Arbëri

Kadaj-Bujupi: Presidentja do t’i ftojë liderët për veprimet e mëtejme në Bordin e Paqes

Donika Kadaj-Bujupi, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se së shpejti presidentja do t’i ftojë udhëheqësit e partive politike në Kosovë për t’i njoftuar për veprimet e mëtutjeshme dhe obligimet që do t’i ketë Kosova në kuadër të Bordit të Paqes.

Kosova një ditë më parë u bë një nga 19 shtetet themelues të organizatës së re të udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump. Bordi i Paqes është organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga Trumpi, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës.

Kadaj-Bujupi në emisionin “60 Minuta” në KTV të premten ka thënë se presidentja Osmani është e njoftuar në detaje me projektin, por ka shtuar se ato do të bëhen të ditura tek pas zbulimit të detajeve nga Shtëpia e Bardhë.

Megjithatë, ajo ka treguar se çka pritet të ndodhë në skenën vendore politike.

“Ajo që dihet brendapërbrenda është se shumë shpejt presidentja do t’i ftojë të gjitha liderët e të gjitha partive politike për t’i njoftuar për veprimet e mëtutjeshme, obligimet që do t’i ketë Kosova. E përsëris, s’ka delegim të sovranitetit e asnjë kosto financiare në kuptim të tarifave apo pagesave të ndryshme”, ka thënë ajo.

Kadaj-Bujupi e ka cilësuar nënshkrimin në këtë kartë si një prej vendimeve kryesore të Kosovës pas pavarësisë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sipas saj, përfshirja në këtë bord e fuqizon ndërkombëtarisht Kosovën si dhe rëndësinë e saj si shtet përballë shteteve mosnjohëse.  

Kadaj-Bujupi ka thënë se e mirë e kësaj organizate për dallim nga Kombet e Bashkuara është se “Rusia e Kina nuk kanë të drejtën e vetos”.