Me nënshkrimin që presidentja Vjosa Omani ka vënë në Kartën e Bordit të Paqes, Kosova është bërë mes 19 shteteve themeluese të organizatës së re ndërkombëtare, të iniciuar nga presidenti amerikan, Donald Trump. Ky zhvillim ka nxitur reagime ndërkombëtare, por për të ka munguar deklarimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Në presidencë thanë se veprimi i së enjtes ka qenë i koordinuar.
Presidentja Vjosa Osmani është mes 19 liderëve të shteteve që një ditë më parë firmosi Kartën e Bordit të Paqes, në një ceremoni në Davos ku protagonist ishte ideatori i kësaj organizate të re, presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Shumë shtete, përfshirë aty kryesore të BE-së, ose kanë refuzuar të jenë pjesë e saj, ose kanë paralajmëruar të vendosin më vonë, nën arsyen se ajo synon ta relativizojë rolin e OKB-së.
Pavarësisht se akti i themelimit ka përbërë lajmin kryesor të ditës dhe është përshëndetur edhe nga kryetarë të partive opozitare në Kosovë, për të nuk ka reaguar as kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe as ministrja në detyrë e punëve të jashtme, Donika Gërvalla.
Këshilltarja e presidentes Osmani, Donika Kadaj-Bujupi, në intervistë për “60 minuta” në KTV nuk komentoi heshtjen e Kurtit, por tha se me të kanë qenë në koordinim të plotë.
“Kemi marrë përkrahje të madhe nga opozita, kemi marrë përkrahje të madhe nga populli nga qytetarët ndërkaq të gjitha të arriturat e presidentes janë të arritura edhe të Qeverisë dhe të kryeministrit dhe anasjelltas... Kryeministri ka qenë në Davos dhe kanë qenë në koordinim të plotë ashtu siç kanë qenë në të gjitha veprimet e rëndësishme kohë të fundit”, tha ajo.
Në lidhje me ecurinë e angazhimit të Kosovës në Bordin e Paqes e të një vizite eventuale të presidentes Osmani në Shtëpinë e Bardhë, Kadaj nuk ka pranuar që të ndajë hollësi, duke thënë se sqarimet do të jepen nga vetë Washingtoni.
E për obligimet që ka Kosova në këtë mekanizëm, këshilltarja e Osmanit, ka paralajmëruar se ato pritet të bëhen të ditura një takim me krerët e partive politike.
“Shumë shpejt presidentja do t’i ftoj liderët e të gjitha partive politike për t’i njoftuar për veprimet e mëtutjeshme, obligimet të cilat do t`i ketë Kosova dhe njëherë po e them nuk ka delegim të sovranitetin dhe nuk ka asnjë kosto financiare në kuptimin e tarifave apo pagesave të ndryshme”, deklaroi ajo.
Krahas Kosovës, Bordit të Paqes i janë bashkuar edhe 18 vende si shtete themeluese.