbo të Kinës.
Rostami 35-vjeçar, që ka fituar medalje të artë olimpike në “Rio 2016” dhe të argjendtë në “Londër 2012” me Iranin, garoi në kategorinë deri 95 kilogramë.
Ai garoi në Grupin C, që është i treti më i fortë, nga katër grupe sa ishin në këtë kategori.
Rostami ngriti 170 kilogramë në shkëputje dhe 201 kilogramë në shtytje. Rezultati total ishte 371 kilogramë.
Në shkëputje doli i shtati në prëgjithësi, ndërsa shtytje doli i 12-i.
Të artën e fitoi Karlos Nasar i Bullgarisë që vendosi tri rekorde të botës. Në shkëputje ngriti 185 kg, në shtytje 230 dhe total i tij 415 kilogramë po ashtu ishte rekord bote.
Rostami këtë vit për Kosovën fitoi dy medalje të argjendta në Lojërat Mesdhetare në Taranto.
Edhe
Peshëngritësja e Kosovës e pesta në Botëror, vendos rekorde botërore për të reja
Kosova në këtë Botëror i paraqiti tre peshëngritës, që të tre të natyralizuar.
Të martën për Kosovën garoi 15-vjeçarja Emily Ibanez. Ajo vendosi shtatë rekorde të botës për të reja dhe përfundoi e pesta në përgjithësi në kategorinë deri 69 kilogramë.
Vëllai i saj Brayan Ibanez ishte paraparë të garonte të hënën në kategorinë deri 85 kilogramë, por u tërhoq në momentet e fundit shkaku i një sëmurjeje.