Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, shprehu pakënaqësi për heshtjen institucionale dhe mungesën e reagimit nga ana e Qeverisë së Kosovës për arrestimin e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe. Krasniqi e quajti ndalimin si “arbitrar dhe të padrejtë”.
“Po shpreh pakënaqësi me mosreagimin institucional, me mosreagimin e Qeverisë që nuk e ka thënë asnjë fjalë për ndalimin jo vetëm të një qytetari që do të duhej, por të një shërbyesi të Kosovës, një prej anëtarëve të forcave speciale të Kosovës, që kur i duhen i ngrisin në qiell me lëvdata ndërsa tani nuk e thonë asnjë fjalë”, ka thënë Krasniqi teksa po fliste pas dështimit të 30-të të seancës konstituive.
Ai kërkoi angazhim të menjëhershëm institucional për lirimin e Spahiut.
“Qeveria dhe institucionet do duhej që aktivisht të merreshin me lirimin sa më të shpejtë të policit Arbnor Spahiu, që po mbahet në mënyrë të padrejtë”, shtoi ai.
VIDEO: Deklarata e plotë
Arbnor Spahiu, ish-zyrtar policor i Kosovës, u arrestua të hënën nga autoritetet serbe ndërsa po udhëtonte me familjen e tij me autobus nga Austria. Ai po akuzohet për “vrasje të rëndë” gjatë sulmit në Banjskë, ndonëse në atë kohë ai nuk kishte statusin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës. Gjykata serbe i ka caktuar masën e paraburgimit.
Krasniqi foli edhe për dështimin e seancës së sotme, teksa e bëri fajtor Lëvizjen Vetëvendosje për 30 dështimet për ta konstituar Kuvendin.
“Partia e parë po tenton të imponojë te deputetë e zgjedhur të popullit. Në vigjilje të Ditës së Çlirimit të Kosovës, shpreh keqardhje për këtë situatë në të cilin na ka sjell LVV-ja me kryeneçësinë e saj politike. Ky vend është bërë me shumë mund, sakrificë e më e pakta që do duhej të bënin politikanët, sidomos në nderim të kësaj sakrifice për këtë shtet, të ishin të përgjegjshëm dhe të kuptonin se asgjë përtej verdiktit të qytetarëve nuk mund të imponohen. Qytetarët meritojnë më mirë”, u shpreh ai.