Arbëri

Kritikohet Kurti, pasi nuk i dha mbështetje publike Bordit të Paqes

Analistë politikë kanë kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili nuk i ka dhënë mbështetje publike presidentes Vjosa Osmani që e ka bërë Kosovën shtet themelues të Bordit të Paqes. Karta e organizatës së sponsorizuar nga presidenti Donald Trump, ka pak mbështetës në Evropë. Megjithëkëtë, veprimi i Osmanit ka gjetur mbështetjen edhe të opozitës

Heshtja e kryeministrit në detyrë, pasi presidentja Vjosa Osmani e bëri Kosovën anëtare themeluese të Bordit të Paqes, është cilësuar nga analistë politikë si nënvlerësim i një projekti me rëndësi të madhe për shtetin.

Artan Muhaxhiri vlerëson se veprimi do të duhej të mbështetej.

“Pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes është një moment shumë i rëndësishëm, prandaj edhe do të duhej që të përkrahej nga të gjithë, mirëpo heshtja e Qeverisë, është tashmë tipike, sepse çdo herë kur nuk i konvenon diçka atëherë e injorojnë për disa ditë dhe më vonë e thonë një fjalë kurtuazi”, ka thënë Muhaxhiri. “Esenca është që në vend të presidentes Osmani aty do të duhej të ishte zoti Kurti sepse janë njerëz që kanë, politikanë që kanë pushtetin më të madh përbrenda vendeve të tyre, mirëpo ky është një çmim, kjo është një pasojë që duhet ta vuajë zotëri Kurti për shkak të dëmtimit të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Presidentja Osmani është mes 19 liderëve të shteteve që të enjten firmosi Kartën e Bordit të Paqes, në një ceremoni në Davos ku protagonist ishte ideatori i kësaj organizate të re, presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Shumë shtete, përfshirë ato kryesore të BE-së, ose kanë refuzuar të jenë pjesë e saj, ose kanë paralajmëruar të vendosin më vonë, nën arsyen se organizata synon ta relativizojë rolin e OKB-së.

Krahas Kurtit, për nuk ka reaguar as ministrja në detyrë e Punëve të jashtme, Donika Gërvalla, ndërkaq liderët e partive opozitare e kanë përshëndetur nënshkrimin e Kartës së Bordit të Paqes nga ana e presidentes Osmani.

As Zyra e kryeministrit, e as Ministria e Punëve të Jashtme, nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me mospublikimin e një qëndrimi për këtë zhvillim.

Muhaxheri e quajti shkurtpamësi mungesën e mbështetjes nga qeveritarët.

“Në momentin kur ti e kundërshton një ide të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atëherë nuk është e drejtë që të presësh edhe përkrahje, por faktikisht mungesa e një reagimi qeveritar është një problem shumë i madh politik, por edhe tregon një lloj shkurtpamësie në raport me projektet e mëdha të Kosovës”, ka thënë ai.

E analisti Basri Muja theksoi se nënshkrimi i Kartës së Bordit për Paqe përbën një mundësi të mirë për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Është një sinjal politik pozitiv, i qartë ndaj orientimit të Kosovës drejt bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimit të paqes dhe mendoj që ky hap gjithsesi e forcon profilin diplomatik të Kosovës. Mosreagimi ende i Qeverisë së Kosovës mendoj që më shumë duhet parë si pjesë e një procesi koordinues dhe jo si një mospajtim”, ka thënë Muja.

Presidenca e ka cilësuar historike përfshirjen e Kosovës si një nga 19 shtetet themeluese të Bordit të Paqes.

Një ditë më parë, këshilltarja e presidentes Osmani, Donika Kadaj-Bujupi, nuk e komentoi heshtjen e kryeministrit Kurti, por tha se çdo sukses i presidentes është edhe sukses i kryeministrit dhe gjithë Kosovës.